Spanja fituese e Euro 2012

Spanja është shpallur kampione e Evropës për herë të dytë në histori, pasi ka mposhtur Italinë në finalen e Euro 2012 me rezultat të thellë 4:0.

Para ndeshjes kemi parë një ceremoni hapëse prej 12 minutash, kurse më pas filloi takimi në një atmosferë të jashtëzakonshme në Stadiumin Olimpik të Kievit.

Ndeshja filloi me tempo të shpejtë, kurse dominues janë spanjollët. Rasti i parë u takoi pikërisht spanjollëve. Nga një aksion i mirë Fabregas e hapi Xavin, i cili për pak sa nuk shënoi një gol të bukur.

Dhe, pas pikërisht 14 minutash lojë, erdhi dhe goli i parë në këtë takim. Pas një aksioni fenomenal, nga brendësia e zonës bukur harkoi Cesc Fabregas, i cili shfrytëzoi gabimin e Chiellinit për ta shërbyer David Silvan, i cili me kokë realizoi për 1-0 (14’).

Ky ishte një shok i vërtet për italianët, të cilët tentuan të kthehen në takim, por pësuan një goditje tjetër kur Chiellini u largua për shkak të lëndimi dhe në lojë u fut Balzaretti.

Ky i jep gjallëri lojës. Italia shfaqet rrezikshëm me Cassanon nga afërsia me një goditje dhe Casillas më pas ishte heroi duke qenë më i shpejtë se Balotelli, i cili ishte pranë golit të barazimit.

Spanja nuk u zbraps dhe me kalimin e kohës po e shtronte dominimin, kurse italianët nuk ishin në ditën e tyre më të mirë.

Një pasim maestral të Xavit e shfrytëzoi më së miri Jordi Alba, i cili i iku grackës së ofsajdit për të realizuar për 2-0 dhe epërsinë e dyfishtë të Spanjës në këtë takim (41’).

Menjëherë pas këtij goli, italianët tentuan me anë të Montolivos të shënojnë një gol, por Casillas përsëri ishte në vend.

Me këtë rezultat përfundoi dhe pjesa e parë, kurse Spanja është më pranë se kurrë historisë, më pranë se kurrë rekordit.

Pjesa e dytë – Cesare Prandelli largon nga loja Antonio Cassanon për të futur në lojë Antonio Di Natalen.

Loja e Italisë fillon të gjallërohet dhe për t’i dhënë përparësi Pirlos në sulm, Prandelli futi në lojë Thiago Mottan, që u tregua të jetë zëvëndësim i gabuar. Kjo pasi, Thiago Motta me t’u futur në lojë lëndohet, dhe Italia tashmë i kishte kryer tri zëvëndësime. Kështu, gjysmë ore Italia luajti me një lojtar më pak në terren.

Kjo ua mundësoi spanjollëve të luajnë si të duan dhe për Italinë mbaroi gjithçka.

Pas një pasimi të bukur të Xavit, Fernando Torres realizoi për 3-0 (84’), kurse në gol Spanjollët për 4-0 hynë me anë të Juan Mattas, të cilit iu deshën dy minuta në evropian për të realizuar gol (88’).

Ndeshja mbaroi me rezultat 4-0, ndërsa për italianët, ky ishte fundi më i hidhur i mundshëm pas kampionatit sensacional të shfaqur, duke mposhtur disa prej superfuqive evropiane.

Vlen të përmendet se Spanja është ekipi i parë në histori të futbollit që ka arritur të fitojë tri kompeticione të mëdha radhazi (Euro 2008, Botërori 2010, Euro 2012), kurse Torres bëhet lojtari i parë në histori të futbollit që arrin të shënojë gol në dy finalë të një evropiani. Iker Casillas bëhet lojtari i parë në histori të futbollit që arrin 100 fitore me kombëtaren e tij. /Telegrafi/