Lorik Cana, për kosovarët kombëtarja është ajo e Shqipërisë

Ndeshja me Iranin po afron dhe në konferencën e fundit për shtyp para nisjes për në Stamboll, trajneri Xhani De Biazi nxori edhe një herë tjetër kapitenin Cana, i mbështetur nga dy të rinjtë Edgar Çani dhe Elis Bakaj.

Mesfushori i Lacios e konsideron këtë si fillimi i një aventure: “Ne jemi vetëm në fillim të këtij edicioni, të një aventure të re, me lojtarë të rinj dhe me trajner të ri. Kemi fituar dy vazo dhe jemi në vazon e katërt. Për të arritur më lart, na duhen pikë dhe rezultate kundër kundërshtarëve të mëdhenj. Kundër Iranit do të jetë një ndeshje e rëndësishme, ku ne do të kërkojmë fitoren, pasi vetëm kështu do të mund të injektojmë në skuadër mentalitetin e fituesit, një mentalitet që fitohet në ndeshje miqësore”.

Në lidhje me zhvillimet e fundit rreth lajmeve se Kosova është lejuar të luajë miqësore me Kombëtaren, kapiteni i kuqezinjve ka theksuar sërish se është për një Kombëtare të vetme shqiptare. “Shpresojmë që shumë shpejt, Kosova të pranohet në FIFA dhe UEFA, por për mendimin tim, ne e kemi vetë në dorë të kemi një kombëtare të vetme, pasi nuk besoj se ka një rregull, që mund të na e ndalojë këtë. Jo vetëm unë, por të gjithë kosovarët këtu, mendojmë se po përfaqësojmë ngjyrat e skuadrës së zemrës, Kombëtares së Shqipërisë, pasi është Kombëtarja e të gjithë neve, pastaj të shikojmë se si do të zhvillohen ngjarjet përpara”. E ardhmja e Kombëtares shqiptare është e të rinjve dhe janë pikërisht ata që paraqiten në konferencën për shtyp të së enjtes në grumbullimin e skuadrës kuqezi, në prag të miqësores me Iranin.

I pari, Edgar Çani, pritet të luajë ndeshjen e tretë me fanellën e përfaqësueses. Më shumë ka luajtur Elis Bakaj, por të dy shprehen se janë gati të marrin përgjegjësitë që kërkon Kombëtarja. “Jam shumë i kënaqur, ndjej që gjendja është shumë e mirë. Duhet të paraqitem sa më mirë me Kombëtaren, sepse dua ta ndihmoj atë. Po provoj të luaj me Bogdanin në sulm, edhe pse jam mësuar të luaj sulmues i vetëm, deri tani në Kombëtare jam ndier mirë. Shoh një grup të mirë, po punojmë mirë me mjeshtrin De Biazi”, shprehet Çani. Ndërkohë mesfushori Elis Bakaj thotë: “Në Rumani, nuk po kaloj një kohë të mirë, kamë qenë dhe i dëmtuar afër dy-tre muaj. Mendova se ishte momenti më i mirë që të largohesha nga Dinamo, arrita formën ideal në Ukrainë. Besoj se forma e mirë që po kaloj në Ukrainë ndikoi dhe në përfaqësuese. Mendoj se çdo lojtar është gati të japë për ekipin kombëtar, pastaj janë zgjedhjet e trajnerit, ai i jep mundësi lojtarit të luajë 90 minuta. Për mua nuk ka rëndësi sa minuta luaj, por dua të kem shanset e mia. Tashmë uroj që të jap më të mirën në ndeshjen e radhës, për të shënuar një tjetër gol për përfaqësuesen dhe ta ndihmoj atë që të arrijë te fitorja”. Po dje është mësuar se pas huazimit gjashtëmujor nga Dinamo e Bukureshtit te Çernomorets, tashmë mesfushori shqiptar ka nënshkruar një kontratë 3-vjeçare me klubin ukrainas. Nga kjo marrëveshje pritet të përfitojë edhe Dinamo e Tiranës, që do të përfitojë 100 mijë euro që rumunët u kishim mbetur borxh nga blerja e Bakajt. /TCH/