Kush kanë qenë Etërit e mëdhenj të shtetformimit shqiptar në periudhën bashkëkohore dhe cila është trashëgimia që kanë lënë pas?
Kjo pyetje shumë e rëndësishme po bëhet në prag të 100-vjetorit të krijimit të Shtetit Shqiptar. Që ky përcaktim të mos jetë serish fryt i preferencave personale të kalimtarëve të rastësishëm, as i personazheve me njohje të përcipta e të pabazuara, mendoj se vendimmarrja e vlerësimi duhet të sillen vetëm si fryt i rezultateve serioze kërkimore dhe
studimore. Unë mendoj se tri janë periudhat kur do të duhet të verifikohet kryesisht ky kontribut nismëtar shtetformues: së pari, është periudha e Revolucionit Nacional Shqiptar, 1910-1912; së dyti, është periudha 28 nëntor 1912 deri më 3 shtator 1914, që fillon me Shpalljen e Pavarësisë, vendosjen e Qeverisë së Përkohshme, transferimin e pushtetit te KNK dhe më pas te Qeveria e Princit të Parë të Shqiptarëve, Wilhelm von Wied, deri në largimin e imponuar ndaj Tij dhe dezintegrimin material të shtetit të parë shqiptar në epokën bashkëkohore; dhe së fundi, periudha nga dhjetori 1918 deri më 9 nëntor 1921, që korrespondon me dy përpjekjet serioze për rithemelimin shtetëror dhe rinjohjen ndërkombëtare, pas Luftës së Parë Botërore nga Qeveria e Durrësit dhe qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës.
Çfarë ishte Shqipëria e fillimshekullit XX?: Shqipëria e vogël ka qenë një vend me një prapambetje të thellë të trashëguar nga Perandoria Otomane, prapambetje që e kishte shkëputur atë nga rrjedhat normale të përparimit ekonomik, arsimor dhe kulturor europian, e kishte shndërruar në një geto të varfërisë masive në zemër të kontinentit të vjetër, një vend që e kishte të vështirë të gjeneronte aftësi vetëqeverisëse e të zhvillonte rende institucionale dhe shtet të bazuar mbi forcën e ligjit dhe konstitucionit Një problem mjaft i rëndë që paraqitej në tërësi në shkallë vendi ishte prapambetja arsimore dhe kulturore, e shkaktuar nga ndalimi i arsimimit në gjuhën shqipe gjatë keqqeverisjes së gjatë turke. Ky nivel i ulët arsimor e bënte jashtëzakonisht të vështirë vendosjen e një sistemi modern të qeverisjes demokratike dhe parlamentare, për shkak të përhapjes së gjerë të analfabetizmit dhe pushtetit të pakufizuar që gëzonin bejlerët e krahinave të ndryshme të vendit.
Dhe pavarësisht nga kjo situatë mjaft e rënduar, udhëheqësia liberale me formim të dallueshëm patriotik, jashtë sferave të influencës së agjenturave serbe, greke, turke, malazeze dhe italiane, e dalë rishtazi në këtë periudhë, e rriti këtë vend nga asgjë dhe arriti të promovojë pikërisht këtë vetorganizim të munguar deri në atë kohë.
Shqipëria e parë është “projektuar” nga udhëheqësit popullorë të kryengritjeve të viteve 1910-1912: Isa Boletini, Dedë Gjo’ Luli, Bajram Curri, Riza Bej Gjakova, Çerçiz Topulli, Themistokli Germenji, Muço Qulli, Mehmet Shpendi, me të cilët u bashkëngjitën liderët politikë: Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Dom Nikollë Kaçorri, Hasan Prishtina, Aqif Pashë Biçakçiu, Sotir Kolea, Pandeli Evangjeli, Terenc Toçi, Mit’hat Frashëri etj., dhe udhërrëfyesit ideologjikë: Asdreni, At Gjergj Fishta etj. Atyre u përket merita e vijimit të punës së nisur me kohë nga Abdyl Frashëri e Pashko Vasa, merita e udhëheqjes ushtarake dhe politike, e atij çfarë mund të konsiderohet Revolucioni permanent Nacional Shqiptar. Për këtë, monumentet e para madhështore, në zemrën e Shqipërisë së vitit 2012, do të duhet t’u përkasin pikërisht dhe domosdoshmërish atyre.
