Garë se kush po dukët më shumë e po flet më bukur
Nuk po bëhet dasmë, konagjegj ,syneti as pagëzim i një fëmije e në dollinë e ngritur të mos thuhet nga folësi se ky aheng po zhvillohet në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë. A po shtiremi si shumë në këtë Nëntorin e madh ? A nuk po zhvillohet garë se kush po dukët më shumë e po flet më bukur ?
Këtyre dy pyetjeve po ia shtoj një pyetje shtesë se a kanë çfarë të përgjigjen këta që po turren në këtë Nëntor kur dikush do pyes se a kanë bërë diçka për kombin në 10 muajt e kaluar të këtij viti jubilar për kombin e mos të kthehemi në vitet e shkuara ?! Përgjigja do të ishte e varfër dhe do të kërkonte hulumtime e dënime për kameleonët që nuk e bën as këmbën e miut për kombin në gjithë këto muaj e vite e tani janë në vrap dhe me “zjarrin”në zemër për atdheun e kombin duan të mbesin në analet historike të këtij Përvjetori të madh . Po janë të mençur këta se me vite kanë heshtur dhe tani kur janë ndezur kamerat i kanë herifat paratë dhe bëjnë e çka nuk bëjnë për t’u parë e për të treguar “atdhedashurinë” e tyre. Flamurin,kombin ,gjuhën dhe atdheun e kishim obligim ta donim e dëshmorët t’i nderonim gjatë gjithë kohës dhe dihet sa e kemi kryer këtë obligim .Për bashkimin e kombit është dashur të punojmë gjithmonë e dihet se sa e kush u angazhua. Dihet edhe se sa kush u ndihmua e u pengua. Angazhimet me aq ngulm të shumë njerëzve e ca institucioneve në këtë Nëntor po m’i ngjasojnë ca individëve që për 11 muaj nuk lënë gjë pa bërë e kur vjen muaji i shenjtë i Ramazanit shkojnë në xhami, mbajnë tespi e flasin fjalë të bukura nga Kurani.
Nëntor i madh dije se disa po të mashtrojnë sepse edhe në 100 vjetorin tënd të madh, jo që nuk u bë gjë për bashkim e unifikim, por u punua shumë për të injoruar angazhimet e individëve e shoqatave që mundoheshin të bënin,qoftë edhe një hap,drejt Bashkimit.
Po vazhdojnë shtirjet edhe në këtë Nëntor dhe dhjetori do të dëshmojë se ishte kjo një garë se kush po dukët më shumë e po flet më bukur e Malësia, Kosova Lindore e trojet tjera etnike do të vazhdojnë për të frymuar vështirë. Do të vazhdojnë të ndjehen të pambrojtur edhe pse ky Nëntor shqiptarët i gjeti e po i lë më dy shtete. Mos më besoni mua lexues të dashur po pyesni ata që u burgosen e u torturuan nga Podgorica e Beogradi me fajin vetëm pse ishin shqiptarë. Reagoni e më thoni çfarë t’u vjen në gojë pasi të flisni me ta. E deri atëherë Ju lus mos të shtirmi si shumë në këtë Nëntor të madh .
Rrahman Jasharaj