Berishaj:Kosova tani është projekt kombëtar, jo ndërkombëtar


“Me përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë, Kosova nuk është më projekt ndërkombëtar. Ajo është projekt kombëtar”, tha në intervistën ekskluzive për Radio Kosovën, doktori i shkencave politike, Martin Berishaj. …

RADIO KOSOVA: Kosova po e përmbyll procesin e mbikëqyrjes së pavarësisë. Sipas jush, çfarë paraqet kjo datë në procesin e bërjes së shtetit të Kosovës?

MARTIN BERISHAJ: Pikësëpari nuk dëshiroj të merrem me data, sepse, si komb, kemi grumbulluar data shumë, por dëshiroj të merrem me procesin dhe vazhdimësinë e tij. Kosova, deri sot, ka qenë projekt ndërkombëtar, dhe si e tillë ka funksionuar në të gjitha rrafshet. Nga dita e sotme, e që shfrytëzojë rastin për ata të cilët janë gëzuar shumë, edhe unë jam në mesin e atyre që janë gëzuar shumë, t’ua uroj këtë ditë – Kosova e fillon një rrugëtim të ri. Pra, Kosova, qysh sot, nuk është projekt ndërkombëtar, ajo është projekt kombëtar, dhe kur paraqitet problemi kombëtar përpara – atëherë shtohet pyetja se si të shkohet më tutje? Natyrisht, kur merren përgjegjësitë – atëherë klasa politike, gjegjësisht elita politike, është e pjekur për të dhënë llogari, dhe kështu kemi ardhur aty ku është çelësi i demokracisë: të respektohen procedurat demokratike dhe të shtohet niveli i llogaridhënies. Llogaridhënia, natyrisht, në vete përfshin dy efekte të rëndësishme: forcimin e kulturës politike shtetformuese dhe tendencën për të shkuar përpara, për t’i kapërcyer inatet; për t’i kapërcyer projekt e imëta; për t’i kapërcyer barrierat që nuk lejojnë ta shohim cakun. Kosova, pra, që nga sot – e ka një cak. Kosova e ka cakun e vet: të organizohet si shtet. Këtë gjë, natyrisht, nuk ia ka penguar askush, mirëpo gjithmonë është gjetur një shkas për të thënë se këtë organizim shtetëror nuk kemi mundur ta bëjmë për këtë shkak. Gjithçka çka është bërë në Kosovë, e që nuk ka qenë në vijën nacionale – është fajësuar dikush tjetër. Pra, po them përsëri, që nga sot Kosova nuk është më projekt ndërkombëtar. Ajo është projekt kombëtar, dhe dihet se si veprohet në këso rastesh – duke mos e neglizhuar aspak fenomenin e demokracisë qytetare, Kushtetutën e Kosovës, por për ta forcuar atë dhe për t’i dhënë jetë asaj.

RADIO KOSOVA: Profesor, Ju po flisni për të ardhmen, por le të qëndrojmë edhe pak në të sotmen dhe në atë rrugë në të cilën ka kaluar Kosova deri më sot! Për 4 vjet dhe 7 muaj ajo ka pasur pavarësi të mbikëqyrur. Një vlerësim i shkurtër i Juaji për këtë rrugë të Kosovës, duke fokusuar zhvillimet e brendshme dhe veprimin e Kosovës si subjekt ndërkombëtar gjatë kësaj periudhe?

