Mbyllet Festivali i Kishes Katolike të Shën Palit

Pavarësia e Amerikes festohet prej vitesh si një festival tre e më shumë ditor ne Qendrën e Shën Palit. Këtë vit, ky Festival zgjati pothuajse katër net. “ Për të ardhur deri te Festivali,- thotë Kanto Dushaj, njëri nga inicuesit e tij, – nuk ka qënë e lehtë. Kur ishin në Warren, qytetarët bën  shumë herë fjalë, sikur ne u prishnim qetësinë, ndaj edhe në bashkinë e këtij qyteti nuk e patem të lehtë të merrnim premitin ( lejen) për këtë aktivitet. Me Mark Prelen Gjokaj, – vazhdon Kantoja, – jemi përplasur shpeshë herë me lejedhënësit, deri sa na asht dashur t’i bindim, se ne po gëzonim festen e tyre dhe, duhet të na bënin një favor.” Netët, njëra pas tjetrës erdhen deri të data katër, mbrëmja e fundit, ku edhe kishte një program disi ndryshe nga netët e tjera. Valltarët e rinj,  përgaditur mjeshtërisht nga Jola Paparisto, do ta çelnin këtë mbrëmje, që për nga pjesëmarrja aq masive do të ishte rekord, edhe pse  qielli paralajmëronte shi. Më shumë se dy mijë veta u drejtuan në këtë Qendër. Këtu takuam  aktivistin e njohur Julian Çefa, Vasel Ujkaj, Gjekë Sinishtaj, Nikollë Vneshtaj e shumë e shumë të tjerë, që për vite me radhë e ndihmuan këtë festival.

Fillimisht, mbrëmjen e përshëndeti Famullitari i kësaj Qendre Don Fran Kola, i cili ia jep fjalën bashkëkryetarit të Komisionit Organizativ për festimet e 100 vjetorit të Pavarësisë, Nevruz Nazarko për të  çelur kohën festive  të kësaj ngjarje historike. Me një përshëndetje model, koncize dhe të menduar, ai u tha të pranishmeve të shumtë , që “… me sot, zyrtarisht njihet fillimi festiv i këtij Jubileu të madh. Në një vend si Qendra e Shën Palit, është nder,- vijoi folësi,- të deklarojmë fillimin e këtij  Jubileu dhe pikërisht me 04 Korrrik, ditën e Pavarësisë së Amerikës.” Programin argëtues do e drejtonte Lindon Gjelaj, këngëtar i njohur në Komunitetin Shqiptar të Detroitit. Por, si edhe në netët e mëparshme, i pranishëm do të ishte edhe këngëtari tjetër, Rrok Gjelaj, i cili e ndihmoi këtë Qendër në argëtimin e pjesëmarrësve.

Po këtu takohemi me poetin Gjovalin Lumaj, me artistin e fjalës Ndue Gjekaj, me regjizorin  Agim Agalliu, Kryetarin e  Shoqates Panshqiptare “ Vatra”, Dega Detroit, “Pishtarin e Demokracisë” Alfons Grishaj, aktivistët Gjergj Ivezaj, kryetar i Shoqatës Atdhetare “Malësia e Madhe”, Ndue Ivanaj – Kryetar i Lidhjes së Intelektualve, kryetarin e Shoqatës “ Dukagjini” Nikolin Shyti dhe sekretarin Luvigj Stërbyçi, Dr. Gjekë Gjelaj, që sapo kishte dalë nga takimi i komisionit organizativ për 100 vjetorin e Pavarësisë, e takojmë po këtu.

Dy ditë më parë, këtu e takuam edhe Dom Lush Gjergjin, ardhur nga Kosova në Ditëlindjen e kësaj Qendre. Diku në një bisedë me të pranishëm, na bie në sy gazetari Zef Pergega e shumë e shumë të tjerë pjesëmarrës në këtë aktivitet, sa çlodhës aq dhe edukativ, në një mjedis krejtësisht shqiptar, duke filluar nga tingujt që i sillte Studio “ Malësia”, nëpërmjet programeve të reja muzikore e, duke përfunduar tek veshjet simbolizuese kombëtare.

Në mjediset e këtij festivali do e takonim edhe Don Ndue Gjergjin e gjithë stafin e Kishës “ Zoja Pajtore” si dhe sapo të mbrriturn nga trojet shqiptare, Don Robert Kolen.

Po këtu do takohemi me kandidatin për në Kongresin Amerikan John Goci, i cili këtë vit po provon të ngjis këto shkallë që, edhe për shqiptarët do të ishte nder të kishte një kongresmen shqiptar. Johni njofton miqtë, që po në këtë Qendër, ditën e dielë, më datën 8 Korrik, në orën 6:00 Pm do ketë një  fundraiser në ndihmë të tij.

Ushqimet e traditës shqiptare, shoqëruar edhe me lojra të ndryshme për fëmijë e të rritur e bënë  Festivalin, jo vetëm të larmishëm, por edhe shumë të pëlqyeshëm dhe mbresëlënës.

Edhe pse po afrohej mesanata e 4 Korrikut, të rinjët në kor, në pisten e vallëzimit thirrnin me një zë “ Edhe një!” Edhe një këngë kërkonin, që të vallëzoni edhe më gjatë. Deri në mëngjes po t’i linje , do të kërcenin, pa e ndjerë lodhjen, falë atmosferës aq festive që ishte krijuar. Por, rregulli i këtij aktiviteti nuk e kishte lejen për më shumë. Kryetari Këshillit të Kishës, Kolë Gjokaj, edhe pse i lodhur, ndjehet tepër i kënaqur me aktivitetin, njëri nga aktivistët e kësaj Qendre, i njohuri Rrok Junçaj do të thirrte një nga një fituesit e llotarisë së kësaj mbrëmje, ndërsa të tjerë, sistemoni hyrjen dhe daljen e makinave, pa pasur asnjë pengesë në levizjet e lira në mjedise që, edhe pse të gjëra, për një aktivitet të tillë, duken tepër të ngushta.

Nuk mbetet gjë tjetër, veç të themi:  “ Mirupafshim në Festivalin e vitit 2013!”

Pjetër Jaku