Rita Ora në Kosovë

Këngëtarja shqiptare e lindur në Kosovë e që po pushton botën, Rita Ora, po qëndron në Prishtinë për xhirimin e videoklipit të saj “Shine Ya Light”. Ajo është paraqitur përpara Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet duke hipur mbi ‘Newborn-in’, ku e kishin rrethuar fansa të shumtë për të ndjekur nga afër yllin shqiptar.

Rita arriti me eufori të madhe në aeroportin e Prishtinës, ku tha disa fjalë për televizionet shqiptare, ndërsa më pas u zhvendos në Hotel Emerald, ku do të qëndrojë gjatë këtyre ditëve nën masa të larta të sigurisë.
Ajo gjatë mbrëmjes zhvendosi vëmendjen te Pallati i Rinisë dhe i Sporteve, duke u ngjitur mbi monumentin që simbol të pavarësisë së Kosovës, ku përshëndeti të pranishmit.
“Si po kaloni? Kosova është vendi i vetëm ku kam dashur ta xhiroj këtë videoklip”, tha Rita teksa e shoqëronin duartrokitjet dhe thirrjet ‘Rita-Rita’ nga fansat e saj.
Rita Ora në ora 1:30 u ngjit në skenë në Zone Club ku përshëndeti të pranishmit, duke i premtuar së shpejti një koncert të madh në Kosovë.
Rita Ora së fundmi lansoi albumin e ri “ORA”, ku bën pjesë edhe kënga “Shine Ya Light”, të cilës klipi po i xhirohet në Kosovë. /Telegrafi/




Rita, mbresa të mira nga Kosova

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka njoftuar se ka përfunduar xhirimet e klipit të saj në Kosovë. Ajo ka thënë se po ndihet mirë që është në Kosovë së bashku me bashkëpunëtorët e saj për klipin, ku fëmijët dhe të tjerët e kanë bërë të duket shumë më mirë.

“Jam kënaqur, nuk di si të tregoj që jam gëzuar që videoklipi është përfunduar. Më falni që nuk di shqip, fatkeqësisht, por do të provoj. Faleminderit që keni ardhur dhe shpresoj që t’iu pëlqejë kur të dalë”.
“Kam vendosur ta bëj klipin në Prishtinë, sepse jam lindur në Prishtinë, kam familjen këtu dhe gjithmonë kam dashur të shoh bukuritë që ka Kosova”, ka deklaruar Rita.
Siç transmeton Kosovapress, ajo ka thënë se nuk është ftuar presidentja Atifete Jahjaga për koncert, por ka ide që të bëjë një koncert. Po ashtu, Rita nuk ka marr ftesë për festën e 28 Nëntorit nga Shqipëria, por thotë që nëse ka mundësi do të jetë prezente atje.
Gjatë qëndrimit të saj në Kosovë, krijuesja e hitit “Hot Right Now” të dielën pasdite u takua me ministrin e Kulturës, Memli Krasniqi, për të cilin nuk kishte ditur që është këngëtar.
“Puna jote, suksesi yt, gjithë ai imazhi yt që e ke transmetuar gjithandej globit ka bërë krenarë gjithë Kosovën dhe gjithë shqiptarët. Për ne je imazhi më origjinal, krenaria dhe vlera që ka ky popull”, kështu i ka thënë ministri Krasniqi këngëtares së famshme nga Kosova.
Ai i ka dhuruar asaj instrumentin e lashtë ilir, okarinën si dhe hyjneshën në fron, si simbole të civilizimit të hershëm në Kosovë. E Rita ka zgjedhur t’i japë ministrit albumin e saj të parë të titulluar “Ora”, i cili ka disa ditë që është lansuar dhe është në top listën e albumeve më të pëlqyera në botë. /Telegrafi/