Mehmet Bardhi, kryetar i LD në MZ dhe deputet në Kuvendin e Malit të Zi, këto ditë përsëri u dërgoi kërkesë kryeministrit të Malit të Zi, z. I. Llukshiq dhe Ministrit të Punëve të Brendshme z. I. Brajoviq, për hapjen e pikes kufitare për komunikacion rrugor tokësor dhe ujor, në breg të Liqenit të Shkodrës, në katundin HUTAJ/SKJE – ZOGAJ, komuna e Tivarit gjegjësisht Qarku i Shkodrës.
Kërkesen e z. Bardhi po e publikojmë të plotë
QEVERISË SË MALIT TË ZI
Kryetarit të Qeverisë, z. Igor Llukshiq
Podgoricë
Lënda: Kërkesë për hapjen e pikës kufitare për komunikacion rrugor tokësor dhe ujor, në
breg të liqenit të Shkodrës, në katundin HUTAJ/SKJE – ZOGAJ, komuna e Tivarit,
gjegjësisht Qarku i Shkodrës.
I nderuari kryetar i Qeverisë z. Llukshiq,
Mbyllja e kufirit me Shqipërinë, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, për shkak të keqësimit të marrëdhënieve politike ndërshtetërore, shkaktoi vështirësi të shumta, jo vetëm për popullatën shqiptare në ish Jugosllavi, konkretisht edhe në Malin e Zi, por edhe për shqiptarët në përgjithësi, në shumë sfera: në marrëdhëniet familjare, ku pothuajse u këputën të gjitha lidhjet midis familjeve e farefisit, të cilat tash i kishin ndarë me dhunë administrativo-shtetërore, disa në Shqipëri e disa në Mal të Zi, sipas vendbanimeve e ndodhjes momentale; në tregti, u vunë barriera të pakapërcyeshme, e mbyllën kufirin, kështu që u bë e pamundshme të shkohet në Shkodër, atëherë ( por edhe sot) qendrën më të madhe tregtare në rajon, por edhe qendër kulturore e arsimore, ku kishin mundësi të shkollohen të rinjtë ( por edhe për të rriturit, të cilët, pas Luftës kishin dëshirë për ndonjë arsimim), posaçërisht në shkollat e mesme e pastaj edhe në fakultete; transporti në liqenin e Shkodrës dhe nëpër Bunë, e të mos flasim për transportin rrugor tokësor (këmbësor-karvan). Për të gjitha këto që ceka, por edhe për arsye të tjera, të cilat për shkak të natyrës së shkresës nuk i përmenda, hapja e pikave të reja kufitare me Shqipërinë (që fillimisht ka nënkuptuar heqjen e regjimit të vizave …), përveç atij të vetmit në Han të Hotit, në të cilin po ashtu “dilnin” shumë vështirësi dhe krijimin e kushteve normale për komunikim ekonomik, kulturor, arsimor, turistik etj, kemi vlerësuar si prioritet përmirësimin e marrëdhënieve ndërshtetërore si kontribut efikas edhe për vendosjen e paqes afatgjatë në regjion.
Në këtë aspekt, duke marrë parasysh edhe nevojat, posaçërisht të popullatës kufitare në të dyja anët, Lidhja Demokratike në Mal të Zi, në aktin e vet themelues, nga viti 1990, ka venë si prioritet kërkesën dhe angazhimin për hapjen e pikave të reja kufitare dhe liberalizimin e komunikimit me
Shqipërinë. Kështu, në emër të LD në MZ, si përfaqësueses, atëherë i të vetmit përfaqësues politik legal dhe legjitim të shqiptarëve në Malin e Zi, menjëherë pas formimit, i kam dërguar Qeverisë së Malit të Zi kërkesë (kam qenë në bisedime e takime dhe kam marrë pjesë në biseda bilaterale edhe si kryetar i komunës së Ulqinit) për hapjen e pikave të reja kufitare me Shqipërinë, dhe atë: Sukubinë – Muriqan (Komuna e Ulqinit) i cili tashmë është realizuar, për qarkullimin e njerëzve dhe presim hapjen për qarkullim ekonomik dhe tregtar, në Vërmosh (Komuna e Plavës) gjithashtu është realizuar për qarkullim të njerëzve; në Malësi (Komuna e Tuzit – Podgoricë) e cila shpresojmë që do të realizohet krahas me realizimin e rrugës së re Plavë – Podgoricë, ku një pjesë kalon edhe nëpër Shqipëri dhe kjo në SKJE – ZOGAJ, komuna e Tivarit gjegjësisht Qarku i Shkodrës (Republika e Shqipërisë), me çka Ju drejtohem (përsëri) më këtë kërkesë.
