Pavlefshmëria juridike e politike e referendumit të 8 janarit në Plavë-Guci

I.

Referendumi në Plavë-Guci më 8 janar 2013 nuk do të arrijnë të korrin frytet e politikës shovene të Podgoricës, edhe nëse do të marrin votat e fitores, duke pasë parasysh numrin e madh të boshnjakëve, serbëve, malazezëve, etj. në këtë krahinë historike, turistike e kulturore.
Demokracia euro-atlantike ka mjaft mekanizma që e bëjnë të pavlefshëm nga ana politike e juridike, pasi ky referendum në strategjinë e vet ajzberige e ballore ka elementë të diskriminimit e të asimilimit të shqiptarëve në lamitë etnike, fetare, ekonomike, kulturore, etj,.
Mbi të gjitha ky Referendum me pikësynimet në start, në proçesin e organizimit e të zhvillimit dhe në ecurinë e zbatimit të tij afatshpejtë ka shkelje flagrante në disa nene të Deklaratave, Konventave e Protokolleve, Kartave Ndërkombëtare, të nënshkrueme edhe nga Mali i Zi:
1.      Deklerata Universale e të Drejtave të Njeriut të shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 10 dhjetor 1948;
2.      Konventa Europiane per Mbrojtjen e te Drejtave te Njeriut dhe Lirive Themelore (Romë, 4.11/1950) dhe Protokollet e saj të mapasme.
3.      Konventa Kuadër “Për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare” dhe Raporti Shpjegues
4.      Konventa kuadër Europiane mbi bashkëpunimin ndërkufitar ndërmjet bashkësive vendore dhe autoriteteve territorial (21.5.1980)
5.      Karta Europiane Sociale, e rishikuar. (3.5.1996).

II.
Mali i Zi në ofensiven e tij me politikën shtetërore gjukanoviçiane, platformën e fesë
ortodokse, aktivizimin e strukturave të vjetra e të reja të sigurimit malazez në organizimin e këtij referendumi më 8 janar 2013 nuk mundet të mos e përfillin, ta anashkalojë apo ta kapërcejnë faktorin shqiptar, pakicën kombëtare shqiptare, veçanarisht kur ka një unitet të përgjthshëm politiko-shoqëror për bojkotimin e tij,   pasi përbën shkelje të rënda diplomatike, juridike, politike, humnane etj., pasi:
1.      Mali i Zi është i vetmi shtet në Ballkan që asnjë kombësi e truallit të tij  nuk formon
shumicën e popullsisë.
Kjo e obligon ma shumë se asnjë vend tjetër ballkanik të sigurojnë të drejtat e të gjitha pakicave kombëtare. Këtu nuk ban përjashtim as ky referendum që ka kundërshti bojkotuese nga shqiptarët e Plavë-Gucisë. Përndryshe nuk mundet të ruajnë ekuilibrat politik, demokratik, etnik, fetar, etj. të shtetit të vet dhe as të përmbushin kriteret e kërkesat për antarësim në BE, NATO, etj.
Nga 625.266 banorë, sipas rregjistrimit zyrtar të vitit 2011, veç 44.98 për qind janë malazezë, 28.73 për qind serbë, 8.65 për qind boshnjakë, 4.91 për qind shqiptarë, 3.31 për qind myslimanë, 0.97 për qind kroatë, etj.
2.      Shqiptarët etnikë, banorët më të hershëm autokton në Republikën e Malit të Zi, zenë
vendin e katërt në popullsinë e saj. Nëse do të kishte një rregjistrim të mirëfilltë, pa diskriminim etnik, fetar, etj. do të renditeshin të tretët.
Kjo fuqi numerike disa planëshe: politike, sociale, kulturore, luftarake, nuk mund të shmanget si faktor përcaktues në fatet e Malit të Zi kur e shpalli Pavarësinë (2006), as në formimin e qeverive të Malit të Zi nëpërmjet votës apo kualicioneve si kjo e fundit më 4 dhjetor 2012, etj. dhe, patjetërsisht as në rastin e mosmiratimit të Referendumit konsultativ të 8 janarit 2013.
Sot, në vitin 2013 kemi një rekord të padëshirueshëm: mbi 40.000 emigrantë shqiptarë nga 15.000 në vitin 1990. Pra, ma shumë shqiptarë etnikë ndodhen në emigrim se në trojet e tyne etnike të Malësisë nga Ulqini e Tivari në Plavë e Guci dhe Rrozhajë.
3.      Shqiptarët etnikë në Plavë-Guci, sipas rregjistrimit të vitit 2011, zenë vendin e dytë
(18.8 %) në popullsinë e kësaj komune, pas boshnjakëve me 51.90 për qind,  duke lanë pas vetit edhe serbët 16.01 për qind, malazezët 6.27 për qind, myslimanë (nënkupto: shumica shqiptarë) 5.55 për qind, etj.
Kjo peshë e madhe e popullsisë së saj nuk mund të anashkalohet në rastin kur tri parti politike shqiptare (degët e tyne të atyshme) dhe organizma të shoqërisë civile, pothuaj krejt etnia shqiptare (biles edhe një numër shqiptarësh të asimiluem) janë dakord dhe e bojkotojnë Referendumin për ndamjen e krahinës së vet në dy komuna: në atë të Plavës dhe atë të Gucisë.