MARTIN BERISHAJ: 17 Shkurti i vitit 2008 ka qenë hapi i parë që Kosova e bëri si subjekt ndërkombëtar, dhe rrallëkush ka përjetuar, ashtu si shteti i Kosovës, që në një kohë shumë të shkurtër të pranohet nga shtetet më me influencë botërore dhe ta ketë përkrahjen, ashtu siç e ka Kosova, nga SHBA-ja dhe shtetet të cilat e kanë një peshë të madhe. Ajo që ka ndodhur në Kosovë në 4 vjet dhe 7 muajt e kaluara, tregon se shkalla e përgatitjes sonë për tu ballafaquar me vetveten dhe me shtetin tonë, ka një rritje të kënaqshme. Natyrisht, po të ishim bërë shtet më përpara, ne nuk do t’i kishim bërë të njëjta gabime që i kemi bërë në rrugëtimin tonë. Po të kishte elita politike kosovare një eksperiencë më të gjerë; po t’i kishte gjysh-stërgjyshërit ndërtues shtetesh dhe kulturash të ndryshme politike, nuk do t’i kishin bërë ato gabime. Në këso rastesh duhet inkurajuar klasën politike kosovare, për të thënë se kemi arritur shumë. Çka është arritur? Kosova filloi ta plasë atë cipën identitare, por jo edhe të dal mbi vetveten. Kosova ka arritur që të identifikohet me shumë ngecje, me shumë gabime, me shumë peripeci, diku me dije – diku pa vetëdije. Pra, jo klasa politike kosovare, kushdo që të jetë ajo, jo elita politike, por Kosova si koncept, ka arritur pjekuri dhe përgjegjësi ndaj popullit. Kosova ka treguar se ndodhet në fqinjësi të mirë, dëshiron të reflektojë stabilitet, por në anën tjetër, Kosovës i mungon shumëçka. Pikësëpari shtetbërja, organizim i strukturave shtetërore. Shpesh ndodhë që fajin t’ia hedhim një ministrie. Të gjitha shtetet kur krijohen mendohet se Ministria e Jashtme është kryesorja, por ajo është vetëm njëra prej ministrive që reflekton politikën e brendshme të një shteti, por kurrsesi t’i jepet ajo vlerë që i jepet në Kosovë. Tash e tutje Kuvendi i Kosovës do t’ia numërojë brinjët atyre që nuk janë nën nivelin e llogaridhënies. Pra, mund të them se rrugëtimi i Kosovës për të krijuar stabilitet dhe për të vënë dialog me fqinjët, është i suksesshëm. Unë nuk e shoh të dhimbshëm dialogun, sepse edhe kur e ndërton një shtëpi – njeriu duhet të dialogojë, se çka do të bëjë me tutje, sepse ne jemi njëra nga hallakat prej të cilave hyhet në Bashkimin Evropian.

RADIO KOSOVA: Profesor, Ju jeni autor i një libri shumë të arrirë për këtë çështje – “Identiteti dhe shtetësia”, dhe unë po e shfrytëzoj këtë intervistë për të marrë vlerësimin tuaj: sa ka arritur Kosova që gjatë kësaj periudhe ta krijojë identitetin e vet shtetëror dhe të bëhet pjesë, fillimisht e partneriteteve rajonale, e pastaj edhe më gjerë në skenën ndërkombëtare?

MARTIN BERISHAJ: Kosova e ka arritur këtë, sepse ka qenë projekt ndërkombëtar, dhe çdo gjë që është arritur – është bërë me mbështetjen e fuqishme të SHBA-së, BE-së, e më tutje. Nuk është bërë më e mira, por ne synojmë të realizojmë më të mirën. Gabimet historike që të tjerët kanë bërë mbi ne, dhunimet historike që janë bërë mbi ne, sot kanë dalë në sipërfaqe, prandaj fuqitë e mëdha sot po na mbështesin. Identiteti kosovar?! Unë nuk parapëlqej të flas për identitetin kosovar, sepse ekziston identiteti shqiptar. Ne jemi banorë të një shteti që quhet Kosovë. Këtu do të lidhesha me problemin e konceptit të identitetit dhe shtetformësisë, sepse shtetësia është kontratë e shtetit me individin, kurse identiteti është diçka më ndryshe. Nëse nisemi nga fakti që ju pyesni, se sa është arritur që Kosova të identifikohet, mund të them se ajo do të vlerësohet që sot e tutje. A do të jetë Kosova e prirë që ta vazhdojë konceptin nacional? Kur më pyesin se çka mendoj për Kosovën – unë përgjigjem: po të ishte koncept nacional – koncepti im do të ishte bashkimi etnik, bashkimi me Shqipërinë. Por, sot ka ardhur ajo ditë dhe Kosova ka kapërcyer pragun e projektit ndërkombëtar. Unë nuk po them se do të bëhet bashkimi i Shqipërisë, por do të kthehemi kah Shqipëria për të shkuar bashkë me të në Evropë.

RADIO KOSOVA: Përfundimi i mbikëqyrjes ndërkombëtare, realisht, nuk nënkupton edhe largimin e plotë të pranisë ndërkombëtare nga Kosova. Këtu do të mbetet EULEX-i dhe KFOR-i. Sa do të jetë Kosova sovrane që nga nesër, apo jeni në periudhën kur për asnjë shtet nuk mund të flitet për sovranitet të plotë?

