Nesër, më 1 shkurt, shqiptarët e Plavës e Gucisë organizojnë protestë popullore kundër shkeljeve të drejtave të tyre kombëtare.
Partitë shqiptare që veprojnë në Plavë e Guci kanë apeluar te shqiptarët kudo që ndodhen të marrin pjesë në këtë protestë në përkrahje të shqiptarëve të kësaj zone.
Partitë shqiptare dënojnë trajtimin nga ana e shtetit malazez, i cili akuzohet se “po ua shkel shqiptarëve të Plavë-Gucisë të drejtat e njeriut dhe ato kombëtare”.
“Do të protestohet kundër shkeljes së të drejtave tona njerëzore e kombëtare, para Pallatit të Kulturës (në Plavë), aty ku në ato çaste do të mbajnë mbledhjen ‘Kuvendi Komunal i Komunës së Plavës’. T’iu tregojmë e të iu bëjmë me dije të gjithëve, se mjaft janë shkelur të drejtat tona, me veprime kundërligjore. Le ta dinë të gjithë, se kanë ikur kohërat kur mund të vendosej për Neve – pa Neve. Shkelja mbi të drejtat tona, nuk është terren i sigurt”, thuhet në apelin për protestën e së premtes.
Protesta fillon në ora 12, dhe ka lejen e autoriteteve malazeze për organizimin e saj. /Malesia.Org/