III.
Drejtësia, Komuniteti Ndërkombëtar,  institucionet e çdo shteti demokratik e marrin në shqyrtesë dhe i japin të drejtë juridike, diplomatike e politike pakicës kombëtare shqiptare në Plavë-Guci për moszhvillimin e Referendumit, pasi historia e aktualiteti flasin për politikat e spastrimit etnik shtetëror dhe të asimilimit shoven nga Mali i Zi që kanë çue në rënie të pandalun të popullsisë autoktone dhe me rrudhje në territoret  etnike.
1.      Në vitin 1912 në krahinën e Plavë-Gucisë , sipas të dhanavë nga  vetë antishqiptarët
Dr. Jovan Cvijiq, Andrija Joviçeviq, Mustafa Memiq etj. kishte 67 për qind të popullsisë muslimane me origjinë shqiptare, mbi 10 për qind të popullsisë muslimane të grupimeve të tjera etno-kulturore,  rreth 9 për qind katolikë – shqiptarët e Vishnjevës, Dolit, etj. dhe vetëm  12.2 për qind ishin malazezë dhe serbë (sllavë)– përndryshe: 207 shtëpi me  2.053 anëtarë familjeje.
Në 100 vite, shqiptarët etnikë të Plavë-Gucisë nga politikat e Krajl Nikollës e të Gjukanoviçit nga 76.6 për qind kanë pësue katërfish rënie, deri në 18.88 për qind (!)
2.      Në kohën e Milo Gjukanoviçit, kameleon politik e racist dinak, me “vrasjet pa
plumba” si mungesa e investimeve e zhvillimit ekonomik e kulturor, papunësia, etj. kreu shpërngulje të panderprera të popullsisë etnike shqiptare nga 6.57 për qind në vitin 1991 ra në 5.03 për qind në vitin 2003 dhe tani kanë mbetë në 4.91 për qind (!)
3.      Në 21 komuna të Malit të Zi  shqiptarët vetëm në 5 komuna kanë peshë të dukshme si
në Ulqin 70.66 për qind, në Plavë- Guci 18.88 për qind, në Tivar 5.98 për qind, në Podgoricë (kryesisht në Tuz me rrethina) 5.13 për qind, në Rozhajë 5.04 për qind.
Në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për shembull, në komunën e sotme të Rrozhajës mbi 85 për qind e popullsisë ishin shqiptarë autoktonë.
Përballë kësaj uljeje të jashtëzakonshme të popullsisë autoktone shqiptare në komunën e Plavës e të Gucisë nuk mund të heshtin politika e Malit të Zi ndaj bojkotit të Referendumit, sepse nuk mund të vazhdohet edhe në shek. XXI me spastrim etnik “demokratik” dhe me asimilim etnik e fetar “vullnetarisht”(!)
Në vitin 2002 dhe në vitin 2005  delegacione nga Amerika, në mes tyre edhe kongresmenë e senator, erdhën edhe në Plavë-Guci dhe panë nga afër me sytë e vet dhe dëgjuan me veshët e tyne se çfarë genocide, spastrim etnik, asimilim të përgjakshëm kanë kryer malazezët (Sllavët e Jugut) ndaj popullsisë shqiptare autoktone në kohën e Zija Beg Rexhepagajt, në Luftën e Nokshiqit, në luftërat ballkanike, në diktaturën komuniste ortodokse të Malit të Zi, aqsa kjo tashmë hyri në historinë diplomatike e politike si “Plavizimi”.
Referendumi në Plavë-Guci është akti i fundit përmbyllës i “Plavizimit”, kur toka etnike shqiptare nuk do t’i ketë banorët e vet autoktonë, kur Plavë-Gucia nuk do të jetë “Arbania e Vogël” po si komuna e Andrijevica të fisit të madh shqiptar luftarak të Vasoviçëve apo të fshatrave shqiptare në Ultinën e Limit si Velika etj.

