Në qendër të Preshevës, para objektit të Kuvendit të Komunës të premten u inaugurua pllaka përkujtimore e Dëshmorëve të Kombit të rënë gjatë luftës së lavdishme të UCPMB-së. Njëzet e shtatë emrat e dëshmorëve, të cilët janë të gdhendur me shkronja të arta, do të jenë udhërrëfyes i gjeneratave të ardhshme.
Shpalosjen e pllakës përkujtimore e bënë kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa, kryetari i shoqatës humanitare “Lugina e Preshevës”, Fazli Musliu, prindi i dëshmorit Ibrahim Fejzullahu dhe fëmijët e dëshmorëve Bardhyl Osmani e Mitat Musliu.
Me intonimin e himnit kombëtar dhe me një minutë heshtje u nderua gjaku i dëshmorëve. “Jemi fatlumë që jemi shqiptarë dhe jetojmë në tokat e stërgjyshërve tanë dhe krenarë që i kemi dëshmorët e kombit, andaj do t’i kujtojmë çdo herë”, tha Ragmi Mustafa në fjalën e tij.
Si raporton Preshevanews, me poezinë e Nurije Osmanit dhe me një koktej u përmbyll ky manifestim i inaugurimit të pllakës përkujtimore të Dëshmorëve të Kombit. Është Nëntori i parë që qytetarët do të festojnë së bashku festën e 28 Nëntorit me dëshirën e të rënëve për lirinë e këtij vendi. /Koha Ditore/