Në rrugën parazgjedhore, duhet që të jemi shumë vigjilent dhe të zgjohemi. Duhet që ta dimë se:

nga Mark Lucgjonaj

Pa e filluar shkrimin e para gjë që më erdhi në mend ishte Kriza Globale, e si pjesë e globit, ne, populli shqiptar ne Mal te Zi. Ndoshta do të ishte e pritshme që të shkruaja vetëm për pjesën e shqiptarëve të Malësisë, gjë që është krejtësisht logjike për politiken e deritashme lokaliste që nuk kalon më tej se zhvillimet fisnore të mesjetës. Por, duke e parë pak në një prizëm më të gjerë çështjen shqiptare në Mal të Zi, duke i shikuar të gjithë ata që flasin shqip në Mal të Zi si shqiptar, si një trung unik me qellime të njëjta të zhvillimit, dashtë e padashtë, termi “shqiptarët në Mal të Zi” tingëllon më mirë edhe për veshin tonë por edhe për atë të faktorit qeveritarë dhe ndërkombëtar. Parë nga ky këndvështrim, politika shqiptare , duhet që të jetë unike dhe të fillojë të shikojë ka një reformë e veprimit politik. Po i kthehem Krizës Globale, e cila si duket për shqiptarët në shtetin tonë ( Mali i Zi ) është semundja e cila dita ditës po na bren, kurse politika jonë, vazhdon që të jetë e copëzuar, një politikë lokaliste që nuk shkon përtej veprimeve individuale. Këto kanë bërë që edhe pesha e Krizes Globale që i takon ta bartë shteti i Malit të Zi, të bie më shumë te shqiptarët. Ne e dimë shumë mirë se veprimet personale, individuale, janë veprime moniste e si të tilla , të dëmshme vetëm e vetëm për ne. Jo vetem moniste por në terminologjinë e sotshme mund të quhen interesa personale. Kjo lloj politiket , po e zhyt akoma më shumë “qytetarin” (shqiptarin) ndërsa frytet e deshtimit, po i vjelin të fortët. Kurse ne ënde bëjmë gjoja sikurë pyesim se: “pse ne nuk ia dalim mbanë që më politikën tonë, të bëjmë ndonjë progres në të mirë të komunitetit tonë brenda shtetit”?!!!

Tashmë jemi në prag të zgjedhjeve, në një kohë kur të gjithë duhet që ti ndezim të gjitha dritat e dijes, ti shuajmë të gjitha pamarrëveshjet, të projektojmë për më larg dhe të hartojmë një plan që përmes këtij plani, njëherë e përgjithmonë të dilet nga kjo humnerë e katrahurë ku kemi rënë. Duhet që ta aktivizojmë moralin politik, e moral është edhe sakrifikimi, durimi, unifikimi e gjithashtu edhe falja si një nder vetitë më madheshtore të njeriut. Nëse ne, politikanët nuk bëjmë marrëveshje në mes veti, nëse ne nuk kemi gjuhë të përbashkët politike, nëse ne nuk kemi inspirim për ti kapercyer problemet nderpartiake apo nder personale, atëherë ai që i vuan pasojat, ai që ndrydhet është populli e në rastin tonë, shqiptari i ndershëm. Ky popull, pret nga paria e vet, nga perfaqësuesit e vet, një kulturë, një shembull të funksionimit si mbeshtetje që më pas, të luaj edhe ai rrolin e tij teper të madh, rrolin e shtylles kryesore sepse ne jemi një grusht njerëz dhe po qëndruam edhe të shperndarë atëherë, vaj halli.

Kompromisi, biseda, marrëveshja e politikës shqiptare në Mal të Zi, është edhe arma e vetme që ne mund ta mbajmë në duar tona e që më pas edhe popullata jonë të fitoj besimin, të japë mbështetjen dhe të na duartrokasë. Është shumë me rëndesi që edhe në betejat e humbura, gjenerali të lavdërohet, funsionimi i ushtrisë të jetë kompakt. Nëse humbja vjen nga se kundershtari është më i fortë, atëherë ushtria nuk ka deshtuar, ajo nuk ka faj për humbjen e betejës. Por nëse humbja vjen për shkak të strategjisë së keqe, atëherë ska lavdi as mëshirë. Prandaj edhe politika shqipare në Mal të Zi, duhet të rreshtohet në një batalon, nën një qellim të përbashkët që këto zgjedhje ti fitojnë shqiptarët e mbi të gjitha, këto zgjedhje duhet t’i fitojë populli. Një spiritualist thotë se njeriu i cili humbet rrugën e tij, këtë e bën sepse është i fjetur prandaj ai fton që njerëzit të zgjohën. Kjo ftesë i shkon edhe politikes shqiptare në këtë prag zgjedhjesh sepse duhet të zgjohemi, kemi nevojë pere zgjim, kemi nevojë për unitet politik.

Mark Lucgjonaj
Këshilltar i Alternativës Shqiptare në Kuvëndin e KU Tuz