IV.
Referendumi në Plavë-Guci, duke e krahasimue me komunat e tjera në Malin e Zi, dëshmon dritas se Gjukanoviçi e kisha ortodokse e këtij shteti të vogël kanë një synim të madh: me shpërngulje apo asimilim me i kthye të dy komunat në tokë malazeze pa shqiptarë etnikë (!). Kjo është e dënueshme nga ana juridike, diplomatike e politike nga organizmat ndërkombëtare.
1.      Milo Gjukanoviçi që ka hipotekue karriken e kryeministrit e i duket vetja si pronari
kupol i Malit të Zi pse nuk e ndan më dysh komunën e vendlindjes së tij, komunën e Nikshiqit – ma të madhen në këtë republikë të vogël det-mal, e cila ka 2.065 km2 dhe është katër herë ma e madhe se territori i komunës së sotme të Plavë-Gucisë dhe e ka pesë herë ma të madhe popullsinë e saj. Një ndër arsyet e mosndamjes: mbi 72 për qind e popullsisë janë ortodoksë dhe mbi 64 për qind e tyne malazezë dhe ka vetëm 73 shqiptarë (sipas rregjistrimit të vitit 2011).
2.      Gjukanoviçi, ish-miku binjak i Millosheviçit, më 23 shtator 2012 i premtoi
elektoratit të Tuzit se do të organizohej “Referendumi konsultativ”për statusin komunë e plotë të Tuzit, biles vendimi do të merrej më 4 tetor 2012. Para pak ditësh, më 3 janar 2013,  një zyrtar i PDS të Gjukanoviçit, doli para mediave e deklaroi botënisht se “Referendumi do të mbahet në vitin 2014 (!)”. Ndërkohë u hodh në Plavë-Guci për të zhvillue një referendum të përshpejtuar. Nuk e bani këtë monovrim veç për të tërheq vëmendjen e opinionit publik (ndër)kombëtar, pasi ka mbi 10 vjet që ecën me të tilla kalkulime dhelprake për referendumin e Tuzit.
Politika e Malit të Zi nuk e don Tuzin komunë e pavarun me shumicë shqiptare, as me i ndryshue struktura etnike e fetare kryeqytetit të vendit, Podgoricës – tokë etnike shqiptare (me 1.441 km2), ashtu siç nuk e don as Plavë-Gucinë që të ketë shqiptarët në vendin e dytë në strukturë etnike të popullsisë, etj.
3.      Nga 21 komuna që ka Mali i Zi i vitit 2013 (tue përfshi edhe Podgoricën) nuk flitet
për asnjë nga 18 komunat që kanë mbi 50 për qind të popullsisë ortodokse, për vetëm për komunën e Plavë-Gucisë që ka mbi 50 për qind të popullsisë myslimane.
Kjo ka një qëllim të vetëm: të krijojnë një “Plavë ortodokse” dhe një “Guci ortodokse e myslimane”, duke i shpërngulë apo asimilue shqiptarët e atyshëm trojenik.
4.      Asnjë nga komunat përreth Plavë-Gucisë  (486 km2) nuk po pjesë-ndahet me
referendum  në dy komuna Plavë e Guci me nga mbi 200 km2 secila: as Podgorica 1441 km2, as Bjellopolja 924 km2, as Kolashini 897 km2, as  Bërana 717 km2, as Rozhaja 432 km2 dhe as Andrejavica 283 km2.
Plava e Gucia duhen kaq sipërfaqe vogla që të “kafshohen” ma lehtë nga politika e shtetit dhe e kishës ortodokse të Malit të Zi, ashtu siç banë me Andrejavicën e fisit të madh luftarak shqiptar të Vosojeviçëve, që e ua ndrruan kombësinë e fenë, i kthyen të gjithë në “malazezë ortodoksë”(!)
Në shekullin XX kanë qënë tri komuna: Murana, Plava e Gucia. Po tashti në shek. XXI në ish-komunën e Muranës në Ultinën e Epërme të Limit ka pak kulla me shqiptarë (!), aqsa nuk munda me shkue me i pa nga afër emërvendet në Nokshiq, Velikë, Brezovicë etj., pasi shpagimi i tyre ishte tepër i lartë, si në Beranë (!). Në ish-komunën e Plavës, në shtatë kodrat e qytetit dhe në rrethina të liqenit shqiptarët renditen pas boshnjakëve, malazezëve, serbëve, kanë mbetë një pakicë kombëtare e vogël (!) Tashti e ka rradhën ish-komuna e Gucisë, ku numri i shqiptarëve është ma i madhi në krejt krahinën e Plavë-Gucisë.

