Tubimi tradicional popullor “Mirë se vini në Alpet Shqiptare Vuthaj 2012”

Ditën e parë të muajit gusht, tashmë është bërë tradicionale, që në Vuthaj – Guci, të organizohet tubimi tradicional popullor “Mirë se vini në Alpet Shqiptare”.  Këtë manifestim gjithëpopullor-gjithëshqiptar e organizon Shoqata “Alpet shqiptare”,  kurse sponsorizues ishin Lidhja Demokratike në Mal të Zi dhe Alternativa Shqiptare.  Siç njoftojnë organizatoret në tubim ishin shumë pjesëmarrës nga të gjitha trevat shqiptare, por duhet të veçohet se përpos dashamirësve të shumtë të këtij manifestimi, nga të gjitha trevat shqiptare të Ballkanit, prezent ishte edhe Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe deputeti Florin Krasniqi, nga radhët e Aleancës për Ardhmëri e Kosovës të Ramush Haradinaj, prezent  ishte Kryetari i Komunës Rahovecit Smail Latifi, si dhe shumë persona tjerë të niveleve të larta. Përpos dashamirësve të shumtë të këtij manifestimi, nga të gjitha trevat shqiptare të Ballkanit, prezent ishin edhe kryetari i Lidhjes demokratike z. Mehmet Bardhi, kryetari i LD-Dega e Malësisë Nikollë Camaj, Sekretari i përgjithshëm i LD-së Saubih Mehmeti, Kryetari i Degës Ulqinit Hajro Hajdari, Sekretari i Degës së Malësisë Ivan Ivanaj etj. Manifestimi ishte i gërshetuar me pika muzikore e humoristike si edhe me lojëra tradicionale dhe sportive. Pas programit artistik u zhvilluan ndeshjet futbollistike, garat me kuaj dhe hedhja e gurit.
Në fjalët hyrëse u tha se me këtë manifestim, shqiptarët e Plavë-Gucisë po mundohen që të ruajnë dhe të kultivojnë, brez pas brezit, gjuhën, zakonet, traditat si dhe traishigimin kulturo-artistike që nga lashtësia e deri me sot.
Ndër të tjerat u tha: ’’Është kënaqësi dhe privilegj që jemi mbledhur sot këtu jo vetëm për të festuar një Gushtin festën tonë ,por në të njëjtën kohë edhe njëqind vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë .Me krenari jemi mbledhur për të lartësuar ngjarjen e shpalljes së pavarësisë në Vlorë me 1912 që është ngritja e parë e flamurit kombëtarë në trojet shqiptare që prej kohës së heroit Gjergj Kastriot Skenderbeut. Ngritja e flamurit u bë simbol i bashkimit të kombit shqiptare dhe i tregoi botës se shqiptarët kishin një atdhe që donte liri dhe dëshironte dritë për të dalë nga errësira shekullore e robërisë. Trimëria dhe vendosmëria e patrioteve të kombit siç ishin Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Ded Gjo Luli, Hasan Prishtina , Isa Boletini, ndaj avancimit të kauzës për liri dhe pavarësi kombëtare janë arritjet të cilat në mënyrën e tyre unike , kanë kontribuar dhe vazhdojnë të frymëzojnë dhe të kontribuojnë në formimin e ndërgjegjes dhe të zhvillimit kombëtarë edhe sot.
Pra njëqind vjetori i pavarësisë është një rast për të nderuar lumin e gjakut të derdhur për liri e pavarësi .

Pra edhe krahina e Plavës dhe Gucisë e cila shtrihet rrëzë Alpeve Shqiptare është trevë e ndarë fizikisht nga trevat tjera shqiptare por jo nga mendja dhe zemra e vendasve.
Edhe kjo trevë ka luajtur një rol të madh dhe ka dhëne një kontribut të çmuar në çështjen kombëtare. Ndonëse e ndarë ajo qëndroi në këmbe dhe asnjëherë nuk u përkul përpara vështirësive të cilat ishin të shumta. Ajo nga të gjitha anët ishte e rrethuar nga gjarpërinjtë që përpiqeshin ta helmonin dhe ta gllabëronin sa më parë. Krenare dhe e pathyer qëndron në fortesën e saj duke ruajtur gjuhën, traditën,kulturën si dhe zakonet. Këto karakteristika e kanë shoqërua breza me radhë. Ka një rini të shendosh dhe të arsimuar në gjuhën amtare . Por një problem që vazhdon të rritet dita ditës është emigrimi. Është në dorën tonë që ta pengojmë këtë fenomen të vazhdojmë rrugën që kemi trasuar dhe të punojmë ne vendin tonë, të kërkojmë të drejtat tona të cilat i kemi të cunguara , të jemi të barabartë me ҫdo qytetar tjetër pa ka kombësia. Të mos bëjmë kompromise me askënd që dëmtojnë interesat tona. Sepse këtu është shtëpia jone ata që janë të tepërt nuk jemi ne. Të bashkojmë forcat të gjithë së bashku për ta mbajtur në këmbë dhe ta ҫuar vetëm përpara dhe të bashkuar me pjesën tjetër të kombit , aty ku padrejtësisht na ndanë. Pra jemi ne që na takon të vëmë drejtësi , të marrim vetë drejtimin e fatit tonë në duar, sepse askush s’ të dhuron gjë. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që ndodhen.’’
Dashamirët e natyrës kaluan një ditë të këndshme në natyrën e mrekullueshme që shtrihet në këtë trevë shqiptare.

Albert Camaj

FOTOGRAFITË