Ka marrë fund pa konsensus dhe vetëm me votat e mazhorancës odisea e zgjedhjes së Presidentit të Gjashtë të Republikës, ai është Bujar Nishani. Kandidatura Partisë Demokratike mori 73 vota pro dhe vetëm një kundër, ndërsa dy fletë u shpallën të pavlefshme.
Procesi i votimit nisi pas orës 17:00 dhe në sallë ndodheshin edhe deputetët socialistë, të cilët kishin paralajmëruar bojkotimin e procesit të votimit. Në votimin e fshehtë nga opozita mori pjesë vetëm deputeti dhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule i cili në mënyrë demostrative hodhi bosh, pa e plotësuar në këndin sekret, fletën e tij. Votoi gjithashtu edhe deputeti i përjashtuar nga grupi parlamentar socialist, Kastriot Islami dhe kreu i Frymës së Re Demokratike, Gazmend Oketa. Ky i fundit në deklaratat publike dhënë para zgjedhjes së presidentit, pati deklaruar votën kundër për kandidatët që nuk merrnin konsensusin e të gjitha palëve.
Pas përfundimit të procesit të votimit, komisioni i votimit, i përbërë nga deputeti demokrat, Viktor Gumi, Arenca Trashani dhe deputeti socialist, Armando Subashi nis numërimin e fletëve. Komisioni konfirmoi 76 fletë votimi, 2 prej tyre bosh, praktikisht të pavlefshme dhe nga 74 votat e vlefshme 73 shkuan në favor të Bujar Nishanit President dhe vetëm 1 kundër.
Në përfundim të procesit, deputetët e mazhorancës uruan Bujar Nishanin për detyrën e tij të re, që do të nisë në ditët e fundit të korrikut, kur edhe përfundon mandati i presidentit Topi. Nishani do të jetë President i Republikës për mandatin 5-vjeçar, deri në vitin 2017-të.
Zoti Bujar Nishani ishte kandidatura e vetme në raundin e katërt të votimit për zgjedhjen e Presidentit. Ai u propozua gjatë pasdites së sotme, pas tërheqjes së Artan Hoxhës, i cili u largua nga gara pak minuta para se të niste votimi gjatë paradites.
Ai ishte një ndër katër emrat që maxhoranca propozoi një natë më parë në tryezën me liderin e opozitës. Zoti Nishani është tashmë Presidenti i gjashtë, i cili u zgjodh pa konsensusin e opozitës. Gjatë orëve të pasdites pati debate nëse kjo kandidaturë ishte apo jo kushtetuese, për shkak se ai mban detyrën e ministrit të Brendshëm.
Sipas disa konstitucionalistëve, zoti Nishani mund të quhej kandidat për president vetëm pasi të jepte dorëheqje si ministër dhe ajo të pranohej nga kreu i shtetit, Bamir Topi.
Ambasada e SHBA, uron Nishanin
Në mbrëmje vonë, e fundit ka reaguar ambasada e Shteteve të Bashkuara që në një deklaratë të shpërndarë shprehet se i përcjell urime të ngrohta Z. Bujar Nishani për zgjedhjen e tij sot si President i Republikës së Shqipërisë.
Në postin e tij aktual dhe ato të mëparshme qeveritare, Z. Nishani ka shërbyer në mënyrë të respektueshme dhe të përgëzueshme, si dhe ka bërë shumë për të çuar përpara marrëdhëniet e bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.
SHBA i urojnë suksese Z. Nishani dhe presin me kënaqësi të punojnë me të për të çuar përpara arritjet demokratike të fituara gjatë 21 viteve të shkuara.
Në veçanti, do të mbështesim përpjekjet e tij për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të ruajtur pavarësinë e institucioneve të Shqipërisë, dhe së bashku me partnerë të tjerë ndërkombëtarë, për të realizuar aspiratat legjitime të popullit shqiptar për ta parë vendin të marrë vendin që i takon si një anëtar i integruar plotësisht në bashkësinë Euro-Atlantike, thuhet në deklaratë.
Brukseli: Zgjedhja e presidentit, një katastrofë
Brukseli zyrtar është shprehur i zhgënjyer nga mënyra se si është zgjedhur presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë.
Ende nuk ka një reagim zyrtar nga Bashkimi Evropian, por burime konfidenciale kanë deklaruar se diplomatët e Unionit kishin pritshmëri më të mëdha për këtë proçes kaq të rëndësishëm.
“Zgjedhja e presidentit ishte një katastrofë për integrimin. Pritshmëritë e diplomatëve evropianë për proçesin ishin më të mëdha. Nuk u plotësua një nga kushtet për integrimin në BE”, kanë deklaruar burimet.
Urime nga Bamir Topi dhe Ettore Sequi
Ndonëse i sapozgjedhur, zoti Nishani është përshëndetur nga presidenti në ikje i Republikës, Bamir Topi i uroi suksese në detyrën e lartë të kreut të shtetit.
Ndërsa nga faktori ndërkombëtar, ambasadori i Bashkimit Evropian, Ettore Sequi i ka uruar atij punë të mbarë në këtë detyrë të rëndësishme.