V.
Përzgjedhja e kohës më 8 janar 2013 për referendumin antishqiptar në Plavë-Guci përbën një strategji ajzberige të njohun, pasi prapaskena të tilla evenimentale, kryhen në “periudha të arta”, në dimën, pikërisht në kapërcyell të viteve kah dhjetor-fillim janari ose në kohë të verës sidomos në fundkorrik-gusht, sepse diplomacia, politika, feja etj. zakonisht gjenden “ma të çarmatosuna” për shumë arsyena.
Nëse ky referendum do të ishte datue (fjala vjen) të dielën e 3 shkurtit 2013 shqyrtesat e ankimimeve nga subjekte politike e të shoqërisë civile do të kishin hapësirë për ndërhyrje demokratike apo vendmimarrje nga personalitete e institucione ndërkombëtare, sepse ua fillanisin me efektivitet veprimtarive të ditës e të perspektivës. Krishtlindjet e Viti e rimarrin kohën e vet, ndërsa në çdo janar mblidhen në komisione e seanca plenare Senati e Kongresi Amerikan, Bashkimi Europian, etj. Sigurisht situata politike e praktike e referendumit do të fliste në të drejtën e shqiptarëve etnikë, pasi edhe vet partitë politike shqiptare e shoqëria civile e Plavë-Gucisë e në diasporat shqiptare krijuan unitet mendimi e veprimi, ndërmorën bojkotimin e referendumit, etj.
Historia Kombëtare na mëson se Mali i Zi (Sllavët e Jugut)  e kanë zakon të keq të vetin me iu kundërvu kryesisht kësokohe shqiptarëve me “pushkë me plumba” si në Luftën e Nokshiqit (4 dhjetor 1879 – 11 janar 1880), në pushtimin e masakrimin e Plavë-Gucisë më 19 -20 tetor 1912 deri në Masakrën e Previsë në mars 1913, ripushtimi malazez i krahinës me  genocid e spastrimi etnik të shqiptarëve në Plavë-Guci kah fundviti 1944 dhe fillimviti 1945, etj.
Një pyetje që çdokush e merr përgjigjen vetë: Pse Mali i Zi e organizoi Referendumin për Pavarësi (që u fitue në saje të votave të shqiptarëve) më 21 maj 2006 dhe Referendumin në Plavë-Guci e lanë më 8 janar 2013?!

