Më 29 nëntor mbasdite, Ismail Qemali u njoftua se Qeveria Perandorake në Stamboll njohu autonominë e Shqipërisë dhe urdhëroi ngritjen e flamurit turk, përbri atij shqiptar në të gjitha zonat ku banonin dhe luftonin shqiptarë në perëndim të perandorisë.
Autonomia, siç dëshmon Eqrem bej Vlora, ishte 34 vjet e vonuar. Ajo duhej të ishte shpallur në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Tani nuk vlente më.
Njohës i vjetër i rregullave administrative, Ismail Qemali i zbatoi ato me përpikëri. Më 1 dhjetor u zgjodh Pleqësia (Kuvendi) me në krye Imam Vehbi Dibrën dhe më 4 dhjetor kjo pleqësi votëbesoi Qeverinë e Ismail Qemalit. Edhe pse qeveria i kish nisur mbledhjet që në datën 30 nëntor, ajo vendosi që mbledhja e parë të konsiderohej ajo e mbasdites së 28 nëntorit të 1912-ës, mbledhja që shpalli pavarësinë e Shqipërisë.
Ndryshe nga sa pritej, qeveria nisi të marrë masa të ngutshme për të administruar territorin e vogël që kontrollohej prej saj. Ajo ngriti ushtrinë kombëtare, xhandarmërinë, policinë, nxori gazetën “Përlindja e Shqipërisë” dhe filloi të urdhëronte përfaqësuesit në të gjithë vendin që të zbatonin rregullat e saj. Qeveria mori në dorëzim fondin e Perandorisë Osmane, duke lënë ligjet e saj në fuqi për administrimin e vendit.
Ismail Qemali e dinte se vendi ishte në gjendje të mjerueshme. Në një dokument atij i njoftohej se në vend kishte vetëm 200km rrugë kryesisht për karvanë, 34 njësi industriale, nga të cilat 18 mulli bloje. Shqipëria që administrohej prej qeverisë së tij nuk kish asnjë metër hekurudhë dhe asnjë port modern ku mund të ankorohej një avullore. Mbi të gjitha, nuk kishte një monedhë kombëtare dhe deri në mes të viteve ‘20 edhe pasi Perandoria Osmane ishte shpërbërë, u punua me lira turke, me sterlina angleze dhe me monedha në njësi floriri.
Zemërimi i Ismail Qemalit për festimet me armë
Por problemi i funksionimit të qeverisë dhe selitë e saj mbeteshin problem. Eqrem bej Vlora, i zgjedhur nënkryetar i Senatit, që mbërriti ato ditë në qytet nga fronti i Himarës, ku po luftohej me grekët, kujton: Këshilli i Ministrave mblidhej në shtëpinë e Ismail beut, por se ku i kishin selitë ministrat e tij, këtë unë s’e mora vesh kurrë…
Më pas, ai kujton takimin e parë me Kryeministrin e Shqipërisë: Oborri, sallat poshtë e lart, shkallët, ishin të mbushura plot nga njerëz që s’i kisha parë kurrë në Vlorë. Të gjithë bisedonin me zë të lartë dhe kur mërziteshin lëviznin diku tjetër pa teklif… Në katin e sipërm ishte një sallon i madh, dera e të cilit ishte krejt e hapur. Përpara saj, njerëzit ngjesheshin e shtyheshin, për të dëgjuar se ç‘thuhej atje brenda. Hyra në sallon. Ismail Beu po rrinte në një divan me një pamje të ligështuar, sa m’u dhimbs.
