Ashtu si edhe vitin e kaluar edhe këtë vit Organizata Joqeveritare “Koha Jonë” me rastin e Festave të Fundvitit ka shpërndarë dhurata për fëmijët me nevoja ekonomike.
Këtë vit u shpërndan 65 dhurata me të cilat u përshinë 25 familje prej tyre 65 fëmijë nga i gjithë territori i Malësisë. Edhe këtë vit fal zemërgjerësisë të anëtarëve të kësaj organizate dhe disa personave të tjerë vullnetar të cilët ishin të gatshëm të ndanin mjete financiare nga buxheti i tyre familjar, u mundësua sigurimi i mjeteve për realizimin e një projekti të tillë human.
Sipas kryetares së OJQ “Koha Jonë” Linda Dushaj fëmijët edhe këtë vit ishin në pritje të dhuratave. “Buzëqeshja në fytyrat e fëmijëve është kënaqësia më e madhe për ne si organizatë, fëmijët të cilët vitin e kaluar kishin fituar dhuratat nga ne ishin në pritje që babagjyshi i improvizuar nga disa nga anëtarët tonë të trokiste në dyert e tyre dhe t’ju jepte dhuratat për Festat e Fundvitit”.
“Unë dua ti falënderoj në emër të grupit të gjithë ata që sado pak kontribuan që edhe këtë vit të realizohet me sukses një aksion i tillë, duke shpresuar se vitet tjera do kemi përkrahje më të madhe nga institucionet përkatëse, por edhe nga qytetarët.” u shpreh Dushaj.
OJQ “Koha Jonë” është një organizatë e re, e formuar nga një grup të rinjsh para diçka më shumë se një viti, e cila gjatë kësaj kohë përpos këtij aktiviteti tepër human, vitin e kaluar shënuan “Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve”, datë e cila për të parën herë në mënyrë të organizuar u festua në Tuz të Malësisë. Qindra fëmijë nga Malësia atë ditë u argëtuan me një program mjaft të larmishëm.
Anëtarët e “Koha Jonë” vitin e kaluar po ashtu morën pjesë edhe në aksionin e mbledhjes së mbeturinave në territorin e Malësisë. /Malesia.Org/