Shqipëria, merr zyrtarisht presidencën e radhës së Këshillit të Europës. Ceremonia e dorëzimit të presidencës është zhvilluar në Strasburg ku kanë marrë pjesë ministrat e Jashtëm të 47 vendeve anëtare. Dorëzimi simbolik i çelësit të presidencës është bërë nga ministri i jashtëm i Britanisë së Madhe William Hague i cili I uroi Shqipërisë të ketë një presidencë të sukseshme.
Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm shqiptar, njëkohësisht zv kryeministri Edmond Haxhinasto është shprehur i lumtur që vendi ynë merr drejtimin e Komitetit të Ministrave. “Falenderoj kryesinë britanike për punën e jashtëzakonshme. Shqipëria do promovojë vlerat kryesore të Këshillit të Europës” ka theksuar Haxhinasto ndërsa ka shpalosur para vendeve anëtare prioritetet e presidencës shqiptare.
Ceremonia përveç anës simbolike të dorezimit të çelësit të presidencës, ka përfshirë dhe një panair me dokumentet kryesore historike të vendit tonë por edhe me produktet ushqimore shqiptare.
Për herë të parë nga anëtarësimi në Këshillin e Evropës, në 13 korrik 1995, Shqipëria do të marrë kryesinë e Komitetit të Ministrave të organizatës, për periudhën 23 maj -9 nëntor 2012. Nëpërmjet kësaj presidence, Shqipëria do të bëhet zëri i përbashkët i 47 vendeve anëtare, nën moton: “Të bashkuar në diversitet”.
Këshilli i Evropës dhe institucionet e tij na shoqëruan dhe na asistuan prej rreth 20 vitesh në rrugën e konsolidimit të shtetit shqiptar, duke ofruar një kontribut të vlefshëm me qëllim përmbushjen e angazhimeve të ndërmarra nga Shqipëria në momentin e anëtarësimit në organizatë. Sot, kjo kryesi na ofron një mundësi të shkëlqyer për të nxjerrë në pah rezultatet e rrugëtimit tonë të përbashkët drejt konsolidimit të vlerave ku mbështetet organizata: shteti i së drejtës, demokracia, respektimi i të drejtave të njeriut. /Klan/