Kosova nuk lejon hyrjen e presidentit serb në Kosovë

Pasi që Qeveria e Kosovës ia ka ndaluar presidentit serb Tomislav Nikolic, hyrjen në Kosovë me rastin e Krishtlindjeve ortodokse, mediat serbe vazhdojnë ta kenë top temë këtë çështje. Ish-sekretari shtetëror i Serbisë për Kosovën, Oliver Ivanovic, ka theksuar se përgjegjësia për këtë ndalim bie mbi EULEX-in.

“Ky është mision, roli i të cilin nuk është vetëm këshillëdhënës por është edhe ekzekutiv. Ata kanë njësitë e tyre për veprime operative dhe është dashur që t’i iket situatës që gjithçka të lihet në vullnetin e autoriteteve të Prishtinës”, ka theksuar Ivanovic për “Blic”.

Sipas tij, është plotësisht e papranueshme që të pengohet ardhja e përfaqësuesve serbë në Kosovë, vetëm pse kjo dikujt nuk i pëlqen.

“Ky është shembull flagrant se si autoritetet në Prishtinë bëjnë presion në serbët të cilët përfaqësuesit nga Beogradi i përjetojnë si të vetmit”, ka thënë si.

Ivanovic ka theksuar se pohimi Zëvendëskryeministrit të Kosovës, Hajredin Kuçi për reciprocitet nuk qëndron, sepse Kosova siç thekson ai, edhe “formalisht është pjesë e Serbisë, dhe se nuk mund të flitet për reciprocitet me Krahinën”.
Edhe vetë presidenti serb , Tomislav Nikolic, e ka akuzuar EULEX-in. “EULEX edhe një herë tregoi se nuk është neutral sipas statusit, për çka ai do të detyrohet ta ndryshojë qëndrimin e vet ndaj këtij misioni, por edhe ndaj Brukselit”, ka theksuar Nikolic.

Kurse analisti politik nga Behlul Beqaj ka thënë për “Blic” se Prishtina ka gabuar që nuk ka lejuar të prezantohet në shënimin e Krishtlindjeve.

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka refuzuar kërkesën e Presidentit të Serbisë, Tomislav Nikolic për të vizituar Kosovën.

Nikolici me një kërkesë i ishte drejtuar fillimisht shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, ku ky i fundit të njëjtën ia kishte përcjell Zëvendëskryeministri Kuçi, i cili ka refuzuar këtë kërkesë.

Në refuzim të kërkesës së Nikolicit, përmendet edhe pengimi që autoritetet e Serbisë i kanë bërë Ministrit të Diasporës, Ibrahim Makolli, të cilit në janar të vitit 2012, autoritetet e Serbisë nuk i kishin lejuar të shkonte në Preshevë për t’u takuar me përfaqësues të Preshevës, siç kishin vepruar edhe në dhjetor të të njëjtit vit ndaj ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila. /Telegrafi/