Princi Leka: Të rivlerësohet vendosja e kufijve më 1913

Me rastin e festës së vitit të ri 2013, Princi Leka iu është drejtuar shqiptarëve me një urim, teksa nuk iu është shmangur edhe deklaratave politike. Ai ka thënë se duhet të rivlerësohet vendosja e kufijve të vitit 1913.

Përveç arritjeve që populli shqiptar ka realizuar, na mbetet ende një rrugë e gjatë derisa të realizojmë aspiratat e rilindasve dhe patriotëve tanë drejt bashkimit kombëtar. Kudo në trojet etnike faktori shqiptar është bërë me i rëndësishëm, madje po bëhet më vendimtar dhe po gëzon mbështetjen e aleatëve tanë të natyrshëm. Duhet të dimë t’i kalojmë divergjencat politike apo krahinore si edhe interesat e ngushta, për ti dhënë përparësi projekteve afatgjata të popullit dhe kombit.

Jo gjithmonë historia ka qenë në favorin tonë. Vendosja e kufijve në vitin 1913 duhet të rivlerësohet në kohën e duhur dhe nëpërmjet një rruge paqësore. Kjo nuk nënkupton qëndrimin pasiv të popullit shqiptar, përkundrazi. Duke rritur nivelin politiko-ekonomik, shoqëror e demokratik kudo që ndodhen shqiptarët, hyrja në Europë do të na gjejë një komb më të begatshëm, më të fuqishëm, më dinjitoz, më të përgatitur e më të besueshëm për realizimin e kesaj ëndërre të madhe .

Padyshim në këtë proces jo të lehtë Familja Mbretërore do të ketë rolin e saj të pazëvendësueshëm si simbol i unitetit kombëtar. Ne do të mbështesim çdo iniciativë në këtë drejtim dhe çdo nismë në mbrojtje të drejtave të shqiptarëve kudo që ata ndodhen, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Çamëri, Luginën e Preshevës dhe trojet e tjera etnike“, ka thënë Princi Leka. /Tema/