Shoqata Dedë Gjo’ Luli dhe Fondi Humanitarë Malësia, në New York, organizuan Mbrëmje festive me rastin e 101 Vjetorit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe dhe 100 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë

BEQIR SINA, New York

“Kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911, është kurora e lavdisë. mbi lavditë, që gjithnjë shëndrit në qiellin kaltërt të Malësisë e Shqipërisë”

BRONX – NEW YORK : Kryengritja Malësore e vitit 1911, e udhëhequr nga Dedë Gjo Luli, të shtunën është kremtuar me solemnitete të mëdha, edhe në New York. Qindra bashkëatdhetar shumica e tyre malësorë nga kjo trevë, nën organizmin e Shoqatës Dedë Gjo’Luli dhe Fondit Humanitar Malësia, nga New York-u, kremtuan mbrëmë në lokalin e njohur Maestro’s në Bronx, 101 vjetorin e kësaj Kryengritje, e cila i parapriu dhe pavarësisë së shtetit shqiptarë një vit më pasë, kur më 28 Nëntor 1912, në Vlorë u shpallë Pavarësia e Shqipërisë.
Në mesin e pjesëmarrësve ndodheshin edhe disa personalitete e veprimtarë të dalluar të komunitetit tonë, përfaqësues të klerit katolik, aktivistë, studentë, afaristë dhe biznesmen të suksesshëm, gazetarë dhe lider të komunitetit ; kryetari i Federatës PanShqiptare të Amerikës Vatra, Dr Gjon Buçaj, presidenti i Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan z Martin Shkreli, Biznesmeni i sukseshëm Mark Gjonaj aktivist i dalluar i komunitetit, i cili shumë shpejt pritet të shpalli kandidaturën e tij për Assemblyman, një vend në Dhomën e Përfaqësuesve të Shtetit të New Yorkut, nga Shqipëria, z. Agim Loçi Drejtori Ekzekutivë i Institutit “Shtëpia e Drejtësisë”, dhe të rinjët e organizatës “Rrënjët Shqiptare”.

Jehona e kësaj ngjarje të madhe me protagonist trevën simbol të shqiptarëve, Malësinë e Madhe, edhe pse për 50 vjet të sundimit komunist, u la në harresë, në njërën dhe anën tjetër të kufirit “shqiptaro -shqiptarë”, jo vetëm nuk është zbehur, por, ajo është kremtuar dhe tingëllon sot më aktuale se kurrë. Pasi tokat e Shqipërisë Etnike, janë jo vetëm të ndara, por mbi të gjitha shqiptarët ende nuk e kanë realizuar atë ëndrrën e tyre shekullorë, për bashkimin e të gjitha trojeve.

Gjithsesi, Kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911, është kurora e lavdisë. mbi lavditë, që gjithnjë shëndrit në qiellin kaltërt të Malësisë dhe Shqipërisë, duke na e kujtuar se liria jonë, ndoshta si tek asnjë popull tjetër në Botë, i ka themelet në gjakun e të parëve tanë. Pa dyshim epopeja e luftërave heroike në Malësinë e Madhe, e malësorëve më në krye prisin legjendarë Dedë Gjo Luli, është një thesar brilant që rnban të gjallë kujtesën e brezave të sotëm dhe atyre që do vijnë, se çmimi i mbijetesës sonë ka qenë tepër i shtrenjtë, aq sa as nuk shitet e as nuk blihet nga askush.

Sipas historianëve shqiptarë, thuhet se :”Sidoqoftë, kryengritja anti-osmane e vitit 1911 është shpallja “de Facto” e pavarësisë së krejt Shqipërisë. Ndërsa ngritja e flamurit në Vlorë, ishte “de jure”, ose më saktë nënshkrimi zyrtar i pavarësisë së Shqipërisë.

Por, për të nderuar e kujtuar sadopak ato kohë heroike, që i zbardhën faqen Malësisë e Shqipërisë, për dekada me rradhë, të paktën këtu në SHBA, është kujtuar nga hera kjo ngjarje e madhe historike e shqiptarëve. Mbremjën festive me rastin e 100-Vjetorit te Pavaresise se Shqiperise dhe 101-Vjetorit te Kryengritjes se Malesise se Madhe, e drejtojë në gjuhën e ëmbël dhe të bukur shqipe, konferencieria zonjusha Linda Gojçaj, studente e lindur në SHBA.

