Ditëlindja e dymbëdhjetë e Malesia.Org

Dymbëdhjetë vite më parë, saktësisht me 14 Shtator të vitit 2000 në Tuz të Malësisë nisi punën portali Malesia.Org.

Qëllimi i misionit tonë ishte që Malësia të ketë një portal, një dritare të vet në internet, një vend në të cilin gjendja në Malësi të paraqitet ashtu si është, ku fjala e lirë të jetë në vend të parë. Ky dhe ishte qëllimi kryesorë, gjë që deri diku dhe ja kemi arritur.

Gjatë këtyre dymbëdhjetë viteve u përpoqëm që lajmet e ngjarjet e përditshme, aktivitetet kombëtare e kulturore dhe tjera aktivitete nga Malësia t’i paraqesim sa më saktë dhe shpejt. Po ashtu edhe aktivitetet e diasporës tonë e cila numëron më shumë se gjysma e Malësisë. Në këtë mënyre diaspora ishte më afër Malësisë dhe anasjelltas por edhe Shqipëria, Kosova dhe trevat tjera shqiptare të jenë më pranë realitetit në Malësi.
Në portalin tonë gjithashtu mundësuam shoqatave e organizatave të profileve të ndryshme, subjekteve politike, individëve e gazetarëve të paraqesin shkrimet, opinionet e kumtesat e tyre, që jo domosdoshmërish paraqesin këndvështrimin tonë.
Po ashtu me përkushtim të veçantë kontribuam në ruajtjen e traditës, kulturës dhe gjuhës shqipe në trevat shqiptare në Mal të Zi e posaçërisht në Malësi, dhe përkrahëm çdo iniciativë që ka këto qëllime.

Ishte një rrugë aspak e lehtë e cila kërkoi kohë, vullnet, guxim dhe përkushtim të përditshëm në kushte minimale me një staf amator e vullnetarë, por i cili përpoq që punën ta kryej në nivelin profesional, shpesh duke i lënë punët e obligimet private për të ja përkushtuar kohën punës në portal.
Gjatë këtyre viteve nuk munguan lëvdatat, përkrahjet, po ashtu u ballafaquam edhe me kritika si dhe sulme, e të cilat i morëm si pjesë përcjellëse e punës që kryejmë.
Megjithatë puna jonë u shpërblye me përkrahjen e madhe të lexuesve tonë, gjë që bëri që sot Malesia.Org është ndër portalet më të njohura dhe vizituara shqiptare, me më shumë se 5000 vizita në ditë.
Punën tonë e vlerësuan edhe shumë shoqata e organizata të profileve të ndryshme si në Malësi ashtu dhe në diasporë.

Me këtë rast falënderojmë “Fondin Humanitarë Malësia” nga New York-u, i cili në 12 vjetorin e ekzistencës të portalit na dërgoj një donacion, ndihmë e cila do të shfrytëzohet për nevojat e mirëmbajtjes së portalit. Gjithashtu falënderojmë dhe “Shoqatën Dedë Gjon Luli” nga New Yorku dhe “Shoqatën Atdhetare Malësia e Madhe” nga Detroiti të cilët çdo herë ishin të gatshëm të na përkrahin moralisht dhe materialisht.

Urime 12 vjetorin me shpresën që së bashku do të festojmë edhe shumë përvjetor tjerë.

 

Furra Tahiri