“Roli i presidentit në konsolidimin e pavarësisë së institucioneve shtetërore dhe për të ndihmuar vendin në bashkimin e përpjekeve, do të jetë me rëndësi vendimtare për Shqipërinë, për të përballuar me sukses sfidat e saj drejt Bashkimit Europian”, thuhet në një deklaratë për shtyp.
OSBE përshëndet zgjedhjen e Presidentit të ri
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Eugen Wollfarth, mirëpriti zgjedhjen e Bujar Nishanit në postin e Presidentit të Shqipërisë.
“Zgjedhja e z. Nishani si president i ardhshëm i Shqipërisë është lajm i mirë. Ne e çmojmë punën e vendosur të ministrit për shtetin e së drejtës, në projekte të shumta me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri”, deklaroi Wollfarth.
“Unë jam i bindur se dija e tij e thellë dhe përvoja e gjerë do të bëjnë që ai t’i shërbejë vendit të tij në mënyrën më konstruktive”, vijoi ambasadori.
Meta: Zgjedhja e Nishanit, tepër korrekte
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta e ka vlerësuar si “tepër korrekte” zgjedhjen e Bujar Nishanit si president të ri të Republikës dhe që sipas tij ka konfirmuar konsolidimin e mazhorancës qeverisëse.
“Ka qënë një zgjedhje tepër korrekte. Maxhoranca ka treguar që është tepër solide. Proçesi ka qenë transparent si asnjëherë tjetër, vullneti ynë për konsensus ka qënë i jashtëzakonshëm dhe përpjekjet tona kanë qenë të jashtëzakonshme”, ka deklaruar Meta.
Meta ka shprehur keqardhjen e tij që personalitete të shquara jashtë politikës, të cilat u kërkuan për t’i shërbyer shtetit, u shantazhuan, u sulmuan në mënyrë të padrejtë e të pandershme dhe u paragjykuan.
“Ndaj edhe kjo garë në fund të fundit u kthye brënda politikës dhe absolutisht që sot kemi zgjedhur një koleg tepër të nderuar sikurse është zoti Nishani”, ka vlerësuar Meta, i cili ka shtuar se edhe opozita duhet të jetë e kënaqur.
“Mendoj që edhe opozita duhet të jetë e kënaqur për arsye se është një nga ministrat që ka qënë më konstruktiv dhe më bashkëpunues në marrëdhëniet me opozitën. Absolutisht ky proçes nuk ka përse të bëhet pengesë për marrjen e statusit të vendit kandidat”, ka shtuar Meta.
Nano uron Nishanin
Në deklaratën post-zgjedhjes së Bujar Nishanit, ish-kryeministri dhe ish-kandidati i vetëofruar për president, Fatos Nano theksonte se sot më shumë se kurrë shqiptarët kanë nevojë të bashkohen e presidenti i ri Bujar Nishani, sipas tij më tepër se kurrë duhet të simbolizojë unitetin kombëtar.
Me këtë rast ish-kryeministri Fatos Nano i ka shprehur urimet zotit Nishani duke vlerësuar në të njëjtën kohë procesin e votimit në Kuvend që sipas tij ka qenë plotësisht transparent. Në përfundim të deklaratës, thuhet se Levizja Nano e konsideron të mbyllur misionin e saj dhe se për më tutje do të njoftohet gjithcka tjetër.
Profili i Bujar Nishanit
Presidenti i sapozgjedhur i Republikes, Bujar Nishani eshte i datelindjes 29 shtator 1966. Zoti Nishani i lindur ne Durres, ka perfunduar studimet e larta ne Akademine Ushatarake “Skenderbej”.
Ai perfundoi studimet pasuniversitare ne Shtetet e Bashkuara te Amerikes ne vitin 1996, dhe nga viti 2000 deri ne vitin 2004 perfundon studimet ne Fakultetin e Drejtesise ne Tirane, ku diplomohet si jurist. Ne CV e tij arsimore perfshihet edhe titulli master per studime europiane.
Veprimtaria e tij profesionale daton ne vitin 1988, si pedagog i Akademise Ushtarake Skenderbej, ne vitin 1993, si specialist i marredhenieve me jashte ne Ministrine e Mbrojtjes, ne 1994 si specialist i marredhenieve me NATO-n ne Ministrine e Jashtme, per t’u rikthyer serish nje vit me vone si drejtues ne kabinetin e ministrit te Mbrojtjes.
Pas vitit 1997, ai ka qene i lire ne profesionin e tij, deri ne mars te vitit 2007, kur emerohet minister i Brendshem, Dy vjet me pas si minister i Drejtesise, dhe rikthehet ne kete post, ne vitin 2011.
Qe nga viti 1991 e deri me sot eshte anetar i Partise Demokratike, duke qene anetar i kryesise se PD-se, si edhe anetar i Keshillit Kombetar te kesaj partie. Zoti Nishani eshte i martuar me zonjen Odeta, si edhe ka dy femije, nje djale dhe nje vajze. /TCH/