Emina Çunmulaj: Si u njoha me miliarderin që më vodhi zemrën

Është shumë e gjatë dhe ka një finesë që rrallë e sheh. E gjejmë në mesin e konkurrentëve të “Miss&Mister Albania”, dhe ajo dallon midis tyre, jo vetëm nga gjatësia apo hijeshia. Emina Çunmulaj ka fituar (ose ndoshta e ka të lindur) sjelljen e një supermodeleje. Kur komunikon me të zbulon se ajo është një vajzë e thjeshtë, e çiltër dhe e dashur. Thotë se është krenare për origjinën e saj, të cilën nuk e ka fshehur kurrë, përkundrazi, e përshkruan Shqipërinë si një nga vendet më të bukura të botës. E ftuara e nderit në spektaklin e bukurisë “Miss & Mister Albania”.

Ke mbërritur pak orë më parë në aeroportin e Tiranës… Kush të priti?
Erdhi më mori Fadil Berisha në aeroport, me të cilin jemi edhe miq shumë të ngushtë.
Si të duket Shqipëria, Tirana?
Kisha gati dy vjet pa ardhur. Më pëlqen shumë Shqipëria, dhe Tirana për mua është një qytet i veçantë e i bukur. Është plot me njerëz të rinj në moshë. Është një shtet me energji, që ka dëshirë të bëjë gjëra. Për arsye pune në Shqipëri vij rrallë, kurse në Mal të Zi shkoj më shpesh.
Ku jeton familja jote?
Familja ime jeton në Mal të Zi. Prindërit e mi janë me origjinë shqiptare nga Mali i Zi, më saktësisht nga rrethinat e Tuzit.
Ti, ku ke lindur? Si je larguar nga vendlindja?
Unë në fakt kam lindur në Amerikë. Kur isha pesë vjeçe, bashkë me familjen u kthyem nga Amerika në Mal të Zi. Babai donte që të rriteshim në vendlindje, me kulturën shqiptare dhe të shkonim në shkolla të gjuhës shqipe. Pastaj në moshën 15-vjeçare u regjistrova në konkursin “Elite Model Look”, ku përfaqësova Jugosllavinë dhe fitova çmimin e parë. Kështu nënshkrova edhe kontratën për agjencinë e modës “Elite”.
Përgjatë këtyre viteve në pasarela, njerëzit përreth, e dinin origjinën tënde? Kur i tregoje për Shqipërinë, të shihnin çuditshëm?
Gjithmonë shfaqin kuriozitet, sepse nuk kanë takuar herë tjetër një modele shqiptare. Më pyesin mbi Shqipërinë si shtet, si është situata apo gjendja në të. Dhe unë gjithë kohës kam thënë se është një prej bregdeteve më të bukura në botë. U sugjeroj që të vijnë në Shqipëri për të kaluar pushimet verore.
Modele të tjera shqiptare ka pak?
Nuk ka shumë. Në përgjithësi modelet që bëjnë “high fashion”, domethënë që janë pjesë e pasarelave dhe revistave të mirënjohura si “Vogue”, “Elle” e “Marie Clarie” fatkeqësisht nuk ka. Por shpresoj që në të ardhmen, me agjencinë “Emina Models” të gjejmë Eminën e dytë.
Domethënë ke hapur një agjenci tënden?
Po, kam hapur një agjenci që vepron në Amerikë, por është një agjenci që krijon kontakte me vajza nga e gjithë bota, dhe u krijon mundësi vajzave që të lidhen me agjenci të njohura në New York, në Francë, në Londër, në Gjermani etj.
Cilat janë kushtet që duhet të plotësojë një vajzë për t’u bërë pjesë e agjencisë tënde?
Duhet të jetë një vajzë e thjeshtë sikur kam qenë unë në moshën 15-16 vjeçare, e gjatë, me një fizik të mirë, dhe sigurisht një sjellje të mirë.
Ka rëndësi dhe sjellja domethënë?
Sjellja është kryesorja. Nëse një vajzë, bën qoftë edhe një gabim në sjellje, unë do ta ktheja mbrapsht, do ta përjashtoja.
Cili mund të jetë një gabim që do ta pezullonte?
Për shembull, nëse vajza nuk ka mbushur moshën 18-vjeçare nuk duhet të shkojë në club. Nëse do e bënte një veprim të tillë nuk do e falja.
Si po ndihesh në mesin e Miss-ave shqiptarë? Si po të duken?
Janë fantastikë, janë të gjithë shumë të bukur. Besoj se konkurrenca do të jetë shumë e fortë.
Ia ke vënë syrin dikujt?
Ua kam vënë syrin disave (qesh). Mund të them që vërtet konkurrenca është e fortë dhe nuk e di se kush do të mund të fitojë. Të shohim.
Si të duket organizimi i një konkursi bukurie në Tiranë? Arrin në nivelet e atyre që je mësuar të shohësh atje ku punon?
Po ashtu fantastik. Është hera e parë që po vizitoj televizionin “Klan” dhe po shoh një organizim shumë të mirë, një sallë të mrekullueshme… Po më pëlqen shumë.
Flasim pak për jetën tënde në Amerikë. Si është një ditë e jotja atje?
Nëse kam punë zgjohem që në orën 6 të mëngjesit dhe ora shtatë më gjen jashtë shtëpisë. Deri pasdite punoj dhe koha më kalon në studio duke bërë foto ose me xhirime. Pjesa që tepron është vetëm relaks. Nëse është një ditë pa punë, sërish zgjohem që në shtatë dhe shkoj në palestër, joga, dhe takohem me shoqërinë për të ngrënë diçka.
Këtu në Shqipëri na kanë ardhur thashetheme që ti ke një lidhje me një djalë shumë të pasur. Është e vërtetë?
(qesh) O Zot! Pyetje vërtet e lezetshme… Jam e lidhur me një djalë që i përket zemrës sime.
Çfarë pune bën ky djali?
(qesh) Është një biznesmen.
Është pjesë e botës së spektaklit, të modeleve?
Jo, është pjesë e botës së hoteleve (qesh). Është pronar i disa hoteleve.
Do na tregosh si je njohur me të?
Jemi njohur para tri vitesh gjatë pushimeve të Vitit të Ri, në një ishull të vogël turistik të Caribian, që është koloni franceze. Një vend shumë i bukur.
Ai është i gjatë si ty?
Është edhe më i gjatë se unë (qesh).
Kemi parë një foto tënden, ku je në shoqëri edhe të David Beckham. Jeni miq?
Është mik me të dashurin tim.
Do martoheni?
Nuk e di (qesh).
Nuk keni folur fare për këtë pjesë?
(qesh) Jam shumë e kënaqur me lidhjen që kam kështu siç është. Nuk dua të prish atë që kam. Kështu që, kur njeriu është i kënaqur me aq sa ka, përse të kërkojë më shumë?!

Adelajda Xhamani Bluetooth