Pikërisht sot (08.09.2012) në Fordham University ne qendrën universitare në Bronx u mbajt një simpozium kushtuar poetit të ndjerë Ali Podrimja, i cili kohë më parë u nda nga jeta në Paris të Francës. Në kumtesat e mbajtura nga ligjëruesit u evokua jeta e poetit të madh shqiptar si dhr u vu në pah krijimtaria poetike, publicistike e atdhetare e këtij korifeu të letrave shqipe.
Simpoziumi u mbajt nën patronazhin e shtëpisë botuese “Gjonlekaj Publishing Co,” përkatësisht pronarit të saj z. Gjekë Gjonlekaj, gazetar, intelektual dhe afarist i njohur në qarqet e Nju Jorkut. Në fjalën e hapjes z. Gjonlekaj tha se Ali Podrimja ishte një ndër poetët më të mëdhënj në hapësirën gjithëshqiptare si dhe potencoi raportet miqësore midis tyre, miqësi kjo që evolojë gjatë botimit të veprës së poetit në anglisht “Who will slay the wolf” i përkthyer nga Robert Elsie dhe i botuar nga “Gjonlekaj Publishing Co,”.
Konferenciere ishte Lidia Ujkaj-Curanaj, raportere televizive në kanalin “Fox 5”, e cila e udhëheqi veprimtarinë e rastit me kompetencë. Pastaj folën Sinan Kamberaj ish editor i gazetës “Illyria”, Prof. Paolo Palombo, ish profesor ne Fordham University dhe mik i madh i shqiptarëve, Ymer Berisha konzulli i Kosovës në Nju-Jork, poetja Raimonda Moisiu, shkrimtarja dhe poetja nga Himara Eleonora Gjoka. Nga krijimtaria poetike e Ali Podrimes recitoi disa poezi aktori Shaban Lajçi. Në fund u shfaq një dokumentar për poetin e ndjerë.
Driton Sinishtaj