Kanë mbërritur në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë mesditën e së hënës, kushte të larta sigurie, reliket e Skënderbeut, të cilat do të ekspozohen për shqiptarët më 22 nëntor.
Objektet e Heroit tonë Kombëtar erdhën në vendin tonë nga Porti i Durrësit dhe pas mbërritjes në Muze, për 24 orë, përkrenarja dhe dy shpatat e Skënderbeut, si edhe gravura e përmasave të mëdha e kodeksit me të dhënat e jetës së Heroit tonë Kombëtar, do të qëndrojnë të ambalazhuara kështu, siç edhe kanë mbërritur pasi sipas specialistëve, objektet duhet të përshtaten me temperaturat e reja. Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Luan Malltezi thotë se objektet do të ekspozohen në Pavionin e Mesjetës.
“Eshtë përcaktuar që ekspozita do të hapet në Sallën e Skënderbeut pasi aty është vendi më i përshtatshëm. Objektet janë të mbyllura dhe janë të vendosura me kujdes nga vetë specialistët”, thotë Malltezi.
Ekspozita me reliket e Skënderbeut do të qëndrojë e çelur në Muzeun Kombëtar për 45 pas datës 22 nëntor dhe përpos kushteve të tjera të sigurisë, një kamera e posaçme është vendosur saktësisht në mjedisin ku do të ekspozohen armët e përkrenarja e Skënderbeut. Reliket e Skënderbeut janë koleksionuar nga Muzeu i Vjenës prej vitit 1588. /Top Channel/