Problemi më i madh i qeverisë së re mbetej ruajtja e njësisë territoriale të Shqipërisë dhe njohja e shtetit të ri nga Fuqitë e Mëdha. Më 20 dhjetor të 1912-ës, Eqrem bej Vlora po rrinte buzë vatrës në shtëpinë e tij, ngjitur me atë ku flinte Ismail Qemal Beu kur dëgjoi befas disa krisma që erdhën duke u shtuar. Në pak kohë ato u bënë me qindra, siç dëshmon ai vetë në kujtimet e tij:
Qëllohej nga të gjitha dritaret, mijëra gjuhëza flakësh çanin terrin e thellë të natës mjegullore… Dërgova dikë të pyesë në shtëpinë e Xhemil Beut (Ku rrinte Ismail Qemali) po aty nuk dinin gjë. Dola me 20 trima të armatosur të shoh. Nëpër muret e shtëpive kërcisnin plumbat si bizelet në xham. Përpara zyrës së postë-telegrafës gjetëm një turmë prej qindra vetësh që shtinin si të tërbuar në ajër. Atje u zbulua edhe e fshehta. Nga Vjena dhe Parisi kishin ardhur telegrame private që thoshin se Konferenca e Ambasadorëve kish njohur në parim “Pavarësinë e Shqipërisë”!
Në fakt telegramet nuk gabonin. Më 17 dhjetor të 1912-ës Konferenca e Ambasadorëve në Londër, me insistimin e Austro-Hungarisë, mori në shqyrtim çështjen shqiptare. Ajo pranoi në parim njohjen e vendit të ri dhe deklaroi hapjen e diskutimeve për kufijtë e tij.
Eqrem bej Vlora rrëfen sesi në natën e 20 dhjetorit:
Në mesnatë gjithë qyteti vërshoi në shtëpinë e Ismail beut për ta uruar për suksesin e Qeverisë së Përkohshme. Ai ishte i zemëruar: “keq shumë filloi kjo lojë?! ç‘është kjo sjellje e çmendur?! Që në hapat e saj të parë Shqipëria u prit me këto krisma të marra!
Ismail Qemali kish të drejtë, por në 100 vitet e ekzistencës së saj, Shqipëria do të festonte edhe shumë herë të tjera me krismat e armëve që çanin qiellin.
Dështimi i marrëveshjes së grekëve për kufijtë
Ndërkohë, pas njohjes “në Parim”, Konferenca e Londrës kish nisur shqyrtimin e kufijve. Fuqitë e Mëdha kishin qëndrime të kundërta në këtë pikë. Duke tentuar të ndalë daljen e Serbisë në det, Austro-Hungaria kërkoi një territor prej 42 mijë kilometrash katrorë për shtetin e ri të shqiptarëve. Ajo nisej nga parimi që shteti shqiptar duhej të shtrihej në ato troje ku shqiptarët qenë mazhorancë dhe në vazhdimësi territoriale.
Rusia dhe Britania kundërshtuan ashpër. Ato sqaruan se kufiri i Shqipërisë duhej të vendosej në varësi të fatit të luftës, por ranë dakord në parim që “ta konsiderojnë” krijimin e një shteti shqiptar. Konferenca vendosi të dëgjojë të gjitha palët e interesuara për këtë çështje.
Më 2 janar të 1913-ës, tre përfaqësues të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, Rasih Dino, Mehmet Konica dhe Filip Noga, u pritën në audiencë nga ambasadorët e Fuqive të Mëdha. Të pajisur me harta, të dhëna dhe argumente të forta historike, të tre përfaqësuesit paraqitën pretendimet shqiptare për krijimin e një shteti prej 57 mijë km/katrorë. Ai përfshinte brenda kufijve të tij trojet e banuara kryesisht prej shqiptarësh nga Mitrovica në Prevezë, duke përfshirë brenda tyre edhe Janinën, Shkodrën dhe Shkupin.
