Kjo është pamja e heqjes së lapidarit të dëshmorëve në Preshevë. Përkundër paralajmërimeve se shqiptarët ishin duke sjellë një vendim për zhvendosjen e tij, mëngjesin e së dielës policia serbe ka errësuar qytetin.
Së pari, qindra policë kanë arritur në qytet dhe kanë bërë shëtitje rreth orës 05:00 të mëngjesit. Ndërkaq, dy orë më vonë kanë arritur mjetet e punës dhe eskavatorët që kanë hequr lapidarin që nxiti tensione në mes të shqiptarëve dhe serbëve, të cilët kërkonin heqjen e tij për shkak të mospajtimit që të qëndrojë në qendër të qytetit.
Qeveria e Serbisë kishte dhënë një afat për heqjen nga vetë shqiptarët, ndërsa të dytin dhe të fundit e dha Miistria e Drejtësisë në Serbi. Shqiptarët kanë thënë se ky është fillimi i shkëputjes së tyre, ndërkaq ata patën paralajmëruar dorëheqjen e tyre nga funksionet në institucionet lokale.
Kryeministri serb, Ivica Dacic, ka thënë për agjencinë serbe se kjo dërgon një porosi të qartë që shteti duhet të respektohet dhe se askush nuk është më i fortë. “Gjithçka ka shkuar pa incidente dhe dhunë. Serbia ka duruar mjaft”, ka thënë Dacic.
Ditën kur u rrënua lapidari i cili u ngrit në mesin e nëntorit, liderët shqiptarë do të takoheshin për të gjetur një zgjidhje me familjarët e dëshmorëve.
Reagimi i qeverisë shqiptare
Qeveria shqiptare dënon aktin e largimit me autoblinda, mitroloza dhe terror, nga autoritetet e Beogradit, të përmendores së heronjve të kombit shqiptar në Luginën e Preshevës që ranë për tu bërë të pavdekshëm në luftë për liri dhe dinjitet njerëzor dhe kombëtar kundër regjimit barbar të Millosheviçit.
Qeveria shqiptare e konsideron këtë një dëshmi tjetër të albanofobisë së autoriteteve zyrtare të Beogradit që dëshmon qartë se trashëgimia raciste anti-shqiptare e Slobodan Millosheviçit është e gjallë dhe dominon politikën zyrtare të Beogradit.
Me këtë akt të rëndë autoritetet e Beogradit kanë shkelur haptas ligjet dhe konventat ndërkombëtare, si Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Minoriteteve të Këshillit të Europës si dhe Kartën Europiane të Autonomisë Rajonale dhe Lokale të Kongresit të Autoriteteve Lokale të Europës, të cilat Serbia i ka firmosur dhe është e detyruar t’i zbatojë.
Qeveria shqiptare vlerëson dhe mbështet plotësisht qëndrimin e matur të autoriteteve vendore dhe qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës ndaj terrorit serb dhe i siguron ata se Shqipëria ka mbështetur dhe do mbështesë pa asnjë lëkundje liritë dhe të drejtat njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilat nuk mund të kenë në asnjë rast standarte të tjera nga ato që kërkohen nga Beogradi për serbët në Mitrovicën e veriut.
Qeveria shqiptare iu bën thirrje institucioneve ndërkombëtare të ndalin stuhinë e albanofobisë që po shfaqet rëndom në rajon si një faktor që kërcënon paqen dhe stabilitetin e tij. /Top Channel/