Vizitë në zyrën e kandidatit Mark Gjonaj në Nju Jork

Nga Driton Sinishtaj

Rastisi që këtë verë u gjenda në Nju-Jork për të vizituar të afërmit dhe, pse jo, edhe për të punuar disa javë. Puna qe e vështirë dhe e lodhshme fizikisht, por siç më tha Axha e mirë si përvojë dhe kalitje fizike. Gjatë këtij qëndrimi banova në Bronx në zonën e quajtur Pelham Parkway, në afërsi të Kopshtit Zoologjik dhe Kopshtit Botanik, dy pika turistike me renome botërore. Në këtë zonë, përqëndrimi i shqiptarëve është ndoshta më i denduri se kudo tjetër në SHBA. Në rrugë dhe kudo, shqiptarët në këtë zonë janë të shumtë. Në një perimetër disa blloqesh ata kanë lokalet e tyre si “Dukagjinin” ku betohen se byrekët janë më të shijshëm se kudo tjetër, për çka pronari Marjani me krenari ka afishuar në lokalin e tij shkrimet nga gazetat më të njohura të Nju Jorkut me vlerësimet pozitive. Pastaj lokali tjetër “Zymi” afër ndërtesës së Vatajve i specializuar me gjellna tradicionale shqiptare. Në rrugën e njohur Lydig Ave, me emërtimin dytësor Nënë Tereza është edhe berber Altini nga Tirana ku shqiptarët presin flokët. Në të njëjtën rrugë është edhe shitorja e fruta-perimeve më e njohura në atë hapësirë ku klientët kryesor janë shqiptarët. Po aty, çifti bashkëshortor Gjergj dhe Shpresa Uli ka vite që kanë në pronësi agjensinë e udhëtimit “Alba Travel” ku mergimtarët tanë blejnë biletat e udhëtimit. Në të njëjtën rrugë gjendet edhe lokali “Drini” i Lucë Malotës, të cilin, në udhëtimin e saj të fundit në Nju-Jork e frekuentoj edhe Lirie Berisha, bashkëshortja e kryeministrit të Shqipërisë. Aty afër gjendet edhe lokali “Dunkin Donuts” lokal i cili është bërë i njohur si vëndtakimi i preferuar i bashkatdhetarëve tanë nga Kosova dhe Tropoja. Nuk do të ishte komplet hyrja e këtij raporti sikur mos të vinim në pah se krejtë këtu afër në vitet e 80-ta vepronte shoqata zëmadhe “Jusuf Gërvalla”, e cila atëmot për një dekad zhvillojë një aktivitet të dendur në sensibilizimin e çështjes së Kosovës në Uashington dhe në qarqe diplomatike pran OKB-së në Nju Jork. Kështu kjo lagje është duke marrë atribute historike në raport me mergimtarët tanë që jetojnë në këtë segment të Bronksit.

Ajo që të bie në sy duke shetitur nëpër këto rrugë, janë afishet e shumta nëpër dritaret e lokaleve dhe të shitoreve të Mark Gjonajt, kandidati demokrat për Asamblenë e Nju Jorkut në Distriktit 80-të të Bronksit. Mërgimtarët tanë që banojnë në trevën ku ai kandidohet pothuaj njëzëri të gjithë shprehën pozitivisht për Markun, duke vu në dukje kontributin e tij të pakursyer në dobi të çështjes së komunitetit dhe të kauzes shqiptare në përgjithësi. Gjithë kjo më shtoj kurreshtjen dhe dëshirën për ta vizituar kandidatin shqiptar në zyrën e tij në Lydig Ave, prandaj vëndosa t’i shkruaj një e-mail dhe të kërkoj një takim me të në zyrën e tij për çka mu përgjigj pozitivisht.

