Intervistë ekskluzive me Mr. Lukë Junçaj, aktivist i dalluar i Diasporës shqiptare në Amerikë

Malesia.Org – Zoti Lukë, pothuaj janë plotësuar 3 Dekada që kur kini migruar nga vendlindja. A ju kujtohet dhe a mund ti ndani me lexuesit e Malësia.Org kujtimet nga ajo kohë; motivet e mergimit, dhimbja e ndarjes dhe takimi me një botë të re?
Lukë Junçaj – Së pari ju falenderoj për intervistën dhe ju uroj punë të mbarë me webfaqën Malesia.Org që është gjithmonë nji dritare e hapur dhe a pazëvëndesueshme për të gjithë malësoret dhe të tjerët kudo në botë duke na e mbajtur para syve e ashtu dhe afër zemres Malesinë tonë të dashur.

Kanë kaluar pothuejse tri dekada që jam në Amerikë, por me kujtohet shumë mirë ajo kohë para se ta lëshoja Malesinë. Ishte një Malësi plot e përplot me rini, me nji numër rekord stundetash në Prishtinë e poashtu dhe në Gjimnazin e Tuzit ku isha unë, ku mbas mbarimit të orëve të mësimit e bllokonim trafikun që kalonte nëpër atë qytezë. Për fat të keq nuk na u krijuan kushtet të rrimë në vëndin tonë por të iknim sa ma larg e turmat nuk ndaluan për shumë vjet. Shqipetarët nën Jugosllavi ishin të rrezikuar, përndjekur e nën shënjestrën e UDB-së, ku burgoseshin edhe për nji fjalë goje siç ndodhi në shumë raste nga 1981-shi e në vjetet që pasuan. Në atë kohë pasaportat ishin të gatshme mbrënda nji kohe të shkurtë e shumë të rinj që skishin para për biletën e aeroplanit për në Meksikë, bileta ju jepej gratis. Mendoj se është e qartë se e gjithë kjo nuk ndodhi rastësisht por ishte mirë e montuar nga Serbo- Malazezët për ta zbrazur Malësinë.

Malesia.Org A mund të na thoni diçka më tepër për angazhimet tuaja në vitet e para të mërgimit? Cilat ishin aktivitet tuaja në Amerikë në kohën kur u shpërngultë atje?
Lukë Junçaj – Viti i parë në SHBA ka qenë mjaft i vështirë për sa i përket adaptimit në atë botë të re. Në këtë aspekt me ka ndihmuar shumë familja pra vëdhezërit që kishin shumë vite këtu por edhe shokët numri i të cilëve vinte e rritej çdo jave mbasi që vazhdimisht mbërrinin grupe nga Malësia. Vitin e parë skam punuar fare por kam bërë angazhimin maksimal për mësimin e gjuhës ku kam patur mjaft sukses. Poashtu fill mbas shpërnguljes në Detroit kam fidhua të punoj si kangëtar nëpër dasma, festa e koncerte të ndryshme me grupin muzikor “Shqiponja” për të cilën gjë kam patur shumë pasion në atë kohë mbasi që kenga si asgjë tjetër më mbante afër vëndlindjes. Në muajët e parë në SHBA u jamë bashkangjitur nji numri të madhë malësorësh të cilët në mënyrë të palodhur punonin për çështjen e Kosovës dhe atë shqipetare në përgjithësi dhe kam marrë pjesë në shumë aktivitete si protesta, grevë urie, tubime e manifestime anti- Jugosllave për çka edhe e kam patur të ndaluar hymjen në Jugosllavi deri në shëmbjen e komunizmit. Kam qënë shqipetari i parë mbas të ndjerit profesor Zef Camaj që kam marrur azil politikë në shtetin Michigan nga azilantet e viteve 80-ta.