Në fillim të fjalës së saj zonjusha Gojçaj, iu falenderua organizatorit, që si u shpreh ajo i dha asaj këtë nderim, të drejtojë këtë kremtim – solemn, pra, këtë darkë madheshtore, u shpreh Gojçaj, e cila na ka bashkuar këtu për të kujtuar dy ngjarjet nga më të lavdishmet të historisë sonë kombëtare, pra: 101 – Vjetorin e Kryengritjes së Malësisë së Madhe, dhe – 100- Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë .

Duke folur për rëndësinë e kësaj ngjarje, ajo tha se “Kryengritja e malësorëve e vitit 1911, frymëzoi dhe ngriti në këmbë çdo shqiptarë dhe çdo krahinë të trojeve tona etnike. Dhe, ndërsa sundimit pesë shekullor ottoman tashmë, po i vinte fundi, më 28 Nëntor të 1912-tës, në Vlorën heroike, Shqipëria, ceku ajo u shpallë Shtet i Lirë dhe i Pavarur. “ Edhe m` vedi me sundue, Pashë as Beg mos me nigiue”…….., thotë poeti i madh Gjergj Fishta,” tha konferencieria Gojçaj.

Darka solmne “Kryengritja Malësore e vitit 1911”, u çelë me egzekutimin e hymnit kombëtarë të SHBA dhe atij Shqiptar, kënduar nga studenti Albert Stanaj. Në shenjë nderimi për të rënët, konferencieria ftoj pjesëmarrësit të ngrihen në këmbë, për të nderuar dhe respektuar me një moment heshtje! kujtimin e tyre. Famullitari pran Kishës Shqiptare “ Zoja e Shkodrës”, i përndershmi Dom Pjetër Popaj, kreu ritualin fetar të bekimit të kësaj darke! si dhe përshëndeti 101 – Vjetorin e Kryengritjes së Malësisë së Madhe, dhe – 100- Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë .

Kush nuk asht mundue me na nda me njani tjetrin, tha në fjalën e tij i përndershimi dom Pjetër Poapaj, duke shtuar se armiqtë ateista janë mundue me na nda edhe prej Zotit. Por, theksoi Popaj, shqiptari mbeti i pandashëm me Zotin, e me njani tjetrin.” Ky bashkim sipas tij na ka ruajt gjatë shekujve, se po të ishim të ndarë prej njeri tjetrit, do t’ishim shkrie e harrue sikur shumë kombe, kultura e perandori që janë kenë, e nuk janë ma. Na jemi të vegjël me numër, por kemi zemrën e madhe, bujarinë e besniknin, që na kanë mbajt gjall ndër shekuj”.

Konferencieria, tha se:” Kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911 është ndër ngjarjet ma kulmore të historisë sonë kombëtare. Malësoret e Hotit, Grudës, Kelmendit, Kastratit, Trieshit, Kojës, Shkrelit, e viseve tjera, nën udhëheqjen e trimit të maleve Dede Gjo Lulit, më 6 Prill të po atij viti, në majë të Bratilës, ngritën flamurin shqiptar, për herë të parë pas 500 vjetë robëri.”

Rreth kësaj dhe ngjarjeve tjera që çuan në Pavarësinë e Shqipërisë, tha Gojaçaj, sonte do të na flasë zotëri Frank Shkreli, analist shqiptaro – amerikan, ish gazetar dhe redaktor në “Zërin e Amerikës”, seksioni shqip, i cili ka shërbyer këshilltar i lartë programacioni në Divizionin Europian të “Zërit të Amerikës”, dhe ka qenë Drejtor Egzekutiv i KKSHA, tha ajo .

Folësi kryesorë i këtij kremtimi zoti Frank Shkreli, mbajti një kumtesë, të cilën e kishte titulluar “Le ta marrë vesh Evropa dhe Ballkani, se nuk luhet më me fatin e shqiptarit”

Ai tha se është kënaqësi dhe privilegj që gjëndem sonte këtu, jo vetëm për të përkujtuar me këtë darkë e festim, 101-vjetorin e kryengritjes së Malësisë së Madhe, por në të njëjtën kohë — në këtë 100-vjetor të pavarësisë së Shqipërisë sivjet — me krenari jemi mbledhur për të lartësuar ngjarjen që i para-priu shpalljes së pavarësisë në Vlorë, më 1912 — e që është ngritja e parë e flamurit kombëtar në trojet shqiptare, ç’prej kohës së heroit kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbe.