Posa arrita në zyrën e tij, më mirëpriti Marku me ngrohtësi vëllazërore. Edhe pse i lindur në Amerikë mu drejtua me një gjuhë të pastër shqipe që e kishte mësuar nga prindërit e tij. Biseda jonë u përqendrua në detaje të rrjedhës së fushatës elektorale dhe të perspektivës së tij për të dalë ngadhnimtar në betejën e tij të parë politike. Hyrja në garë sipas tij ishte pothuaj e rastësishme duke parë gjëndjen jo të mirë, mangësinë, burokracinë, korupsionin dhe neglizhencën shumëvjeçare në administrimin e këtij distrikti nga kundershtarja e tij Naoni Rivera. Kjo u vertetua më së miri kur këto ditë shpërtheu në shtyp dhe në mjetet tjera të informimit publik afera seksuale e zonjës Rivera me të dashurit e saj të paguar nga fondet publike. Gjithë kjo shkaktoj një senzacion aq spektakular në mediat e vëndit sa menjëherë filloj hetimi nga Prokuroria e Nju Jorkut dhe FBI kundër këti veprimi të paligjshëm. Më bëri përshypje numri i madh i të rinjve të të gjitha komuniteteve që ishin të përfshirë në punë me shumë përkushtim, të cilët në çdo cep dhe rrugë shpërndanin fletushka dhe afishe dhe shumë të tjerë mblidhnin firma të veshur në bluzat e fushatës, të bindur se Mark Gjonaj është kandidati për të cilin ka nevojë komuniteti ku ata jetojnë.

Pjesa më e madhe e shqiptarëve të Nju Jorkut jetojnë në Bronks që sipas Markut do të ishte rasti më i mirë të kenë përfaqësuesin e vetë në Asamblenë vendore dhe të tregojnë peshën e vetë si një grupim etnik i mirorganizuar dhe një bllok votuesish me influencë.
Në të kaluarën shqiptarët me banim në Amerikë kanë dhënë një kontribut tejet të çmuar në dobi të çështjes shqiptare përmes lobingjeve në Uashington duke përfituar përkrahjen e shumë kongresistëve dhe senatorëve amerikan. Zoti Gjonaj e shef si të domosdoshme që shqiptarët tani të kenë përfaqësuesit e vetë në institucionet lokale, shtetrore dhe federale, kështu që lobimet në të ardhmen të jenë më efikase dhe me më pak shpënzime. Hapi i parë që ai do të ndërmarrë nëse del fitues në këtë garë do të jetë hapja e një zyre për emigracion që t’i ndihmojë shqiptarët dhe komunitetet tjera t’i rregullojnë dokumentacionet në pajtueshmëri me ligjet e vendit. Ai gjithashtu ndjen një detyrim ndaj të moshuarve të hap ambiente që do tu sherbenin nevojave imediate të tyre, qofshin ato për rekreacion dhe përkujdesje shëndetësore. Në prgramin e tij përfshihën edhe fëmijët për çka komuniteti shqiptar ka nevojë për ambiente ku ata do të kultivonin gjuhën shqipe, kulturën dhe traditat tona. Këto objekte u mungojnë jo vetëm komunitetit shqiptar por edhe komuniteteve tjera në Bronks. Ata shqiptarë që u lindën dhe u edukuan në Amerikë, fitorja e Mark Gjonajt do t’u shërbente si shtytje për të filluar rrugëtimin e tyre drejt posteve në Dhomën e Përfaqësuesve apo Senatin Amerikan.

Mark Gjonaj është i lindur në vitin 1968 në Amerikë nga prindër shqiptar të cilët emigruan nga Reçi i Ulqinit. Ai mbaroi shkollën e mesme St Raymond dhe u diplomua në Universitetin St. John’s, Queens. Mark Gjonaj është një aktivist i dalluar në zonën e Bronxit ku edhe jeton. Është një biznismen i sukseshëm dhe për momentin ai është president i MP Realty Group, një kompani e pasurive të patundshme dhe pronar i qindra apartamenteve. Është nga të pakët biznismen shqiptarë të lindur në Amerikë, të cilët kanë investuar në vendin e origjinës së tyre. Z. Gjonaj ka bërë disa investime në Shqipëri dhe gjithashtu ka bërë përpjekje të investojë edhe në Ulqin.