Shqipëria politike do të fillojë të formohet në ditë të vështira të vjeshtës 1912 nga një grusht idealistësh kombëtaristë, në udhëtimin nga Bukureshti, në Budapest, pastaj Trieshte, drejt Durrësit e Vlorës, sanksionuar më 28 Nëntor 1912, me ngritjen e flamurit kombëtar shqiptar dhe shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë nga Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Dom Nikollë Kaçorri (monumenti i numrit dy të Qeverisë së Përkohshme nuk do të duhet të vihet në diskutim), Abdi Toptani, Salih Gjuka, Mustafa Kruja dhe figura të tjera të spikatura intelektuale dhe patriotike të kombit shqiptar në rilindje e sipër. Shqipëria politike e Vlorës 1912 u mbrojt diplomatikisht me një mjeshtëri të rrallë nga Mehmet Konica (dua të vë në dukje rolin e jashtëzakonshëm të Mehmet Konicës, si personaliteti shqiptar më i pranishëm në Foreign Office (Londër), jo vetëm në periudhën e marrë në shqyrtim nga ana jonë, por për gati 30 vite me radhë. Në National Archives në Londër janë disa mijëra faqe dokumente me peticione të hartuara nga i lartpërmenduri në mbrojtje të Shqipërisë dhe çështjes shqiptare, nga viti 1912 dhe deri në vitin 1944. Një monument madhështor për atë para Ministrive të Punëve të Jashtme, në Tiranë e Prishtinë, nuk do të ishte një gjë e tepërt, por një detyrim mirënjohjeje i dy shteteve shqiptare), Fan Noli, Faik Konica, Filip Noga dhe Rasih Dino.
Shteti i parë i drejtuar nga Ati politik i Shqipërisë moderne, Ismail Qemali, u transferua qartësisht nga Vlora në Durrës, në marsin e vitit 1914. Veprën e Ismail Qemalit e vijoi me përkushtim Princi i parë i shqiptarëve bashkëkohorë, Wilhelm von Wied, i ndihmuar me devotshmëri nga kryeministri Turhan Pashë Përmeti, ministri i parë i Jashtëm i Shqipërisë, Prenk Bib Doda, Dr. Mihal Turtulli, Dr. Adamides dhe Aqif Pashë Biçakçiu, të penguar të gjithë fuqimisht nga figura e paskrupullt e Esad pashë Toptanit. Në mbrojtjen fizike të Princit Wied qëndruan deri në fund kapedanët e lavdishëm të Shqipërisë: Dedë Gjo’ Luli, Isa Boletini, Bajram Curri dhe Prenk Bibë Doda.
Përpjekjet e para të brendshme më 1912, 1913 dhe 1914, u fundosën nga trazirat sociale, politike dhe fetare, gjegjësisht nga kryengritja e Shqipërisë së Mesme dhe nga përpjekjet uzurpatore të Esad pashë Toptanit, si dhe nga zhvillimet që pasuan fillimin e Luftës së Parë Botërore.
Tre vitet pas Luftës së Parë Botërore, përbëjnë kohën në të cilën rinis procesi i rithemelimit të shtetit shqiptar, në aspektin e brendshëm institucional, ashtu edhe në planin e njohjes ndërkombëtare: kemi rinjohjen e statusit dhe e kufijve të shtetit. Rinisja e vitit 1918 ishte e ngjashme, në aspektin e brendshëm shqiptar, me atë të vitit 1912, por u mbështet mbi një bazë më të gjerë të burimeve njerëzore, arsimore e kulturore. Në drejtimin e populli shqiptar, u ofruan intelektualë dhe fisnikë të vërtetë, të cilët kuptuan drejt që me bashkim mund të rrisnin edhe gjërat e vogla, me mosbashkim edhe të mëdhajat mund t’i shkatërronin. Populli ynë, ndoshta për herë të parë, i përfaqësuar nga kjo klasë intelektuale dhe qytetare e përgjegjshme, diti të ndikojë vetë mbi vendimmarrjen politike europiane, të ruajë të paktën Shqipërinë që kishim fituar më 1913 dhe të mundësojë përfshirjen në diskutim, në planet diplomatike, edhe të disa krahinave që u ishin marrë padrejtësisht në këtë vit. Sërish në këtë periudhë spikasin për përpjekjet e tyre, kryeministri i qeverisë së Durrësit, Turhan pashë Përmeti, Preng Bib Doda Pasha zëvendëskryeministër, Mehdi bej Frashëri, Mehmet bej Konica, Luigj Gurakuqi, Mustafa Kruja, Lef Nosi, Dr. Mihal Turtulli etj., dhe anëtarët e delegacionit qeveritar shqiptar në Konferencën e Paqes, me këtë përbërje: Imzot Luigj Bumçi, Mid’hat bej Frashëri, Mehmet bej Konica, Luigj Gurakuqi, Pader Gjergj Fishta dhe Lef Nosi (në delegacion në kohë të ndryshme janë bashkëngjitur Turhan Pasha, Dr. Mihal Turtulli).
