Fondi Humanitar “Malësia” shpallë konkursin për bursë studentore 2012-2013

Fondi Humanitar “Malësia” shpallë konkursin për bursë studentore për vitin akademik 2012-2013.
Të drejtë burse kanë të gjithë ata studentë të cilët përmbushin kërkesat e parashtruara nga Fondi Humanitar “Malësia”.

Përparësi në përfitim të bursës kanë studentët e dalluar malësorë të cilët ligjeratat i ndjekin në gjuhën shqipe dhe të cilët studijojnë në kurse të veçanta deficitare për rajonin e Malësisë. Aplikantët këshillohen që materialin e tyre aplikues ta postojnë në adresën e Fondit Humanitar “Malësia”. Një veprim i tillë përshpejton proçesin aplikues të çdo studenti. Gjithashtu ne u bëjmë apel aplikantëve që dokumentacioni i tyre të paraqitet sa më dinjitoz, i printuar, duke respektuar normat aplikuese.

Duke u nisë nga përvoja e viteve të mëparshme, këshillojmë aplikantët që të jenë të vëmendshëm në plotësimin e dokumentacionit të kërkuar. Aplikimi do të shqyrtohet vetëm atëherë kur ai të jetë tërësisht i kompletuar dhe postuar jo më vonë se 1 Nëntor, 2012. Në rast të pamundësisë për të dërguar dokumentacionin e plotë brenda afatit të kërkuar, aplikanti duhet të na kontaktojë përmes email fhmalesia@fhmalesia.org apo shërbimit postar me arsyet e mangësive në mënyrë që aplikimi të mos anulohet si jo i plotë. Shembull tipik do të ishte vonesa e lëshimit të vërtetimit të rregjistrimit për vitin akademik nga institucioni edukativ ku aplikanti ndjekë studimet. Në raste të tilla, Fondi Humanitar Malësia rezervon të drejtën të ua mundësojë plotësimin e dokumentacionit edhe pas skadimit të afatit të aplikimit.

Ndarja e bursave do të përcaktohet në mbledhjen e radhës të Dhjetorit mbasi i gjithë materiali aplikues të ketë mbërritur në zyrën tonë. Për çdo informacion të mëtejshëm mund të kontaktoni zyrën e Fondit Humanitar si edhe sitin tonë të internetit ku mund të pajiseni me formularin aplikues dhe të njoftoheni me kushtet dhe afatet e konkurimit.

Fondi Humanitar “Malësia” ju dëshiron sukses në proçesin aplikues!

Sinqerisht,
Mark N. Berishaj
Kryetar i Fondit Humanitar “Malësia”