Malesia.Org – Një kohë ju ishi edhe Kryetar i Shoqatës Atdhetare Malësia e Madhe nga Detroiti. A mund të na thoni diçka më tepër për veprimtarin e kësaj shoqatë, në kohën kur ju e udhëheqet por edhe për Shoqatën sot; për kontributet e saj, për vlerat e sajë, por edhe për mangësitë apo vështirësitë e saj?
Lukë Junçaj – Me kënaqësi isha kryetarë i Shoqatës Malësia e Madhe pozitë kjo që e kisha refuzuar më parë për mungese kohe por erdhi situatë që smund ti shmangesha ma pozitës se kryetarit dhe jam i gëzuar që isha kryetarë në atë kohë kur Malësia kishte trazira më shumë se heret tjera. Gjatë asaj kohë kemi kënë më aktivë se asnjiher tjetër dhe kemi realizuar projekte të ndryshme si binjakzimin Tuz- Rochester Hills, peticione, protesta, takime me ambasada të huaja, takime me zyrtaret Amerikanë, me Qeverinë e Kosovës e tjera me qellim që ti bëhej presion Malit të Zi për të ndalë diskriminimin dhe represionin e egër ndaj shqipetarëve nën Mal të Zi. Mendoj se Shoqata Malësia e Madhe ka dhanë nji kontribut të pashoq në sensibilizimin e gjëndjes së Shqipëtarëve nën Mal të Zi dhe të rastit “Fluturimi i Shqiponjës”.
Sot shoqata vazhdon të punojë por me intezitet më të ulët por mbetet padyshim gjithni në sherbim të plotë të Malësisë dhe gjithni i ndajmë të gjitha brengat e atëdheut tonë së bashku. Na kanë kushtuar shumë në shoqatë disa lapsuse që janë bërë duke u futë në rruga qorre që as nuk janë në programin e shoqatës sonë dhe duke bërë partneritete me disa që nuk posedojnë të njëjtat vlera kombëtare si anëtaret e Shoqatës Malësia e Madhe. Megjithatë shpresoj që kjo shoqatë më në fund të mbajë zgjedhjet që është dashtë të mbahen para dy vitesh dhe të vazhdoj me aq shumë punë që e presin.

Malesia.Org – A mund të na thoni diçka më tepër në lidhje me bashkëpunimin e kësaj Shoqatë me Shoqatat e tjera derisa e udhëheqnit ju?
Lukë Junçaj – Gjatë gjithë kohës kemi bërë përpjekjet maksimale për bashkpunim me shoqata tjera në diasporë. Bashkpunimi ka qënë deri diku në nivel por në disa e raste sidomos për protesta në NY dhe Washington kemi patur përkrahje pakë si të zbehtë nga disa shoqata kurse siç është rasti i Lëvizjes Atëdheu na Bashkon nuk kemi patur përkrahje të duhur.

Malesia.Org – Me qenë se jeni një intelektual i dadhuar sa ka bashkëpunua Shoqata me qarqet intelektuale shqiptare në kohën kur e keni udhëhequr?
Lukë Junçaj – Mendoj se Shoqata ka patur bashkëpunim të mirë me qarqet intelektuale në Amerikë, në Malësi dhe kudo në troje shqipëtare. Ne vazhdimisht kemi qënë të hapur për ide të reja. Kemi bërë takime të shumta me intelektualë e përsonalitete të shquara të Malësisë e më gjërë si Gjeneral Tomë Berishën, Maliq Çunmulaj, Nikollë Camaj, Vasel Sinishtaj, Kreshnik Qollaku, Gjovalin Veshtaj, Don Nosh Gjolaj, Reshat Arbana, Palë Dreshaj, Muhamed Gjokaj, Luigj Junçaj, Almir Gjokaj e shumë e shumë tjerë politikan, aktivistë të çështjes shqipëtare.

