Lidhja Demokratike në MZ, shënoi 22 vjetorin e themelimit

Ashtu si edhe e kishin paralajmëruar, në mënyrë modeste e pa pompë, Lidhja demokratike në Mal të Zi, shënoi 22 vjetorin e themelimit, në koktejin e rastit, në restorantin “Verdi”. Në këtë tubim ishin të pranishëm udhëheqësit më të lartë të kësaj partie, udhëheqësit e degëve të saj,  si dhe  anëtaret e  Kryesisë  së Degës Malësisë. Paraprakisht, kreu partiak kishte mbajtur mbledhjen e rregullt të Kryesisë kushtuar zgjedhjeve parlamentare dhe përgatitjes së kësaj partie për të marrë pjesë në to. Të pranishmit në koktej, në emër të shtëpiakut i përshëndeti Nikollë Camaj, kryetar i Degës së Malësisë, kurse fjalën përshëndetëse e pati kryetari i LDnëMZ, z. Mehmet Bardhi. Që të dy përshëndeten të pranishmit, anëtarët dhe mysafirët dhe, mbi të gjitha falënderuan përkrahësit dhe aktivistët e kësaj partie të cilët tash 22 vite u qëndruan besnik orientimeve programore të saj, por edhe aktivistët e rijnë që janë kyç  këtij subjekti  gjegjësisht Degës së Malësisë, të cilët shohin në LD subjektin më autentik shqiptar në Mal të Zi.

Nga fjalët e rastit u dëgjua dëshira që përvjetorin e ardhshëm ta shënojmë në Komunën e plotë të Malësisë, por edhe shpresat se edhe në këtë pjesë të Ballkanit do të fryjnë erërat e një demokracie të plotë e të vërtetë, ku shqiptarët do ta kenë vendin e merituar. Më gjerësisht u fol për aktivitete konkrete lidhur me realizimin e projektit të komunës së plotë të Tuzit, u  fol edhe për zgjedhjet e  ardhshme parlamentare e që me ligjin e ri  zgjedhor shqiptarëve ua  vështirësojnë  pjesëmarrjen  në parlament  e kështu  me radhë.
Kryetari i LD në MZ Mehmet Bardhi, duke i përshëndetur anëtaret e kryesisë së  LD-së, anëtaret e Kryesisë së Degës Malësisë, ku  u mbajt takimi, shprehi pakënaqësi me të arriturat  nërealizimin e kërkesave të shqiptareve ne Mal te Zi, E një prej atyre kërkesave është  themelimi i Komunës së Tuzit. Ai shtoi se nuk janë  të kënaqur me rezultate që kanë bërë deri me tani, por që kanë arrit që në zgjedhjet e para shumë partiake të jenë në të gjitha komunat ku janë shqiptarët  autoktonë e që  sa i përket  LDnëMZ  janë ballë haptë  gjithkund ku shkojnë pasi që ata as për një vend punet, as për një funksion, as për një thes çimento e as për një metër asfalt, nuk e kanë  ndërruar  programin e tyre  dhe nuk i kanë shit interesat e tyre kombëtare. Sipas  Bardhit ata gjithmonë u kanë dal zot interesave  të shqiptarëve  e me qenë  se shqiptaret  janë në token e tyre ata edhe duhet të qeverisin me të mirat  e tyre ekonomike, por njëkohësisht edhe të jenë subjekt politik që të përfaqësojnë shqiptarët në institucionet e ndryshme sot në MZ.
Edhe Kryetari i Degës së Malësisë Nikollë Camaj, duke i përshëndetur anëtaret  e  Lidhjes Demokratike, anëtaret e  Kryesisë Partisë dhe Kryesisë  së Degës, anëtaret e Degës  nga Plava, miqtë dhe  dashamiret e çështjes kombëtare , adhuruesit e veprës së Lidhjes Demokratike, shtoi se përvjetori  kësaj herë është organizuar në mënyrë mjaft modeste, pasi që kanë pas një mbledhje pune, por që e kanë parë të arsyeshme që të takohen dhe, në këtë mënyre, të mos e kalojnë këtë datë pa shënuar,  meqenëse në mendjen, zëmrën dhe në memorien e  të  gjithë neve është  ngulitur kjo datë, është ngritur  ky emër,  dhe  se fati ynë politik , por edhe i jetës dhe i familjeve tona është rrënjësisht i lidhur me këtë subjekt.
‘’Ne që i kemi shërbyer këtij subjektit tash më se 22 vite me ngritje me  ramje , me pozita e pa pozita me privilegje e me sakrifica, gjithsesi kemi çka të thomi. Duhet ditur se Lidhja Demokratike, në gjithë jetën e saj 22 vjeçare ka pasur sfida të shumta që nga themelimi, kundërshtarë, njerëz të infiltruar, tentativa për ta shkatërruar me themel që nga themelimi. Besoj se struktura qe i ka shërbyer  që tash 22  vite, ka qenë e vetëdijshme gjithë atyre presioneve gjithë asaj trysni që i është bërë këtij subjekti.  Megjithatë erdhëm të gjithë së bashku deri  këtu. Sot jemi përsëri para një  sfide të re, sepse zgjedhjet parlamentare në frymën e ligjit të ri nuk janë në favor të subjekteve nacionale, për aq më pak të një subjektit që me fanatizëm ka ruajt ato vlerat, prej të cilave partitë tjera kanë hjekur  dorë shpejte’’.
Camaj shtoi se ajo që i gëzon Degën e Malësisë është kyçja e një numri të konsiderueshëm të rinjsh e të rejash , shumica prej këtyre me fakultet, ndër ata dy vajza me fakultet, të cilët i kanë hetuar këto vlera dhe se nuk kanë ardhë aty për emrin e kurrkujt, por vetëm për emrin e  subjektit të parë të shqiptareve në Mal të Zi, për hir të vlerave që i ka kultivuar ky subjekt.
Vlen të ceket se Lidhja  Demokratike ne Mal te  Zi  është subjekti i parë nacional i shqiptarëve në Mal të Zi, që u formua më 09. 09.1990, në Tuz, ku kryetar i Kuvendit themelues ishte zotëri Lekë Lulgjuraj.

Albert Camaj