Mbledhja e të gjithë përfaqësuesve të Shqipërisë që u mbajt në Lushnjë, në janar 1920, kreu transferimin e pushtetit nga Qeveria e Durrësit në Qeverinë e re me kryeqytet në Tiranë. Qeveria e Durrësit që drejtohej nga Turhan Pasha u zëvendësua me një tjetër, dhe në krye të vendit u vendos Aqif Pashë Elbasani, një nga njerëzit më të respektuar në rrethet atdhetare shqiptare. Në Kongresin e Lushnjës morën pjesë delegatë nga Kosova, Luma, Pogradeci, Korça, Kolonja, Leskoviku dhe praktikisht të gjitha krahinat e Shqipërisë së Jugut dhe Qendrore. Abdi bej Toptani i Tiranës, Ahmet bej Zogolli i Matit, Aqif pashë Elbasani, tre njerëzit më të fuqishëm të Shqipërisë Qendrore, morën pjesë në Kongresin e Lushnjës si delegatë. Meqenëse Princ Wied-i nuk kishte abdikuar, nga pikëpamja kushtetuese, Shqipëria konsiderohej edhe më tutje një principatë. Prandaj delegatët zgjodhën një Këshill të Regjencës, të përbërë prej katër anëtarësh, nga secili prej katër komuniteteve fetare në Shqipëri, figura të ndritura dhe të provuara të patriotizmës së kulluar: Aqif Pashë Elbasani, Ipeshkvi Luigj Bumçi, Abdi Toptani dhe Dr. Mihal Turtulli. Delegatët formuan një kabinet të ri ministror të përbërë nga: Sulejman Delvina-kryeministër, Mehmet Konica-ministër i Punëve të Jashtme, Ahmet Zogolli-ministër i Brendshëm (Ai do marrë pjesë personalisht edhe në çlirimin e qytetit të Vlorës nga trupat italiane në verën e vitit 1920, por merita më e madhe është qasja e tij modernizuese e shtetit në rrjedhën e viteve 1930, që la pas pozicionet konservatore të ndjekura gjatë viteve 1920) etj. Kongresi zgjodhi edhe këtë delegacion për në Konferencën e Paqes në Paris, të përbërë sërish si vijon: Imzot Bumçi, Dr. Mihal Turtulli dhe Mehmet Konica. E gjithë fryma liberale, demokratike, kombëtariste dhe europianizuese është promovuar në periudhën vijuese nga një klasë e tërë politikanësh e udhëheqësish të ndritur evolucionarizues, mes të cilëve spikasin Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Stavri Vinjau, Pader Gjergj Fishta dhe krahu i ndritur i trimërisë dhe djalërisë vlonjate dhe shqiptare, Avni Rustemi.
Etërve të Kombit u përket merita e madhe se krijuan Shqipërinë, shtetin shqiptar, e konceptuan atë në shtrirjen e vet të natyrshme territoriale etnike, krijuan institucionet e para dhe formatuan bazamentet mbi të cilat ky shtet do të duhej të përvijohej në të ardhmen: konstitucionalizmin, shekullarizmin, parlamentarizmin, demokracinë liberale dhe hodhën orientimet e para deotomanizuese e për rrjedhojë europianizuese të shtetit, ndërtuan një shtet me shtylla të balancuara realisht nga pikëpamja e orientimeve kulturore brendashqiptare. Ndër sukseset e mëdha të themeluesve është bashkimi ndërfetar dhe toleranca e admirueshme që ngjalli dëshira e thellë dhe e përgjithshme për pavarësi dhe për shmangien e copëtimit tokësor të vendit. Etërit e kombit modern shqiptar patën meritën se ndërtuan për herë të parë bazat e përfaqësimit ndërkombëtar të Shqipërisë, bënë përpjekjen e parë për ndërtimin e administratës dhe shtrirjen e saj në të gjithë trevat shqiptare, u rezistuan në mënyrë të paepur, për muaj me radhë, përpjekjeve të jashtme dhe të brendshme për të dekurajuar përpjekjen për shtetformim dhe për ta shkatërruar atë në fillesë. Merita e madhe e Etërve të kombit është krijimi i një sistemi arsimor që filloi gradualisht, por gjithnjë në rritje, ta nxjerrë vendin nga prapambetja e thellë arsimore dhe kulturore.
