12 Qershori, me germa të arta në historinë e kombit

Me rastin e 13-vjetorit të përfundimit të luftës dhe çlirimit të Kosovës, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i dërgoi një letër kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Në letrën dërguar Thaçit, kryeministri Berisha shkruan se “13 vjet më parë trupat e Aleancës së Atlantikut të Veriut, trupat e paqes, hynë si çlirimtare në Kosovën e martirizuar dhe i dhanë fund përgjithmonë sundimit e shtypjes shekullore serbe”.

“Dita e Paqes, 12 Qershori, do të mbetet në memorien historike të të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë si datë historike që mbylli kapitullin e sundimit barbar serb dhe kurorëzoi me sukses sakrificat mbinjerëzore të shqiptarëve të Kosovës në luftën e tyre legjendare për liri dinjitet dhe pavarësi. Kjo ditë e shënuar me germa të arta në historinë e kombit shqiptar hapi për qytetarët e Kosovës kapitullin e paqes, lirisë dhe, mbi të gjitha, të pavarësisë, duke shndërruar Kosovën në një shtet të pavarur e sovran të njohur nga 91 shtete të botës, ku të gjithë qytetarët e saj ndihen të lirë e të barabartë, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike”.

Sipas Berishës, në këto 13 vjet Kosova ka ndërtuar jetën e saj në paqe dhe harmoni me fqinjët, duke u shndërruar në një faktor paqeje e stabiliteti në Ballkan.

“Së shpejti i jepet fund procesit përmbyllës të pavarësisë së mbikëqyrur dhe Republika e Kosovës, shtet demokratik, sovran e i pavarur, do të ecë edhe më shpejt drejt anëtarësimit në organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe të zërë vendin e saj të merituar në familjen e madhe të Kombeve të Bashkuara”, thekson Berisha.

Kryeministri i Shqipërisë e garanton kryeministrin Thaçi se qeveria shqiptare është plotësisht e vendosur që marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe që ekzistojnë mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, të njohin zhvillime pozitive, duke u pasuruar e zhvilluar më tej në të gjitha fushat.

“Duke Ju uruar edhe një herë në këtë ditë historike, më lejoni zoti Kryeministër t’ju ritheksoj sigurimet e konsideratës time më të lartë”, thuhet në fund të letrës. /Telegrafi/