Pllaka përkujtimore e Prëtash Shabës – nga Dr. Lukë Gjokaj

pretash_shaba_pllaka_perkujtimoreNga Dr. Lukë Gjokaj

(Nga fjala e mbajtur me këtë rast)

Është nderë dhe privilegj të flasim në evenimente të këtilla si këtu dhe të kujtojmë heronjtë, trimat dhe burrat kreshnikë të krahinave tona: si sot Prëtash Shabën me vëllezër të tij Zefin, Dedën dhe Ujkën. Është e madhe dhe meritore ti kujtojmë këta luftëtarë dhe ngjarjet e mëdha që bënë kthesë në histori tonë, veçanërisht sivjet në këtë vit Jubilar, në 100 vjetorin i pavarësisë së popullit shqiptar. Këtë vit, të gjithë shqiptarë kudo që janë e festojnë këtë Jubile me krenari dhe pietetin më të lartë si a kurrë në historinë e tyre.

Për të dëbuar pushtuesin shekullorë nga trojet tona, askush dhe asnjë krahinë nuk sakrifikojë më shumë se sa Koja dhe Malësia në Kryengritjen e saj të vitit 1911, prandaj është krejtësisht e natyrshme që sivjet ti kujtojmë heronjtë dhe luftëtarët e kësaj lufte të përgjakshme, por të drejtë dhe të pastër nacionale. Sot këtu, me rastin e inaugurimit të kësaj Pllake Përkujtimore, sjellim ndërmend dhe kujtojmë jo vetëm Prëtash Shabën dhe vëllezërit e tij, fitimtarë në këto beteja, por edhe trimat e burrat tjerë të Kojës e Malësisë si Prëtash Zekën, Bardha Mirin, Mirash Lucën, e shumë të tjerë me në ballë Ded Gjo Lulin, emri i të cilëve është i shkruar në altarin e krenarisë kombëtare.

Prëtash Shaba (1869-1944), burrë i malit të Kojës dhe fisit Gorvokaj, fis që mbijetoi shekuj e rrebeshe të historisë duke qëndrua stoik dhe i palëkundur në traditat e veta kombëtare e kulturore. Pikërisht ky vend, ku tani jemi ne – është një cep i Arbërisë i quajtur Radani, dhe në shënimet historike përmendet që nga viti 1479, do të thotë fill pas vdekjes së Gjergj Kastriotit –Skënderbeut dhe pushtimit Osman. Për këtë vend, historiani Selami Pulaha nxjerr jo vetëm numrin e shtëpive por edhe emrin e kryefamiljarëve të atëhershëm. Nga kjo kohë emri i Kojës dhe i fiseve të saj Gorvokaj, Nucullaj etj. ka vazhdua të rritet e të shtohet me lavdi e krenari gjatë gjithë shekujve në vijim.

Këto ditë ka ardhur në shqip një libër që është shkrua pikërisht, aso kohe, gjatë rrethimit të Shkodrës, të Krujës e qyteteve tjera dhe kur populli i Arbrit ra në robërinë Osmane. U shkrua nga dora e personit që ishte prezent në këto beteja – Tursum bej. Edhe sot kur i lexojmë dhe mësojmë ato tmerre lufte e krime të asaj kohe, të rrëqethet trupi, por njëkohësisht qëndresa heroike e shqiptarëve, të cilën e pranon edhe vetë armiku, të bënë të ndihesh krenar dhe të joshë me atdhetarizëm. Ato rrethime të ushtrisë Osmane i shpërthyen e dolën jashtë shumë trima e familje arbërore që pastaj u strehuan në këto male përreth Shkodrës duke pritur momentin për të çliruar qytetin. Por, forca ushtarake dhe koha e bërën të vetën dhe shekujt kaluan, kurse ata duke u trashëguar djalë-pas-djali vazhduan të jetojnë në këto male, nga të cilët u krijuan shumë fise të Malësisë. Shumë nga ne edhe sot, sipas gjenealogjisë, dinë të mbërrijnë deri në këtë kohë. Një robëri e tillë nënshtruese në krahinat tona, vazhdoi brez-pas-brezi 500 vite me radhë, deri në fillim të shekullit XX, deri kur gjyshat tonë rrokën armët dhe u çuan në kryengritje e luftë për liri pa dallim krahine e vendi.

Kësaj radhe, në Kryengritjen e Malësisë, luftëtarët e Kojës: Prëtash Shaba e të tjerët, nuk ishin si luftëtarë të rëndomtë dhe vetëm për të plotësuar numrin, por kishin edhe merita tjera, meqë ishin edhe vullnetarë në kuptimin e plotë moral. Kjo nga se Koja e disa krahina tjera të Malësisë i ndante kufiri i Malit të Zi që nga viti 1878, megjithatë këtë ndarje ata nuk e ndienin, por gjithmonë ishin një zemër e një trup me pjesët tjera të Malësisë dhe të Arbërisë.