MARTIN BERISHAJ: Sovraniteti si koncept juridik, por mbi të gjitha sovraniteti si koncept ekonomik, është modifikuar në 10-30 vjetshin e fundit. Mirëpo, mbi të gjitha, është shumë me rëndësi që Kosova të formojë diçka që quhet “shteti i të drejtës”. Kosova dhe elita politike kosovare nuk do të kenë probleme me misionet ndërkombëtare që do të vazhdojnë të jenë në Kosovë, mirëpo afati kohor i caktuar, i EULEX-it në këtë rast, tregon shumë qartë pjekurinë e politike të Kosovës, mbështetjen e fuqishme në shtetformimin e saj. Pra, nga sot e tutje – është ditë e re; nga sot e tutje – Kosova duhet ta kuptojë se e ka shtetin. Ndonëse ne nuk e kemi krijuar atë në të gjitha poret e tij, në fakt këtë ne nuk kemi arritur ta bëjmë as përmes projekt ndërkombëtar, siç është sovraniteti në veriun e Kosovës. Por, Kosova, që nga sot – duhet ta ketë një ofertë tjetër. Që nga sot e tutje – elita politike kosovare nuk do të mund të thotë: do ta kishim bërë këtë çështje, por nuk mundemi! Oferta e shtetit të Kosovës – sot e tutje, për shtetasit kosovarë, duhet të jetë shumë e qartë, ndërsa pozicioni i shtetit të jetë jashtëzakonisht strikt. Askush mbi ligjin nuk mund të dal! Nga ky fakt del ajo që quhet rule of laë, pra shteti i të drejtës. E, nëse ne do të jemi të gatshëm ta krijomë këtë shtet të së drejtës – atëherë do t’i kapërcejmë këto barriera. Në fakt, integrimi i pakicave sot është problemi civilizues i elitave politike.

RADIO KOSOVA: Çfarë, realisht, duhet të përmbajë oferta e Prishtinës për pjesën veriore të Kosovës dhe si e shihni rrugëzgjidhjen e problemit më të më të madh për Kosovën, në kontekstin e dialogut me Serbinë?

MARTIN BERISHAJ: Ofertën nuk do ta kisha ndarë në pjesën veriore apo jugore. Kosovën nuk dua ta shoh si problem jugor apo verior. Oferta duhet jetë për shtetasin kosovar, shumë cilësore, shtetërore dhe shumë e prekshme. Duhet të jetë e besueshme. E kjo duhet të bëhet përmes tri shtyllave të pushtetit qendror. Problemi i veriut na ka dalë pikërisht nga mungesa e tri shtyllave të pushtetit në qendër. Nga sot e tutje, natyrisht, oferta duhet të jetë shumë më e qartë, duhet të jetë e identifikueshme. Shteti duhet të identifikohet në tërë territorin e vet. E si identifikohet? Pikërisht përmes këtyre tri shtyllave të pushtetit. Dialogu është vetëm njëra nga rrugët që e shtron ofertën. Ideja ime është që të ketë sa më tepër shtet, sa më tepër organizim të shtyllave të pushtetit.

RADIO KOSOVA: Pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, ende nuk e njohin pavarësinë Kosovës, ndërsa ajo synon integrimin e plotë në këtë union. Tani e tutje – a mund të presim ndryshim të qasjes së Brukselit ndaj Prishtinës?

MARTIN BERISHAJ: Unë mendoj se Brukseli nuk do t’i ndërrojë format e veta të anëtarësimit për shkakun tonë. Në fakt, ne duhet të organizohemi dhe të tregojmë se kemi harmonizuar gjithçka që Brukseli na ka ofruar, sepse ne nuk jemi në pozitë të bëjmë ofertë për BE-në, por ne ta përmbushin ofertën që Brukseli na ka ofruar. Në organizmin shtetëror nuk ka ministri të rëndësishme, apo të parëndësishme, por është qeveria ajo që e përcakton rrugëtimin që do ta bëjë shteti në mënyrë të harmonizuar. Nuk është e mjaftueshme që të kemi vetëm një ministri të suksesshme e të tjerat më pak të suksesshme. Janë shumë me rëndësi qasjet ndaj pushtetit. Ato duhet të jenë qasje – siç i ka e gjithë bota – për ta forcuar shtetin. Pa forcimin e shtyllës së gjyqësorit, Kosova nuk mund t’i thotë vetes shtet modern.

RADIO KOSOVA: … dhe pastaj edhe të tjerët do të na pranojnë më lehtë dhe mund të kemi të tjera njohje për shtetin e Kosovës, sepse kur flasim për Kosovën në skenën ndërkombëtare, i gjithë fokusi përqendrohet tek sigurimi i njohjeve.

MARTIN BERISHAJ: Sigurimi i njohjeve është bërë një mishmash i paparë, sepse nuk funksion Ministria e Punëve të Jashtme. Ajo funksionon, por funksionon për dreq, sepse në atë ministri personalizohen politikat, sepse aty nuk qëndrohet pas projektit, por pas emrit. Është shumë me rëndësi që Kosova të personalizohet me projekt. Kosova duhet të punojë në organizim dhe jo në centralizim të shtetit. Politika e Jashtme e Kosovës është bërë peng nga partitë politike, ajo duhet të funksionojë në rrafshin shtetëror, në mënyrë apartiake./RTK/

Intervistoi: Gjylie Rexha