Malesia.Org – Jeni ndër Malësoret që mund të shërbeni si shembull i mirë për shkak se keni Magjistruar dhe punoni në profesion si mësimëdhënës në një Kolegj Amerikan. A mund të na thoni pak më tepër për rrugën e suksesit tuaj?
Lukë Junçaj – Unë kam ardhur në SHBA fill mbas përfundimit të gjimnazit në Tuz me qellim që të vazhdoj studimet në Amerike. Për fatë të keq në gjimnazin e Tuzit si gjuhë të huaj kemi patur rusishten ashtu që për nga gjuha më është dashur të filloj nga zero. Në Tuz kam qenë nxanës shumë i mirë por sistemi shkollor atje nuk na ka dhanë nji pregaditje të duhur për Univerzitetet Amerikane. Megjithatë me pasionin që kam patur për mësim kam arritur të diplomoj nga Eastern Michigan University me nota të shkëlqyera dhe aty kam qenë fitues i dy bursave nga Departamenti i Historisë dhe honorareve të tjera nga ky institucion. Ma vonë kam ndjekur mësimet post universitare në Wayne State University ku kam magjistrua në vitin 1998. Momentalisht punoj në shkollën e mesme Harrison High School në Distriktin e qytetit Farmington ku landë ligjerimi kam Historinë Amerikane. Kam ma se njizet vjet që punoj për shkollat e Farmingtonit si profesor i Historisë kurse si aktivitet ekstra kurikular poashtu për ma se njizet vjet jam trejner i skuadrave të futbollit të djemve dhe të vajzave të shkollës së mesme Farmington High School ku kemi kënë sporti më i sukseseshem i asaj shkollë. Katalist i suksesit tim patjeter ka qenë talenti, puna dhe vendosmeria për ta përfunduar ata që e kam nisur. Në atë kohë e kam parë vehten si shëmbull apo “rolë model” për të tjerët pasi që kanë qenë të rradhë studentët shqipëtarë në Univerzitetet Amerikane e sot janë me qindra. Poashtu mendoj se kam qenë shembull edhe për familjen time të gjerë ku kam qenë i pari për të diplomuar nga Univerziteti e sot vetem fëmij të vëdhezërve e të motrave janë 8 të diplomuar dhe poaq në ndjekje të diplomave Univerzitare.

Gjatë gjith viteve në Amerikë poashtu e kam patur si objektive të jam ambasador sa më i mirë i popullit tim dhe jam mundua ti prezentoj ata në dritë sa më pozitive në kontaktet e vazhdueshme me mijera familje Amerikane, me profesorë e koleg të shumtë. Në qytetin Farmington ka më shume Amerikanë se askund tjeter që dijnë ta prononcojnë mbiemrin Junçaj ashtu siç është e jo Xhunkaxh siç e thonë shumica e tyre.

Malesia.Org – Vitin e kaluar ishit pjesëmarrës i Simpoziumit Shkencor me rastin e 100 vjetorit të Kryengritjes së Malesisë , me çrast patët një Kumtesë e cila la mbresa tek auditori Malsorë edhe me gjërë. A mund të na thoni në pika të shkurtëra të cilën periudhë trajtoj Kumtesa juaj dhe njëheri a mund të naj përcjellni përshtypjet tuaja me rastin e festimit të 100 vjetorit?
Lukë Junçaj – Kumtesa ime në Tuz ishte mendoj një suprizë për të gjithë mbasi që trajtonte ngjarje të historisë që më parë ishin tabu që s’guxohej të permëndeshin. Kam qënë shumë i gëzuar që atë kumtesë e kam mbajtur në Malësi ku ka patur edhe historian malazez dhe shqipëtar që deri dikund skanë qenë të njoftuar për tradhetitë dhe masakrat Serbo-Malazeze në Hot. Kumtesa ime trajtoi dekadën mbas Kryengritjes së vitit 1911, kohën kurë Hoti u dogj e u poq disa herë nga Serbo-Malazezet ku e gjithë kjo kulminoi në eliminimin masiv të burrave të Hotit përmes burgosjes së tyre në Podgoricë dhe masakrës së Qytezës në afërsi të Kushes së Hotit ku humbën jetën mixorisht 159 Hotjan vetëm në këto dy raste. Shpresoj që shkrimtarët nga Malesia të japin vehtes forcë të shkruajnë për gjitha ato ngjarje historike të pa prekura pasi që janë në vendin ku mund ti shrytëzojnë arkivat e Shqipërisë e të Malit të Zi ashtu që të hedhin dritë në shumë dekada që i ka mbulua terri i historisë.

