Takimi i partive shqiptare me DPS-në – Marrëveshje e re për referendum!

Referendumi konsultativ për statusin e Komunës së Tuzit (Malësisë) më se largu deri me 29 shtator.

Në takimin e djeshëm të përfaqësuesve të partive shqiptare me DPS-në u arrit marrëveshja që referendumi të mbahet në shtator, me mundësinë që të mbahet edhe më herët, varësisht nga kryerja e procedurës ligjore, njofton gazeta Vijesti.

Në takim, në emër të DPS-it morën pjesë nënkryetari Marovic, drejtori politik Milosevic, kryetari i Komunës së Podgoricës Mugosa, kryetari i këshillit për Podgoricë Vucelic dhe deputeti Halil Dukovic.

Partitë politike shqiptare në ketë takim u përfaqësuan nga Vasel Sinishtaj e Iniciativës Qytetare, Nazif Cungu dhe Genci Nimanbegu nga Forca e Re Demokratike, Mehmet Zenka nga Unioni Demokratik i Shqiptareve, Fatmir Gjeka nga Partia Demokratike, si dhe Gjergj Camaj e Nik Gjeloshaj nga Alternativa Shqiptare.

Në këto bisedime morën pjesë edhe kryetari i Komunës urbane të Tuzit, Fran Lulgjuraj dhe kryetari i Kuvendit të KU Tuz, Fadil Kajoshaj.

Iniciativa Qytetare, Alternativa Shqiptare dhe Lidhja Demokratike më herët kanë deklaruar se ata do të braktisin koalicionin qeverisës nëse edhe një herë referendumi do të zvarritet, shkruan po i njëjti burim.

Bazuar në ligjin e organizimit territorial, udhëheqësia e Komunës së Podgoricës është kompetente për punimin e elaboratit të fizibilitetit për komunën e re, dhe varet nga ata nëse referendumi do të zhvillohet brenda kohës së caktuar.

Siç shkruan Vijesti, elaborati i fizibilitetit, sipas marrëveshjes, duhet të kryhet kah mesi i korrikut.

Sinishtaj: nuk ka marrëveshje pa përcaktimin e datës së referendumit

Lideri i Iniciativës Qyetare, Vasel Sinishtaj, për Analitika deklaroj se nuk është arrit ndonjë marrëveshje, përderisa nuk caktohet data e saktë e zhvillimit të referendumit.

Sinishtaj tha se data e saktë e referendumit duhet të dihet para zgjedhjeve presidenciale. /Malesia.Org/