Pikërisht, këtu ka ardhur në shprehje trimëria dhe guximi i Prëtash Shabës me vëllezër e shokët e tij, sepse derisa të tjerët diskutonin për mundësit e organizimit, apo arsyen e futjes në luftë, ai me padurim ju drejtua eprorit të tij Ded Preçit tue i thanë:” Unë me tre vëllezërit e mijë: Zefin, Dedën dhe Ujkën jemi gati për sulm dhe të gjallë nuk kthehemi prej Deçiqit pa marr llogoren atje”. Ishin këto vendime të mëdha dhe fjalë moralizuese jo veç për eprorin, por për të gjithë luftëtarët, të cilët fill pas këtij Kuvendi u vunë në marshim drejt cakut të tyre- kalas në maje të Deçiqit.

At mëngjes kur kojasit filluan sulmin, ishte ditë e Enjte e 6 prillit të vitit 1911. Ishte me shi e mjegull dhe çetave malësore nuk u shkonte në favor. Pas disa orë luftimesh, çeta lindore e tyre u përgjysmua nga plumbat dhe predhat e ushtrisë osmane, e cila në numër ishte shumë më e madhe dhe e fortifikuar në llogore të Deçiqit. Për një kohë të shkurtër u flijuan dhe ranë për tokë: Marash Luca, Cakë Uci, Gjeto Gjeka, Tomë Uci, Gjeto Toma, Dokë Preçi e Kolë Doka.

Prëtash Shabi dhe luftëtarët tjerë, kur panë se u ranë bashkëluftëtarët e tyre, në vend se të dëshpërohen dhe të tërhiqen, ata u tërbuan dhe vërsuljen e tyre s’kishte kush ta ndalte. Sulmi ishte aq i tmerrshëm sa ushtarët e armikut kur mbetnin pa municion, ma parë hidheshin në ambis se dorëzoheshin. Në këtë sulm kaq të furishëm Malësorët për herë të parë e grabiten flamuri i perandorisë Osmane. Ishte kjo emblemë nën të cilën, malësorët në shekuj me mburrje e krenari shkonin në luftëra e beteja të jepnin jetën, por edhe të fitojnë famë e lëvdata (si në kohën e dinastisë së Bushatlive), mirëpo tash u ishte bërë gjak para syve. Zog Gjoni Ivanaj ishte i pari që rrëmbeu këtë flamur dhe ua dorëzojë shokëve, të cilët si trofe lufte e bartën dorë më dorë derisa mbaroi sulmi dhe pastaj, at e çuan në Kojë. Atje, në shenjë ngadhënjimi mbi armikun e bartën nga shtëpia në shtëpi shumë vite me radhë (deri me ardhjen e Austro-Hungarisë) dhe pastaj u zhduk. Ishte kjo fitore e lavdishme, por edhe tepër e përgjakshme.

Ditë e vite më vonë emri dhe trimëria e të rënëve për liri u ngritë deri në kupë të qiellit nga lavdia dhe mburrja për atdhetarizëm. Dhe derisa gazetat Botërore më në zë si: New York Times, La Stampa, Indipendent etj. shkruanin dhe bënin alarm për luftën çlirimtare të malësorëve, atje në Stamboll ministrat e perandorisë Osmane, kërkonin aleanca dhe miqësi me shtetet tjera për të shuar jehonën e kësaj Kryengritje.

Prëtash Shaba, i cili me trimërinë e tij u veçuar në çdo betejë që hyri, ishte jo vetëm luftëtar sy zjarr dhe guximtar, por në vete mbante një vrull e forcë të pashtershme atdhetare. Ai kishte ndjenja dhe intuitë për rrjedhat politike dhe ndarjet territoriale të kohës. Megjithatë, ai nuk lëvizte nga parimet e tij kombëtare dhe liridashëse, çdo fitore të Shkodrës dhe të Kelmendit ai dinte ta përgëzonte për fitore të vetën dhe të popullit të tij. Këto fitore të shqiptarëve si në luftë, si në diplomaci, Prëtashi gjithmonë i kremtonte me mburrje e bujë të madhe që ndiente e gjithë Koja dhe Kuçi.

Prëtash Shaba jo vetë se ishte trim në luftë, por ai ishte edhe burrë i urtë në kuvend e zot shtëpie shumë i suksesshëm në familje. Oxhaku i tij ishte në zë për gjë e mall dhe askush nuk kishte pasuri ma shumë se ai prej Cemit e deri në Moraç. Dhe si bujar e fisnik që ishte Prëtashi dinte të ndihmojë shokët në vështirësi dhe çdo kënd që i drejtohej për ndihmë. Bamirësia e tij gjatë zisë së bukës, në kohën e Austrisë përmendet edhe sot. Aso kohe, shtatë vite me radhë, Prëtashi shpenzoj pa ndarë nga pasuria e tij për të ndihmua kojasit të mbijetojnë këtë uri e skamje të mjerueshme.

Vetë mirësia e tij doli në dritë edhe sot këtu para nesh, dhe në shkëmbin që ai vetë e ngriti njëqind e sa vite më parë, kur punonin këtë rrugë për nevoja të vendit, pikërisht këtu, trashëgimtarët e tij tani e ngritën këtë Pllakë Përkujtimore që do ti përjetësoi trimërinë dhe veprat e bamirësisë së tij e të familjes në shekuj që do vijnë

Dr. Lukë Gjokaj – Kojë, 2012