Mali i Zi kushtëzon Kosovën – nga Xheladin Zeneli

Hapja e Ambasadës së Malit të Zi në Kosovë ,si kusht i realizimit të të drejtave të pakicës malazeze në shtetin e tyre fqinj !

Lajmi i hapjes së Ambasadës së Malit të Zi në Kosovë u mirëprit dhe u përshëndet nga një pjesë e faktorit politik shqiptar ,megjithate, nëse e analizojmë rrjedhjen e ngjarjeve që kulminoi me paralajmërimin e hapjes së Ambasadës në Prishtinë,do të konkludojmë se veprimi i fundit i Qeverisë së Malit të Zi, nuk është thjeshtë i nxitur nga motivi i përforcimint të marrëdhënieve diplomatike me shtetin e tyre fqinj, por është veprim me interes dhe prapavijë politike.

Mali i Zi e njeh pavarësinë e Kosovës në Tetor të vitit 2008 , kurse marredhëniet diplomatike u vendosën në Janar të vitit 2010. Mirpo, në fund të vitit 2010, kryetari i Malit të Zi., Filip Vujanoviq ka refuzuar të nënshkruaj aktin e shkëmbimit të ambasadorëve në mes Malit të Zi dhe Kosovës derisa t’i njihet statusi i pakicës , bashkësisë malazeze në Kosovë.Që nga atëherë me qëllim është zvarritur shkëmbimi i ambasadave (nga ana e Malit të Zi ) , si veprim i logjikshëm që do të duhej të pasonte pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në mes këtyre dy shteteve.Pra shkaku i zvarritjes apo prolongimit të hapjes se Ambasadës ,deri më tani në Kosovë ka qenë kushtëzimi i Podgoricës zyrtare me njohjen e statusit të pakicës malazeze ,d.m.th. që malazezët të pranohen si komunitet me Kushtetutën e Kosovës dhe të jenë të përfaqësuar në organet legjislative të pushtetit.

Vendimi i mos shkëmbimit të ambasadave do të mbahet pezull nga ana e Qeverisë malazeze për më shumë se dy vite dhe do të mbahet pezull pra, deri atëherë kur kjo Qeveri do të marrë siguri nga ana e Prishtinës zyrtare lidhur me zgjidhjen e statusit të pakicës malazeze në Kosovë dhe do të garantohet realizimit të drejtave të tyre.Kjo garanci u muar në muajin Mars të këtij viti , atëherë kur ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës , Enver Hoxhaj i dërgoi letër homologut të tij malazez, Milan Roqen, ku ai njoftohet se “janë krijuar kushtet që komuniteti malazias në Kosovë të zërë vend së shpejti në Kushtetutën e Kosovës…”(“Koha Javore”- 8 Mars 2012).

Ironia më e madhe është se po ato të drejta që autoritetet malazeze po kërkojnë për pakicën e tyre në Kosovë,(megjithëse krahasimi i dy entiteteve është i pavend), po të njëjtat drejta iu mohohen shqiptarëve në Mal të Zi si popull autokton në trevat e tyre stërgjyshore të cilët gjithnjë vazhdojnë të kenë statusin e tyre të pazgjidhur.

Pyetjes që nuk mund t’i shmangemi dot, është se a do të të duhej që në këte rast shteti i Kosovës dhe Qeveria e saj të ishin ata të cilët do të kushtëzonin shkëmbimin e abasadave dhe pse jo edhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Malin e Zi, si kusht për avancimin e pozitës dhe zgjidhjen e statusit të shqiptarëve në këte shtet!? Përkundrazi, Prishtina zyrtare jo vetëm që hesht por pranon kushtëzimet e Podgoricës, dhe dashur ose padashur ato vihen në pozitën e infirioritetit dhe servilizmit. Rruga e fqinjësisë së mirë është rrugë dy drejtimesh dhe relacion i palëve të barabarta.

Ka ardhur koha që edhe Kosova, ashtu si çdo shtet tjetër sovran dhe i pavarur të sillet si i tillë dhe të rrijë besnik parimeve të veta diplomatike dhe politike. Dhe a ka parim më të drejtë dhe legjitim se sa mbrojtjen e të drejtave kombëtare të vëllezërve të vet, jashtë kufijve shtetëror, në këte rast, të shqiptarëve në Mal të Zi.

Aktivisti i njohur amerikan për të drejtat e njeriut,Martin Luther King, pat thënë :

“Askush nuk të hyp dot në kurriz nëse ti nuk përkulesh”.

Xheladin Zeneli