Prandaj, z. Kryeministër, Ju drejtohem më këtë kërkesë (të përsëritur disa herë) për hapjen e pikës kufitare ndërshtetërore në breg të Liqenit të Shkodrës, në katundin HUTAJ/SKJE – ZOGAJ, komuna e Tivarit gjegjësisht Qarku i Shkodrës (Republika e Shqipërisë) për komunikacion ujor dhe rrugor tokësor.
Hapja e pikës kufitare HUTAJ/SKJE – ZOGAJ, që është kërkesë e nevojë ekzistencionale e banorëve të Krajës, do të kontribuojë në zhvillimin më të shpejtë të rajonit në të gjitha sferat, si në zhvillimin e turizmit, që i përmbush të gjitha parakushtet etj.
Në rastin konkret, të sqarojmë se prej rrugës regjionale Virpazar – Ostros – Katërkollë, prej Ostrosit deri ne SKJE, ekziston rruga lokale e asfaltuar deri në bregun e liqenit, ku gjendet mola – limani i ndërtuar me harkun mbrojtës në gjendje relativisht të mirë. Në anën tjetër, në Shqipëri, ekziston rruga e asfaltuar prej Shkodrës deri në Zogaj të cilën, sipas informacioneve që kam po e zgjërojnë. Mbetet që aty, në pjesën (ndër)kufitare të ndërtohet rruga, diku në gjatësi prej 2 km dhe të bëhet lidhja. Sa jemi të njoftuar ne, aty nuk ka probleme pronësore juridike.
Z kryetar i Qeverisë, mund t᾽ju informoj, se për hapjen e kësaj pike të kalimit kufitar kam biseduar disa herë edhe me kryetarin e Qeverisë së Shqipërisë, dr. Sali Berishën. Herën e fundit kam biseduar në maj të këtij viti, ku më pat thënë se ne lidhje më këtë, ka ndërmarrë të gjitha masat ,, ka dhënë urdhër të gjithë ministrave përkatës që rruga prej Shkodre të zgjerohet dhe të ndërtohet traseja deri në kufi, si dhe të ndërmerren masa të tjera të nevojshme…”
Zotëri kryetar, e di që në bisedat e paradokohshme me Ju, keni shprehur gatishmërinë për hapjen e kësaj pike kufitare si dhe në lidhje me rrugën Plavë – Podgoricë, që, sikur na ka thënë edhe dr. Berisha, ja keni konfirmuar edhe atij me rastin e një takimi kohë më parë. Prandaj z. Kryetar, jam i lirë t’Ju propozoj, që brenda mundësive, meqenëse ekziston konfirmimi i të dy palëve, të vendosni sa më parë, të propozoni që Qeveria, në mbledhjen e parë të saj, të bijerë Vendimi, madje para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, për hapjen e pikës kufitare për komunikacion ujor, në liqenin e Shkodrës, dhe atë rrugor tokësor në HUTAJ/SKJE – ZOGAJ, komuna e Tivarit, gjegjësisht Qarku i Shkodrës. Pra, të bini Vendimin, i cili do të mundësonte fillimin e përgatitjeve hartimin e dokumentacionit të nevojshëm dhe fillimin bisedimeve oficiale me palën e Shqipërisë.
I nderuari z. Ministër, jam i gatshëm që me kërkesën Tuaj të vij dhe të jap arsyetim më të gjerë dhe informata të tjera eventuale të nevojshme.
Më respekt.
Mehmet BARDHI
