A po bashkohet opozita malazeze me shqiptarë

Shkruan: Shaban Peraj

Tash e një muaj në Mal të Zi është hedhur mendimi për bashkim të opozitës e cila do duhej të angazhohet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat mendohet të mbahen në gjysmën e parë të tetorit, për të rrëzuar nga pushteti partinë e Millo Gjukanoviqit e të Ranko Krivokapiqit. Fushata e menduar do të udhëhiqet nga ish ambasadori i Jugosllavisë, (Serbi-Mali i Zi) z. Miodrag Lekiq.

Këtij personi i është besuar timoni nga një pjesë e opozitës malazeze, gjoja për të nxjerrë vendin nga kriza e krijuar politike e ekonomike. Që në fillim duket qartë se opozita malazeze, po edhe disa subjekte politike shqiptare, duke e parë këtë si të vetmen zgjidhje në këto momente duan të justifikojnë vetën me manevrime politike pasi tashmë e kanë të qartë se nuk janë askund. Këta aktorë politik përdorin gjithfarë makinerishë politike për të gjetur rrugëdalje se si të jetojnë akoma në piramidën politike malazeze! Një ide e tillë tashmë duket tërheqëse edhe për një pjesë të deputetëve shqiptarë, si z. Sinishtaj e z. Bardhi, të cilët me deklaratat e tyre lënë mundësi për një front të përbaskët, edhepse kanë medimet e tyre karshi opozitës malazeze, kurse për dy deputetët tjerë, z. Nimanbegu e z. Zenka, një ide e tillë nuk paraqet ndonjë risi dhe nuk është zgjidhje për komunitetin shqiptarë në trojet e veta etnike. Edhe ish lideri i Lidhjes Liberale në Mal të Zi, z. Sllavko Peroviq thotë se një mendim i tillë është më tepër maketing politik, çka e bënë të fuqishëm ndikimin në politikë të Millo Gjukanoviqit, duke pasur parasysh se një person si z. Lekiq i cili ishte “ambasador shpirtëror i Millosheviqit” nuk bënë asgjë tjetër veçse vënë opozitën nën kontrollin e Gjukanoviqit.  Këtë e bënë më të besueshëm edhe fakti se përmes bashkimit të opozitës dhe formimit të partive të reja malazeze po tentohet të shkapërderdhën akoma më shumë votat proserbe pasi fakt është se votuesit e Gjukanoviqit kanë një mekanizëm unik dhe të kontrolluar mirë gjë që veshtirë të manipulohet me ta.

Ajo që të bënë përshtypje është fakti se si është e mundur të veprojnë kështu prijësit e partive politike shqiptare në Mal të Zi, nëse më parë nuk japin ndonjë vizion se si duhet të vazhdojnë të gjithë së bashku me një platformë të përbashkët politike, ku në qendër të vëmendjes do të ishte pozita e shqiptarëve në trojet e veta etnike. Të analizosh sjelljet e tyre nuk është asgjë tjetër vetëm qëndrim i tyre në parlamentin malazez pa menduar fare për alternativa që do të shkonin në dobi të popullatës së këtushme. Kësaj radhe duket se do ta kenë shumë vështirë pasi ligji zgjedhor nuk ua jepë shansin për të qenë komodë e për të bërë taktizime. Kuptohet që politika është “luftë” për të qendruar në pushtet, por kjo “luftë” duhet të ketë rregula të caktuara, gjë që për momentin mungojnë te subjektet politike shqiptare në Mal të Zi. Ata së pari për të kënaqur vetën duhet të ngrihen mbi interesat personale nëse duan të mbajnë postet e tyre, duhet ta mbajnë pastër botën e tyre politike nga të gjitha llojet e sjelljeve nëse duan të jenë shembull për të tjerët. Për momentin kjo u mungon, ndaj mesazhet që ofrojnë në masë janë kontadiktore dhe të pamenduara mirë, gjë që zgjojnë emocione në shpirtërat e votuesve dhe lënë mbresa të këqija. Nëse nuk përpiqen vazhdimisht për të plotësuar interesat e përgjithshme të shqiptarëve, e nëse atyre nuk u shtrijnë dorën e pajtimit kanë për të hasur në kundërshtim e kanë për të mbetur si të huaj! Ndaj ata që do duhej të vedosin rregulla kërkohet të përballojnë sfida të reja, dhe këto sfida duhet bërë në emër të një fronti të përbashkët të të gjithë subjekteve politike shqiptare në Mal të Zi. Është e drejt e tyre për të kërkuar mënyra se si mund të qëndrojnë në parlamentin malazez, por opinionin mbi njerëzit, në këtë rast votuesit, duhet formuar  sipas asaj se kush është sundues te ta: e mira apo e keqja. Ata kanë rastin të pëzëjnë dëshirat personale për të dëshmunar se janë me popullin, se kanë dëshirë të hapin rrugë të reja, ndryshe nuk kanë pse të pretendojnë të kundërten e kësaj, çka do të thotë të bësh sikur s’di gjë për këta elementë jetësor si garantë të qenies sonë gjer më sot.