Opsion edhe bojkotimi i zgjedhjeve
Përfaqësuesit e partive shqiptare dje në Ulqin filluan negociatat për një pjesëmarrje të mundshme të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme, pasi, siç u tha në takim, ligji aktual zgjedhor ka shfuqizuar mandatet e garantuara për shqiptarët, ligj i cili është kundrejt standardeve evropiane, njofton e përditshmja Vijesti.
Iniciatori i mbledhjes, kryetari i LDMZ-së Mehmet Bardhi, pas takimit, tha se kanë paraqitur dy variante, kryesisht të pranueshme për të gjithë pjesëmarrësit.
“Njëra është që partitë shqiptare në zgjedhjet e ardhshme të dalin të bashkuara në më së shumti dy grupe/koalicione. Kurse variantin tjetër e kam iniciuar vetë, për shkak të ligjeve diskriminuese, të bojkotohen zgjedhjet nga të gjitha partitë politike shqiptare”, tha Bardhi.
Ai theksoi, se të gjithë pjesëmarrësit e takimit u pajtuan se duhet të ndërmerret diçka “, sepse shumica ortodokse malazezo-serbe kaloi një akt që diskriminon të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi.”
Gjatë takimit të pranishmeve iu lexua letra përkrahëse e pesë shoqatave shqiptare që veprojnë në SHBA.
Përfaqësuesi i UDSH-së, Beqir Zatoviq ka mbështetur nismën, por gjithashtu kujtoi se një listë e përbashkët në të kaluarën nuk kanë dhënë rezultate të mira.
“Kur shqiptarët kemi dalë në zgjedhje së bashku në vitin 2002 dhe 2006, kemi fituar më së pakut vota,” tha ai.
Në takim, përveç Bardhit dha Zatoviqit, morën pjesë: Genci Nimanbegu i Forcës, Vasel Sinishtaj i Iniciativës Qytetare, Ali Doda i BDSH-së, Nikollë Camaj i LD në MZ dhe Gjergj Camaj i Alternativës Shqiptare. Sipas Vijestit, në takim nuk ka qenë is deputeti I Perspektivës Amir Hollaj dhe Fatmir Gjeka i PD-së. Sipas Bardhit, Gjekën e ka përfaqësuar Gjergj Camaj nga ASH.
Nga kjo mbledhje gjithashtu u pajtuan se bisedimet duhet të vazhdojnë. /Malesia.Org/