“Mirëpo, ceku ndër të tjera Shkreli, ky kontribut i Ded Gjo Lulit nuk është njohur gjithmonë nga historia dhe ende ka anashkalime dhe hesitime për të njohur kontributin e vërtetë të Ded Gjon Lulit në historinë kombëtare.

Për këtë tha Shkreli, Fan Noli i cili me një rast pat shkruar për Ded Gjo Lulin kështu: ”Gjithmonë ky personalitet i madh i Veriut më ka tërheqë shumë për trimëritë, mençurinë, guximin dhe vetëdijen e lartë që kishte dhe për sakrificat që bënte për Atdheun
e tij. Jam ndjerë i pezmatuar, kur vonë u rehabilitua nga sistemi komunist dhe shumë pak u përmend. Rregjimi komunist me heshtjen e tij e dënoji për së vdekuri heroin e luftrave për Flamur dhe Pavarësi, Dedë Gjo Lulin. Historia vonon, por nuk harron.”

Fan Noli kishte të drejtë u shpreh Shkreli sepse historia e ka vonuar Ded Gjo Lulin, por ajo nuk duhet ta harrojë, prijsin e malësorve. Atij ceku ai nuk i është ndërtuar ende ndonjë monument në Shqipëri, por emëri i tij është i shkruar në zëmërat e të gjithë shqiptarëve. Ndërsa kujtimi i tij kapërcen kufijt e trojeve shqiptare dhe oqeanet, e mbërrinë edhe këtu në Amerikën e largët., andaj sipas Shkrelit, dhe prania në këtë kremtim është dëshmi se ai nuk do të harrohet.

Më pas zoti Shkreli, bëri thirrje duke thënë se :”Prandaj, si pjesëmarrës në këtë përvjetor historik, ne sonte, nga ky tubim përkujtimor kërkojmë me këmbëngulje nga autoritete e Tiranës që një ndër objektivat madhore kombëtare — në këtë 100-vjetor të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë — të jetë vendosja e Ded Gjo Lulit (ashtu siç sugjeron edhe Fan Noli) në piedestalin e merituar të historisë së kombit shqiptar duke i ndërtuar atij monumentin në qendër të kryeqytetit të kombit në Tiranë”.

Gjatë fajlës së tij z. Shkreli, përmendi faktin se në qoftse Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi dhe patriotë të tjerë intelektualë të asaj kohe, nga e gjithë Shqipëria, e kishin parë të nevojshme, ndoshta të doemosdoshme, që të shkonin për të takuar Ded Gjo’ Lulin me qëllim të hartimit të Memorandumit për të drejtat e shqiptarëve në të gjitha trojet e tyre – atëherë, është e pakuptueshme dhe e pashpjegueshme se pse elita e sotëme politike dhe akademike shqiptare nuk i akordon Ded Gjon Lulit të njëjtin respekt që i akorduan atij rilindasit e kombit dhe baballarët e pavarësisë së Shqipërisë?, pyeti ai.

Kërkesa tjetër me rëndësi nga ky tubim sonte, si folës kryesorë Shkreli ia drejtojmë në emër të këtij tubimi qeverisë së Malit të Zi. “Është, ironik dhe tragjik fakti, tha ai që edhe sot në shekullin 21, malësorët dhe Malësia e Madhe, vendi ku Ded Gjo’ Luli ngriti flamurin shqiptar dhe aty ku u përpiluan kërkesat për të drejtat e malësorve dhe të gjithë shqiptarëve për vet-administrim, për gjuhë dhe buxhet të vetin – malësorët sot nuk i gëzojnë plotësisht këto të drejta — njohjen dhe zbatimin e të cilave — Ded Gjo Luli kërkoi nga pushtuesit turq 101 vjetë më parë.”

Më tej zoti Shkreli shprehu një falenderim të veçantë për kongresistët amerikanë Eliot Engel, Gary Peters dhe Jean Schmidt — duke ju bërë thirrje të gjithëve që t’i bashkohemi thirrjes së tyre, të para disa ditëve drejtuar Kryeministrit malazez — që Tuzit t’i jepet statusi i plotë i komunës me të gjitha të drejtat– siç theksojnë kongresistët amerikanë në letrën e tyre – para mbarimit të këtij viti, pasi ky është vullneti dhe e drejta e banorëve të asaj zone.