Dorëheqja e Ismail Qemalit në janar të vitit 1914, nuk ishte tërheqje, por një Kompromis i Madh në emër të vazhdimësisë së Shtetit Kombëtar Shqiptar, me njohje ndërkombëtare dhe me garanci europiane, kompromis në emër të unitetit kombëtar shqiptar, shprehje e vetëdijes së lartë politike dhe qartësisë që duhet të kenë burrat e mëdhenj të shtetit. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për largimin e Turhan Pashës më 1920 nga drejtimi i qeverisë. Ata u dorëhoqën, jo për t’u larguar nga angazhimi i tyre shtetformues e patriotik, por për t’i ridimensionuar dhe përfshirë të gjitha prirjet politike shqiptare, në një nismë të re shtetformuese, të kontrolluar nga Fuqitë dhe të garantuar nga ato, apo drejt një linje më të pranueshme në planin e brendshëm politik.
Ndihmesa e Ismail Qemalit dhe etërve të tjerë të Shqipërisë politike të vitit 1912 edhe në periudhën vijuese është një shembull i qartë për këtë. Shteti shqiptar vërtet u dezintegrua në rrjedhën e vitit 1914, por kjo nuk erdhi për shkak të përzgjedhjeve të gabuara të kësaj klase, as për shkak të mungesës së angazhimit të tyre, as për shkak të dobësisë që tregoi Princi i parë i shqiptarëve, Wilhelm von Wied, që, për hir të së vërtetës, u përpoq me mjaft ndershmëri dhe gjerësi të ndiqte veprën e nëntoristëve shtetformues të Vlorës së vitit 1912 dhe në unison me ata. Dezintegrimi i shtetit shqiptar erdhi për shkak të një sipërmarrjeje të koordinuar nga forcat otomaniste të suportuara nga pushteti xhonturk, nga shovinstët serbë, grekë dhe malazez, në rrethanat e prishjes së konsensusit ndërkombëtar dhe shkatërrimit të Koncertit të Fuqive që themeluan, njohën dhe “garantuan” Principatën e Shqipërisë më 1913. Monumenti i Princit të Parë të Shqiptarëve, Wilhem von Wied, ashtu sikurse nderimi i përshtatshëm për veprën mbështetëse të kundëradmiralit britanik Sir Cecil Burney, kolonelit britanik Phillips, kolonelit holandez Tomphson, ministrit të Jashtëm austro-hungarez Berchtold, ambasadorit austro-hungarez në Londër, kontit Mensdorff, ekspertit austro-hungarez në mbrojtje të çështjes shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, Baronit Nopsca, Miss Edith Durham, përfaqësuesit italian në Komisionin e Caktimit të Kufirit verior të Shqipërisë, Marafini. (Marafini është ndër ata shtetas italianë, që mbrojtën me ndershmëri të drejtat historike të popullit shqiptar në këto kohë të vështira), presidentit amerikan Woodrow Wilson, ekspertit britanik, J.S. Barnes (që propozoi ndryshimin e kufirit veriperëndimor dhe verilindor të Shqipërisë në të mirë të shtetit të rinjohur shqiptar më 1921, për të rivendosur të drejtën dhe arsyen në vend), do të duhet të jenë akte normale vlerësimi për ato personalitete të huaja, që iu bashkëngjitën me ndershmëri përpjekjes së brendshme për themelimin dhe rithemelimin e shtetit.
Trashëgimia që lanë pas Etërit Shtetformues nuk është vetëm simbolike, por mbi të gjitha është bazore, kuptuar ky bazament si konstitucion ndërtimor juridik, si planvendosje strategjike gjeopolitike në Ballkan dhe në Europë, si politikë e përhershme nacionale dhe patriotike, si shtyllëformim kulturor trenomësh, si ekuilibër dhe tolerancë e brendshme aksiomatike dhe si shekullarizëm e laicizëm në shtet. Falë tyre në shtetin modern shqiptar kemi fillimin e rënies së politikave të mbështetura te prijësit dhe te të fortët rajonalë dhe fillimin e ndërtimit të politikave të prirura mbi bazën e interesave kombëtare.
Amaneti që ata kanë lënë pas është Shqipëria, vend serioz, pjesë e dallueshme e Europës së shekullit të ri.