Letër e hapur një pjese të atdheut tim
Kosovë, njerëzit tjerë letra të hapura u nisin institucioneve e individëve, po unë po ta nis Ty një të tillë. Kosovë, në vitet Tua të vrara në emrin tënd punonim e angazhoheshim ne mësimdhënësit dhe veprimtarë të tjerë. Në emrin tënd dhe të lirisë tënde djemtë e vashat më të mira ishin bërë fragmente të betejave të lavdishme në truallin tënd të zhuritur e të larë me gjak. Kosovë, në emrin tënd u zhvilluan edhe shumë takime e u nxorën Rezoluta, Dokumente të tjera në qendrat e vendosjes deri edhe të Pakoja e Ahtisarit dhe Kushtetuta.
Kosovë liria erdhi dhe në emrin tënd erdhën zyrtarë të UNMIK-ut erdhën në Kosovë dhe u kënaqen para e luks. Në emrin tënd nisen të krijohen edhe institucionet vendore dhe ata që u gjenden nën dardhë nuk e lënë as edhe një dardhë për ilaç.
Kosovë në emrin tënd u krijuan dy shtresa. Njëra numerikisht e vogël e me xhepat plot dhe tjetra një armatë e tërë me xhepat zhele e me barkun thatë. Na thoshin pas luftës oj Kosovë se duhet të heshtim edhe kur jemi shumë të pakënaqur sepse Ti po kaloje në procese me rëndësi dhe ne në emërin tënd heshtnim e ata po në këtë emër ngrinin pallate e pasuroheshin.
Kosovë në emrin tënd po na ndrydhin e shtrydhin vendorët e ndërkombëtarët nga kolltukët. Kosovë ata na kanë bërë qytetarët të këqij sepse sa herë kërkojmë rritje pagash Fondi Ndërkombëtar Monetar hidhërohet e kur ajka shton pagat, edhe pse i kanë mjaft të majme, hiq asgjë akujt. Kosovë, me ato paga të gjora pensione mezi po ngopemi bukë dhe nuk po jemi të rregullt në pagesën e shërbimeve dhe ata po na ndrydhin e shtrydhin në emrin tënd duke na kujtuar e rikujtuar se ne skamnorët u dashka të krijojmë shtet se u dashka të paguajmë tatimet për kolibet tona. Duhet të paguajmë ujin, rrymën, bërllokun . Ne e dimë se duhet paguar këto, por Kosovë më trego si t’i paguajmë. Me zhelet tona t’i paguajmë.? E ata na ndrydhin e shtrydhin dhe na kërcënojnë se po nuk i gjetëm paratë do të mbesim pa dritë, ujë, dokumente . Do të mbesim pa asgjë.
Kosovë na shiko edhe neve armatën e madhe të skamnorëve për bijtë tuaj dhe na jep më shumë para që të jetojmë si njerëz e të bëhemi qytetarë të denjë duke paguar borxhet. Kosovë ne mësimdhënësit dhe shumë qytetarë të tjerë e kishim kryer borxhin ndaj teje dhe emrit tënd të dashur në kohë të liga. Tani ne nuk kemi faj o pjesë atdheut tim se liria për dikë solli milionë e për shumicën solli skamje dhe luftën për kafshatën e gojës. Me skamje e zhele nuk paguhen dot faturat oj Kosova jonë.
Rrahman Jasharaj