Në zgjedhjet e ardhshme,vetëm me frontin e përbashkët të subjekteve politike shqiptare mund të arrihet rezultati i dëshiruar për shqiptarët
Me rastin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, të cilat janë të parashikuara të mbahen në vjeshtë të këtij viti, është paralajmëruar formimi i të ashtuquajturit “front i përbashët demokratik ” i partive opozitare në Mal të Zi. Me këte rast, siç u njoftua nga mediumet, disa nga subjektet politike shqiptare po shqyrtojnë mundësinë e inkuadrimit të tyre dhe mbështetjen për këte inicijativë të opozitës malazeze. Gjithashtu inicijativa në fjalë ka ndikuar në ndarjen e qëndrimeve në mesin e përfaqësuesve të subjekteve politike shqiptare në aspektin e përkrahjes apo mospërkrahjes së tyre ndaj Frontit të lartëpërmendur.
Inicijativa të ngjajshme të ndërmarra nga opozita ka pasur edhe në të kaluarën dhe shpeshëherë elementi shqiptar është shfrytëzuar për “larje hesapesh” në mes atyre që dëshirojnë të mbajnë pushtetin dhe atyre që aspirojnë t’a marrin këtë pushtet. Kuptohet që shqiptarëve në Mal të ZI iu intereson se kush do të udhëheq me pushtetin qendror në Podgoricë, por nëse nuk ka dallim apo ka pak dallim në politikën që udhëhiqet ndaj shqiptarëve,si nga ana e atyre që janë në pushtet por edhe nga ana e atyre që pretendojnë të vijnë në pushtet,atëherë seriozisht vihet në dyshim përkrahja tyre.
Qëllimi dhe përqendrimi i vazhdueshëm i shqiptarëve ështe avancimi i të drejtave të tyre kombëtare dhe përmirësimi i statusit të tyre të diskriminuar që ato përjetojnë sot në shumë sfera të jetës shoqërore në shtetin e Malit të Zi.
A mund të arrihet kjo brenda një spektri politik malazez? Unë mendoj se jo.
Nga e kaluara kemi mësuar se as pozita dhe as opozita malazeze nuk kanë treguar gatishmëri serioze ,deri më tani ,për realizimin e të drejtave legjitime të shqiptarëve, por përkundrazi ,këto parti ( si në pushtet ashtu edhe në opozitë) janë munduar që të shfrytëzojnë faktorin politik shqiptar për qëllimet dhe agjendat e veta politike.Derisa partia në pushtet (PDS) ka aprovuar dhe aprovon ligje diskriminuese ndaj shqiptarëve në Kuvendin e Malit të Zi, opozita jo vetëm që nuk reagon dhe hesht,por ajo shpeshëherë i bashkangjitet dhe i mbështet qendrimet e pozitës .Pra, ajo çka është e përbashkët për pozitën dhe opozitën malazeze, është margjinalizimi i vazhdueshëm i shqiptarëve.
Koha tashmë e ka dëshmuar se sa herë që shqiptarët kanë shfaqur përkrahjen e tyre dhe mbështejen ndaj subjekteve apo kualicioneve të të dy anëve të spektrit politik malazez, asnjëherë nuk iu është rikthyer shërbimi. Atëherë vetvehtiu bëhet pyetja se përse dhe me çfarë motivi shqiptarët duhet të përkrahin inicijativa, fronte, aleanca apo kualicione të tilla të cilat nuk shkojnë në favor të interesave të shqiptarëve në Mal të Zi. Aq më tepër kur fronti i tanishëm opozitar në Mal të Zi është paralajmëruar se do të udhëhiqet nga politikanë që kanë përkrahur politikën serbo-madhe dhe ultra-nacionalizmin sllav.
Është tepër imperativ që faktori politik shqiptar,respektivisht sukjektet politike që përbëjnë ate, të formojnë frontin e tyre të përbashkët dhe të veçantë opozitar i cili me një agjendë të qartë të dalin në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
S’ka dyshim se edhe kësaj rradhe,ashtu si edhe në zgjedhjet e mëparshme sfidë kryesore e faktorit politik shqiptar do të jetë formimi i një kualicioni të përbashkët parazgjedhor.Nga kjo përspektivë, zgjedhjet e ardhshme do të vërtetojnë ,edhe një herë , se sa është vetëdijsuar apo ndërgjegjësuar faktori politik shqiptar ,si dhe në ç’masë është arritur të kuptohet nocioni, se pa një unifikim të mirëfilltë të trupit të tyre votues, vështirë mund të arrihet suksesi i dëshiruar elektoral,respektivisht përfaqësimi maksimal i shqiptarëve në Parlamentin e Malit të Zi.Duke pasur parasysh ndryshimet e fundit të Ligjit Zgjedhor ( që është në disfavor të shqiptarëve) si dhe rritjen e numrit të partive politike shqiptare, nga zgjedhjet e kaluara,( që nënkupton kristalizimin e mëtëtejshëm të votës së shqiptarëve),atëherë nuk mbetet alternativë tjetër përveç asaj të bashkimit të forcave politike dhe formimit të një koalicioni të përbashkët apo së paku një kualicion të pjesërishëm, si ndoshta opcion i vetëm i të mbijetuarit politik të shqiptarëve në Mal të Zi.
Xheladin Zeneli