Malesia.Org – Lexuesit tonë ju njohin edhe si rapsod i këngëve burimore. Edhe kjo donë një përkushtim dhe kohë prandaj ju pyes si ja duelet që të jeni një dhoj të suksesshëm, si në punë, në ngritje profesionale ashtu edhe me këngë?
Lukë Junçaj – Kangën e kemi traditë familare tash sa breza dhe kënga për mue qyshë në moshë të re ka kënë diçka që më ka ardhë me lehtësi. Ashtu i kam edhe tre fëmijt Aleksn, Mateun dhe Davidin që musafirët e familjes e vënin re se ata më parë fillonin të këndojnë sesa të flasin, çka do të thot se traditen familare do ta mbajnë gjithni.

Të këndoj kam fidhua qysh në mosh krejt të re fminore. Kam kënduar në dasma, koncerte e manifestime të ndryshme në Malësi. Kam qenë ko-themelues i SHKA Shpresa nga Drumja si gjimnazist i vitit të dytë, e cila shoqëri nji vit më vonë është shëndrruar në SHKA Hoti ku kam qenë pjesmarrës aktiv deri kur kam emigrua. Në Amerikë me kangë jam marrë në mënyrë intensive për më tepër se 15 vite ku kam kënduar në më teper se 500 dasma, festa e tubime të ndryshme shqipëtare në Detroit, New York, Chicago dhe Kaliforni. Për munges të kohës dhe kërkesave të punës profesionale më është dashur të kufizoj aktivitetin tim muzikor megjithëse vazhdoj të këndoj por vetem në raste specifike. Kënaqesinë më të madhe që më ka siedhur kënga shqipëtare ndonjiher është tani kur i mësoj fëmijt e mi të lindur në Amerikë të këndojnë shqip.

Malesia.Org – A mund të na i numëroni disa nga këngët tuaja më të preferuara ?
Lukë Junçaj – Kanga ime më e dashur ështe “Faculeta e Malësorit” që ju kushtohet babadharëve tonë trima e liridashës që u flijuan brez mbas brezi për flamur e atëdhe. Vargjet e para të saj janë:
Të lumtë ju o diedh e hanë, Që natyra lartë ju ka lanë
Për të shëndritë botën tetanë, shëndritnje mirë dhe vëndin tonë
Atë Malësi me troje të veta, qoftë e lumtur sa të jet jeta
Me Malësorë në faculeta, që sjau hoq as lufta as vdekja
Në faculeta të kuqe pelhurit, që i kanë mbajt për madh të flamurit
Për atë flamur që jau mohojshin, por Malësorët kurr se harrojshin etj..
Këngë të tjera të preferuara janë: Malësi trime sa shumë të dua, Babadharët, Smajli e Tringa, Këlmënore, Kur e pash Kosovën,etj.

Malesia.Org – Lidhur me këtë na thuani se sipas mëndimit tuaj kënga shqiptare sot, a është duke u modernizuar ajo dhe a i plotëson kërkesat e zhvillimeve shqiptare?
Lukë Junçaj – Edhe kënga shqipëtare si çdo gjë tjeter ka evolua her në drejtim pozitiv e herë në atë negativ. Për mua është teper e neveritshme të ndëgjosh këngë turke, serbe, apo magjypesh me fjale shqipëtare. Ka patur një bastarrim të këngës shqipëtare që kurr se kam imagjinuar por mendoj që koha do të bëjë përsëri pastrimin e saj. Ka edhe nji evolucion pozitiv ku çdo ditë e më teper kanga jonë merrë tone Evropjane që mendoj se është nji zhvillim i mirëfilltë.