Më 26 janar, Konferenca priti delegacionin grek, i cili i çonte pretendimet e tij thuajse deri në lumin Vjosë, duke futur brenda territorit të shtetit helen Korçën, Gjirokastrën, Përmetin, Himarën dhe disa vise të tjera. Vlora i mbetej Shqipërisë. Grekët këmbëngulnin se për këtë gjë kishin pasur një marrëveshje me vetë Kryeministrin e Shqipërisë. Më 14 prill të 1913-ës Ministria e Jashtme greke njoftonte Delegacionin në Londër se po u dërgonte origjinalin e marrëveshjes sekrete të Ismail Qemalit me kryeministrin grek Theotokis, hartuar më 22 janar të 1907-ës. Ndër të tjera, ajo i kërkonte delegacionit që t’i kërkonte mendim Ismail Qemalit nëse i qëndronte kësaj marrëveshjeje. Nuk dihet ç‘ka ndodhur me të, por në një tjetër telegram, sqarohet se Ismail Qemali i është përgjigjur përfaqësuesit grek:
Në kushtet e reja kjo marrëveshje nuk qëndron!
Shteti grek preu që nga ky moment çdo marrëdhënie me shefin e ri të Shqipërisë. Marrëveshja e Ismail Qemalit me kryeministrin Theotokis, e vitit 1907, është cituar në një seri librash në Greqi, por ajo nuk është botuar asnjëherë e plotë. Askush nuk e ka parë edhe pse, si pasojë e saj dhe e një marrëveshjeje të dytë me një shoqatë pan-helenike, Ismail Qemali është parë shpesh me dyshim si njeri i grekëve. Për këtë, me gjasë, ka luajtur rol edhe fakti që gruaja e tij ishte greke. Por pavarësisht dyshimit kryesisht britanik dhe italian, asnjë rast nuk vërtetohet që Ismail Qemali të ketë favorizuar interesat greke.
Një javë më vonë mbërriti projekti serb, i mbështetur fort nga Rusia, që synonte shtrirjen e Serbisë në dy variante deri në Durrës, ose minimalisht deri në lumin Drin. Duke futur brenda territorit të saj edhe Shëngjinin e Lezhën. Gjatë shkurtit Konferenca dëgjoi edhe pretendimet gjermane dhe ato ruse. Rusët kërkonin që shteti i ri shqiptar të shtrihej në një sipërfaqe prej 12 mijë km/katrorë. Italia mbajti një qëndrim të ngjashëm me Austro-Hungarinë. Por qëndrimet e tyre u dëmtuan rëndë nga rënia e qytetit të Janinës në duart e ushtrisë greke, më 19 mars të 1913-ës. Komandanti turk i qytetit, me origjinë shqiptare, Esad pashë Janina, refuzoi ta ngrinte flamurin shqiptar në qytet pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe refuzoi ta priste si ministër të Qeverisë së Përkohshme të dërguarin e saj Mithat Frashërin. Ndërkohë, deklaroi se M. Frashëri ishte i mirëpritur vetëm si person privat.
Më 19 mars të 1913-ës, në pamundësi për të rezistuar më, ai deklaroi dorëzimin e qytetit. Pas rënies së Janinës, Austro-Hungaria dhe Italia i modifikuan qëndrimet e tyre. Ose më mirë të thuhet pushuan së rezistuari. Tri ditë më pas, më 22 mars të 1913-ës, Konferenca mori një vendim që i njihte Shqipërisë një territor mjaft të ngjashëm me këtë të sotmin. Kufijtë e vërtetë të Shtetit Shqiptar u sanksionuan në Protokollin e Firences, më 1925. Shqipëria shtrihej në një sipërfaqe prej 28748 kilometrash katrorë, nga 57000 që kërkoi Qeveria e Vlorës. Zona të tëra të banuara prej shqiptarësh në Kosovë, në Çamëri dhe në Shkup, iu bashkuan serbëve, bullgarëve apo grekëve. Territori shqiptar, edhe pse u njoh, u përgjysmua.
Ndarja e Shqipërisë mbeti pengu më i madh i Ismail Qemalit. Në kujtimet përpara vdekjes, ai rrëfen: Mbi gjysmën e territorit të vendit tim ja kishin dhënë Serbisë, Malit të Zi e Greqisë. Qytetet më të lulëzuara e rajonet më prodhimtare të vendit i ishin shkëputur atdheut. Shqipëria kishte mbetur gati krejtësisht në zonat më të thata e më shkëmbore.