Kolë Berisha, mbrojtës i të vërtetës shkencore për shqiptarët e Kosovës

Gjekë Gjonaj, Ulqin

Me rastin e vizitës familjare që më bëri miku im i dëshmuar, juristi, politikani e veprimtari i denjë i çështjes kombëtare Kolë M. Berisha ( ish nënkryetar i dytë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ish kryetar i Parlamentit të Kosovës, ish deputet në Parlamentin e Kosovës dhe ish i burgosur politik) në Ulqin , më 14 qershor 2011, më dhuroi librin e tij më të ri ” Djajtë nuk flenë”, botuar nga Shtëpia Botuese ” Rozafa” në Prishtinë në vitin 2008.

Në këtë libër vëllimor prej 619 faqesh, të ndarë në kapitujt e nënkapitujt, veçohet fryma e analizës kritike dhe e polemikës intelektuale me tezat hegjemoniste serbomëdha, falsifikimet e anatemat e pabaza dhe gjenocidin serb ndaj shqiptarëve të Kosovës. Këtë libër të Berishës e konsideroj si vepër monumentale për arsye se autori, duke mos qenë me profesion historian, por siç shprehet ai me modesti, që është karakteristikë e njerëzve të mëdhenjë, ”një ish mësues dhe jurist fare i zakonshëm”, mori guximin intelektual dhe shleu një detyrim kombëtar dhe me sukses, duke iu kundërvënë publikisht platformës antishqiptare të krerëve të Kishës Ortodokse Serbe (institucion fetar që është i zhytur në shovinizëm deri në skajshmëri dhe i cili është dorë e djathtë e politikës ditore serbe) ” Memorandumi për Kosovën”, promovuar më 7 gusht 2003 në Beograd, si udhëzim suprem kombëtar për interesin dhe politikën e Serbisë e të serbëve kur është fjala për Kosovën. Veç kësaj autori me këtë libër sukseshëm zhveshi dhe shembi programet ekspansioniste serbe.

Deri sa po i hedhë në letër këto mendime krejt spontanisht më erdhi ndër mend thënia e Emil Zolës “ E vërteta dhe drejtësia janë mbi të gjitha, se vetëm prej tyre varet madhështia e kombit”. Kolë M. Berisha me këtë libër historiografik mendoj se arriti të nxjerrë në pah të vërtetën shkencore për shqiptarët e Kosovës dhe të demantojë, me gjuhën e argumenteve të pamohueshme e të qëndrueshme, propagandën e trinomit serb: Kisha Ortodokse Serbe, Shoqata e Shkrimtarëve të Serbisë dhe Akademia e Shkencave të Serbisë se gjoja ” Kosova kurrë nuk ka q enë dhe nuk do të jetë shqiptare”.

Kolë M. Berisha besnik i parimeve të së vërtetës historike dhe mbështetur në një dokumentacion të pasur, me logjikën e fortë jep në këtë vepër deduksione të rëndësishme, bindëse dhe të argumentuara. Berisha në këtë libër po ashtu provoi të demaskojë, mitologjinë serbe për Kosovën, orientimet për zgjidhjen e krizës së Kosovës, përpjekjet ” kushtetuese dhe jokushtetuese”, ” ligjore dhe joligjore” të Beogradit zyrtar për të mbajtur Kosovën edhe më tutje si ” krahinë” ( koloni të saj), të pavërtetat për ” pronësionë mbi Kosovën”, shterpësinë e mendimit ” shkencor” e të njoftojë lexuesin me spastrimin etnik: Nga kokat serbe-në tokat shqiptare, me ”dhuratat ” komuniste për shqiptarët, me krimet e instutucionalizuara gjenocidale kundër populllit shqiptar në Kosovë, me ” ndryshimet demokratike” në Serbi pas rënies së Sllobodan Millosheviqit dhe me bombardimet e NATO-s kundër ” popullit të pafajshëm serb”. Autori madje i sugjeron bashkësisë ndërkombëtare që të njohë Kosovën e pavarur. ” Bashkësia ndërkombëtare , nëse dëshiron një Ballkan të qetë, duhet ta njohë edhe formalisht pavarësinë e Kosovës. Vetëm një Kosovë e pavarur do t’i ndërpriste njëherë e përgjithmonë aspiratat e Beogradit për rishtrirjen e pishtetit mbi Kosovën . Dhe , vetëm një Kosovë e pavarur do evropianizonte Ballkanin e nuk do të lejonte ballkanizimin e Evropës”, shkruan Berisha. Ai në vazhdim pohon me kompetencë se: ” Shqiptarëtg kurrë nuk do t’ua falin serbëve ato krime që i kryen mbi shqiptarët gjatë shekujve të kaluar, e sidomos ato nga viti 1912, respektibvisht nga viti 1981, përkatësisht gjatë dekadës së fundit të shekullit të kaluar . Shqiptarët kurrë nuk do të pajtohen me ata që kanë bërë krime mbi ta, mbi foshnjet e tyre, mbi prindërit e tyre, mbi fëmijët e tyre, mbi motrat dhe mbi vëllezërit e tyre”.

Libri i Kolë M. Berishës ” ”Djajtë nuk flenë” jo me gjuhën e letërsisë, por me atë të historisë, troket fort në ndërgjegjen e serbëve të sotëm, të historianëve, intelektualëve, klasës politike të këtij vendi. Janë ata, që i kanë shtrembëruar faktet historike, kanë dhunuar arsyen e shëndoshë dhe vazhdojnë edhe sot të fyejnë, të urrejnë mijëra viktima të pafajshme, duke i përbaltur ata dhe popullsisë shqiptare të Kosovës. Populli serb ka nevojë të mësojë këto të vërteta të hidhura.

Veprën ” Djajtë nuk flenë” duhet përkthyer në gjuhën serbe, që populli serb dhe rinia e këtij vendi të mos vazhdojë e t’u besojë programeve politike serbe kundër popullit shqiptar në Kosovë, sespe siç konkludon historiani shqiptar Jusuf Buxhovi ne librin e tij ” Historia e Kosovës” i cili çmendi Beogradin : ”Në mesjetë nuk ka pasur shtet serb, e as Kishë Ortodokse Serbe, por vetëm krahina, ( zhupani) që në histori janë të njohura si pushtuese dhe në dëm të etnisë arbërore, mbi të cilën pastaj është ndërtuar miti serb” .