Malesia.Org – Nga këndvështrimi juaj si e shihni të ardhmen e Malësisë me të gjitha problemet që i ka? Malësoret nuk kanë më dilemë për komunë por kanë divergjenca politike në të cilat shpesh kontribut jep edhe Diaspora si e shihni ju këtë problem?
Lukë Junçaj – Malësia për mua është vendi më i shëjtë në botë. Nuk mund ta kaloj nji ditë këtu në Amerikë për pa folur, diskutuar apo pa e gjetur vehten diku në Malësi. Amerika ofron çdo gjë por smund të bëhet atëdhe kurrë. Malësia me mungon andaj mundohem ta vizitoj sa më shpesh.

Mëndoj se Malësia ka potencial të hecë përpara në shumë drejtime. Së pari aty duhet më teper harmoni, bashkëpunim e punë konstruktive, e më pake kapadaillek e servilizem. Më brëngos fakti se Malësia për vënd aq i vogël është teper i përmbushur me frakcione e handeqe të panevojshme. Politikanët e aktivistët duhet të jen shumë më afer njani tjetrit e fjalën e fundit të mësojnë mos ta thonë të parën. Ne e mbysim njani tjetrin e atëherë për armikun sna mbet gja.
Mëndoj se Diaspora ka potencial të shkëlqyeshem për ta ndihmuar Malësinë por edhe jo për ti diktua asaj egzakt se çka duhet të bëjë, pasi që ne jemi larg e smund ti dijmë gjërat kurr aq mirë sa ata që janë aty tërë kohën. Individë nga diaspora nuk guxojnë tja zgjedhin udhëheqësit Malësis, ata i zgjedh vetë populli atje. Smund ta duan Malesinë më tepër dikush që jeton në Amerike sesa ata që i rrisin femijtë e tyre në Malësi. Prandaj mendoj se diaspora duhet të ketë rrol suportues e jo diktues.
Ajo që Malësinë do e shpetonte dhe do e bënë çdo ditë e më të fortë është nëse bëhet lidhje e ngushtë me Shqipërinë e Kosovën. Shteti amë dhe Shteti i Kosovës e kanë detyrë primare përkrahjen e shqipëtarëve nën Mal të Zi. Me presion nga dy shtetet tona, nga diaspora, institucionet evropjane dhe malësoret e shqipëtarët në trojet e veta nën Mal të Zi, atëherë ky shtet kakërdhi që pa tokat shqipëtare të okupuara është vetem ni varg fshatrash nuk do të mund të vazhdoj me at ton diskriminimi por dotë detyrohet tju plotësoj kërkesat dhe të drejtat legjitime shqipëtarëve në trojet e veta.
Ne malesorët e Malësisë në SHBA kemi qenë ambasador të pashoq të çështjes së Kosovës për sa dekada, dhe presim nga ky shtet që të bëjë shumë më shumë për shqipëtaret nën Mal të Zi. Shqipëtarët malësor të Detroitit e New Yorkut ishin forca më energjike në Amerikë për ta futur në kongresin Amerikan dhe shtepinë e bardhë çështjen e Kosovës. E më vonë me të njetin intenzitet e ndihmuam luftën e Kosovës. Nuk do të ishte fare e pavend që nëpër ambasadat Kosovare nëpër bote sot të kemi edhe ambasadorë nga Malësia.
Pra nëse malësoret i bashkojnë zërat e tyre së bashku me ndihmën e Shqipërisë e të Kosovës do ti realizojnë të drejtat e veta shumë shpejt.

Malesia.Org – Zoti Junçaj , ju faleminderit për intervistën dhe kohën që na kushtuat, duke ju dëshiruar suksese dhe punë të mbarë në të ardhmen.
Lukë Junçaj – Të faleminderit dhe ty Z. Albert e të uroj shëndet e gjith të mirat.

Intervistoi Albert Camaj

Me këtë Intervistë po ua bashkangjisim disa këngë të z. Lukë Junçaj me fëmijet e vet të kënduara nëpër gazmende dhe tubime shqiptare në Amerik.