VI.
Ky referendum në Plavë-Guci kryhet në një kohë kur po ecet drejt shënimit të kufinit  shtetëror prej 79 km në mes Kosovës me Malin e Zi.
Ky proçes sado që minimizohet në problematika (si në intervistat e Gjukanoviçit, etj.) është tepër i vështirë, veçanarisht në Qafën e Çakorrit etj., pasi ua ndan në dy pjesë pronat shqiptarëve dhe pakënaqësitë janë shfaqur edhe në televizione,  etj.
Ndamja e Plavë-Gucisë në dy komuna më vete do ta vështirësonte ma shumë, për të mos thanë se do ta pengonte, lidhjen me rrugë automobilistike ndërkombëtare Deçan-Plavë-Han i Hotit-Podgoricë dhe hapja përfundimtare e pikëkalimit Vranicë (komuna Margegaj-Shqipëri) me Plavën (komunë në Malin e Zi) dhe funksionimin e kësaj rruge ndërkombëtare Guci-Plavë-Çerem-Bajram Curri-Han i Hotit-Podgoricë.
Mungesa e investimeve e zhvillimeve të tilla urbane ka sjellë uljen e numrit të popullsisë të komunës së Plavë-Gucisë nga 18.913 banorë në vitin 1961 në 13.108 banorë në vitin 2011. Numrin ma të madh të shpërnguljeve “pa pushkë” e kanë shqiptarët në Ultinën e Limit, në rrethina të Plavës etj.

VII.
Referendumi konsultativ për ndamjen e Plavë-Gucisë në dy komuna nuk do të ketë fuqinë e vet politike e juridike, pasi përbën shkelje të rënda të organizimit e të zhvillimit dhe nuk i plotëson kushtet juridike për t’u krye përfundimisht si një akt politik siç e don shteti malazez, kisha ortodokse malazeze e serbe, strukturat agjenturore të vjetra e të reja të saj:
1.      Referendumi e ka mbiemnin “konsultativ”, po vendimi për thirrjen e tij nuk është
konsultue me faktorin politik shqiptar në Plavë-Guci, me degët e partive politike shqiptare të atyshme, me organizma të shoqërisë civile, me vet shqiptarët – banorët autokton të krahinës.
2.      Koha për mbajtjen e Referendumit është e pamjaftueshme nistue nga përvojat e
praktikat euro-atlantike, nga fundnëntori 2012 deri në fillimjnari 2013.
3.      Edhe në mbledhjen e këshillit komunal, sado e pjesshme e në minorancë, vota
shqiptare ka shfaq mospajtimin e vet me referendumin, kundërshtimin e tij.
4.      Nuk ka asnjë studim fizibiliteti për referendumin lidhur me përparësitë e mangësitë
politike, ekonomike, kulturore, etj. qysh para shpalljes së tij, çka votuesit parapërgaditen për aktin vetjak të votimit.
5.      Referendumi u bojkotue në parim e veprim nga forcat politike shqiptare (degët
e tyne në Plavë-Guci), nga organizma të shoqërisë civile, pothuaj nga të gjithë shqiptarët e krahinës së Plavë-Gucisë.
6.      Në proçesin e votimit të Referendumit në Plavë-Guci nuk morën pjesë vëzhgues
(ndër)kombëtarë për të dhanë vlerësimet e tyne mbi tanësinë e zhvillimit të tij.
7.      Ky referendum mendohet se është i korruptuem nga ana politike, morale, financiare,
juridike, çka e vënë në dyshim pranimin e tij në normalitet, me objektivitet.
Për të gjitha faktet e arsyetimet e masipërme Referendumi në Plavë-Guci është i
pavlefshëm nga ana politike, juridike, në procedurat e rezultatet e tij, në vendimarrjen e tij konsultative apo ekzekutive, prandaj vetë Mali i Zi duhet të heqin dorë vullnetarisht me vetëdije të plotë nga çdo akt i njohjes e zabtimit të tij.
Ky referendum është shkelje e rëndë e të Drejtave të Njeriut dhe përbën një tjetër përpjekje të politikës shtetërore të Malit të Zi për spastrim etnik nëpërmjet shpërnguljeve të shqiptarëve nga trojet e tyne dhe për asimilimin e shqiptarëve duke ua ndrrue identitetin etnik e fetar.
Referendumi në tanësinë e tij i plotëson të gjitha kushtet e premisat objektive për ta ankimue në nivelet legjislative e gjyqësore të shtetit të Malit të Zi deri në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut (ECHR) duke e shpall juridikisht pavlefshmërinë e zbatimit të tij në ndamjen e Plavë-Gucisë.

Ramiz  LUSHAJ