Zonja e Zotëri ! klerikë të nderuar — më lejoni të them se duhet të jemi të vetdijshëm, sepse siç thashë edhe më lartë, Shqiptarët, tha Shkreli, nuk kanë qenë kurr më të lirë se sot., rrugë e dyerë atyre u janë hapur si kurrë më parë në histori.

” Prandaj, ta marrë vesh Evropa dhe Ballkani , theksojë Shkreli, se të drejtat e shqiptarit nuk mund të nepërkëmben më dhe as nuk mund të luhet më me fatin e shqiptarit, sot. Kjo, nuk është një deklaratë kërcnuese, por është një deklaratë reale, që do të thotë se shqiptari dëshiron të jetojë në shtëpinë e vet, zot i fatit të vet, në paqë e siguri me fqinjtë, si pjesë e familjes së madhe evropiane. Ky, pra është mesazhi i përvjetorit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe dhe i udhëheqsit të saj, Ded Gjon Luli” tha folësi kryesorë i këtij kremtimi, zoti Frank Shkreli,

Edhe sivjet, këtë mbremje festive e organizuan së bashku dy subjektet tona të mirënjohura të komunitetit: Shoqata Atedhetare”Dede Gjo Luli” dhe Fondi Humanitar “Malesia”, tha në emër të tyre si organizator i mbrëmjes kryetari i Shoqatës Atdhetare” Dedë Gjo Luli”,z. Sandër Sinishtaj,

Ndërkohë, tha Sinishtaj me këtë rastë Shoqata Ded Gjo Luli dhe Fondi Humanitarë Malësia ashtu si dhe vitet e tjera, kanë vendosur të ndajnë mirënjohje: për punë dhe veprimtari kombëtare në komunitet dhe më gjërë, për punën e tyre dhe sukses shumëvjeçarë, njërin ndër lideret më të çmuar të komunitetit shqiptarë në SHBA, dhe udhëheqësin e denjë shpirtëror, Dom Pjetër Popaj. Gjithashtu, dhe në mungesë të ardhjes tha ai nderojmë me mirënjohje edhe këngëtarin Nikoll Nikëprelaj.

Kjo fitore theksojë në fjalën e tij kryetari i Shoqatës Ded Gjo Luli, zoti Sandër Sinishta, bëri, që 100 vite më vonë, shqiponja jonë dy krenare, të valojë e lirë dhe më lartë se kurr në supet e gjeneratave krenare, që vazhdojnë të çojnë kombin drejt përparimit!.

“Ndër ta jemi edhe ne këtu në diasporë, theksojë Sinishta, duke parë që ashtu si 100 vite me parë dhe deri sot, vazhdon të ketë ndikim të veçantë në interesat përparimtare të kombit shqiptar…….

Dhe, si pjesë e kësaj diaspore, por edhe si paraardhës të atyre që flijuan veten për ne dhe Shqipërinë, këto manifestime na mundësojnë që t’i rrimë afër historisë, traditës dhe identitetit tonë të lashtë. Në të njëjtën kohë, me mbesim të vetëdijshëm, që si çdo popull tjetër paqedashës, si më parë edhe sot, vazhdojmë t’i shërbejmë civilizimit botëror me virtytet dhe qëllimet më të pastra njerëzore. Jemi të bindur që kjo është e vetmja rrugë drejt përparimit dhe stabilitetit, Rrugë, kjo, e cila për ne u hap një shekull më parë”, tha në fjalën e tij përshëndetse z. Sandër Sinishta kryetari i Shoqatës Ded Gjo Luli,

Darka solemne “Kryengritja Malësore e vitit 1911”, u shoqërua me një program artistik të përgatitur nga pjestarët e SHKA “Bashkimi Kombëtar”, lahutarin popullor Rustem Ulaj, me interpretues aktorin Shaban Lajçi, rapsodin Tom Gjergji dhe një grup i fëmijëve të “Shkollës Shqipe”. Programin e bëri edhe më të pasur dhe më të disponueshem me këngë e valle popullore nga repertoari i pasur i këngëve të saj, këngëtaria e mirënjohur nga Malësia , Lirie Dedvukaj dhe Fran Vulaj, të shoqëruar nga grupi “Malësori”. Voglushia Eva Juncaj, recitojë disa vargje të një poezie për “Nënën”

FOTOGRAFITË