Krasniqi: Për Amerikën e jap jetën

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Florin Krasniqi sërish ka akuzuar kryeministrin Hashim Thaçi se e ka fyer atë në baza familjare. Ndërsa, sërish e ka quajtur kreun e ekzekutivit të vendit kryeministër rrugaç. Duke dashur të tregojë se sa e do Amerikën, Krasniqi ka thënë se “unë e jap jetën për sigurinë kombëtare të Amerikës ”.

Në akuzat e tij ndaj kryeministrit Thaçi, deputeti i VV-së ka shkuar aq larg duke thënë se askush deri tash nuk i ka mbetur borxh familjes së tij, dhe nëse është nevoja do të përdorë edhe Kanunin.

Krasniqi ka thënë se kryeministri Thaçi e kishte akuzuar atë në baza personale dhe familjare.

“Unë do t’i përdori të gjitha mjetet legale kundër Hashim Thaçit dhe bandës së tij, për atë që kanë bërë kundër familjes time”, ka thënë Krasniqi në emisionin Rubikon të KTV-së.

Duke argumentuar një deklaratë të bërë më herët se Departamenti Amerikan i Shtetit i mbështet regjimet e korruptuara, Krasniqi ka thënë se “DASH është duke e mbështetur edhe regjimin e Hashim Thaçit”.

Më tej, ai ka thënë se kryeministri është i shantazhuar, duke thënë se ka ardhur në pushtet pas vjedhjes së votave.

“Një njeri që nuk ka prejardhje të pasur dhe tani është i pasur, është kriminel”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, duhet të bindet Amerika se Kosova dhe Shqipëria duhet të bashkohen.

“Politika amerikane për Kosovën, nuk është e shkruar në gur, por në letër dhe ne së bashku mund ta ndryshojmë këtë politikë dhe t’i tregojmë Amerikës së Kosova dhe Shqipëria duhet të bashkohen”, ka thënë Krasniqi në KTV.

Ai ka thënë se “Amerika e di kush jam unë dhe nuk i mashtroj miqtë amerikanë”.

Krasniqi me një fjalë ka lënë të kuptohet se Amerikën e do më shumë se Kosovën.

“Unë e jap jetën për sigurinë kombëtare të Amerikës, përpara se ta jap jetën për sigurinë kombëtare të Kosovës”, ka thënë Krasniqi. /Telegrafi/