LDnëMZ, dega e Malësisë uron Kosovën

Gjeneratat e tëra në Kosovë i hapën sytë, u edukuan dhe gjetën familjen e dytë. Kosova bëri shumë për ne shqiptarët që jetojmë në Malin e Zi, dhe presim që shteti i ri i Kosovës edhe Shqipëria të interesohen edhe më tepër për fatin tonë, shkruan kryetari i LDnëMZ, dega e Malësisë, Nikollë Camaj, në deklaratën e tij.

Sot Kosova e pavarur po feston ditëlindjen e pestë. Por,  nuk feston vetëm Kosova, feston i gjithë populli shqiptar, feston një komb  i  tërë, për  një të arritur  të  madhe, pavarësimin e shtetit të dytë shqiptar në Ballkan. Ashtu  siç  u kyçën  në lehtësimin  e pasojave të eksodit kosovar, në luftën  për pavarësi, në jetën politike pas çlirimit, madje duke dhanë kontribut  edhe në ndërtimin e sajë, sot, të gjithë shqiptarët kudo që janë, gëzohen e festojnë, urojnë e përgëzojnë njëri tjetrin për këtë ditë të madhe. Kështu edhe ne, Dega e Malësisë e Lidhjes Demokratike në Malin e Zi u bashkëngjitëm këtyre urimeve dhe gëzohemi me shqiptarët e tjerë. Ne jemi të vetëdijshëm se sakrificat që u bënë në altar të Shtetit të ri qenë të mëdha e  të shumta dhe ato më në fund u kurorëzuan me një të arritur që ne shqiptarët e pritnim  me shekuj të tërë. Por, nuk duhet harruar se çdo sakrificë që u bë për Kosovën është flori, është pasuri, është trashëgimi që duhet ruajtur dhe shndërruar në një mit mbi të cilin do të mbështetet ekzistenca jonë kombëtare, në shekujt që vijnë.

Edhe ne shqiptarët në Malin e Zi, përmes kontributit tonë modest, por maksimal, e ndiejmë se u bëmë pjesë e këtij miti, gjithnjë duke vlerësuar se sakrificat për Kosovën kurrë nuk janë të tepërta, sepse Kosova gjithherë ishte në shërbim të kombit, në shërbim të ruajtjes së identiteti shqiptar në ish-Jugosllavi, ku padrejtësisht mbetem. Kështu, Kosova  kishte  bërë shumë edhe për ne shqiptarët  që jetojnë ne Malin e Zi. Gjenerata të tëra atje i hapën sytë dhe atje gjetëm familjen e dytë. Edhe pse ne, në gjenet tona gjallonim shqip, edhe pse familjet tona na edukonin në frymën e atdhetarizmit, nën presionin e idesë së rreme të “bashkim vëllazërimit jugosllav”, pa Kosovën ne ishim në rrezik që të tjetërsohemi. Atje mësuam për veten tonë, por fituam edhe bagazh të mjaftueshëm që ato njohuri t’i përcjellim edhe te breznitë që vijnë. Kështu, falë edukatorëve që u formuan në Kosovë, gjeneratat e reja, me krahë hapur priten vetorganizimin politik të shqiptarëve në Mal të Zi, në shtator të vitit 1990, kur pothuajse në masë 100% përkrahen subjektin e tyre të parë politik, Lidhjen Demokratike.

Sot, përfitoj nga ky rast urimi, të përkujtoj se edhe sot, pas më se 20 viteve gjoja demokraci në Mal të Zi, shqiptarët e këtushëm janë në të njëjtin rrezik si në kohën e monizmit. Prandaj presim që shteti i ri i Kosovës edhe Shqipëria, të interesohen edhe më tepër për fatin tonë dhe, duke përfituar nga marrëdhëniet e mira mes shteteve, të krijojnë situatë më të volitshme për shqiptarët e këtushëm, të cilët nuk janë ardhacakë, por jetojnë në tokat stërgjyshore, në trevat shqiptare për të cilat është derdhur gjak i baballarëve tonë, dhe në të cilat në shekujt e perandorisë osmane ishte ruajtur gjallë kujtesa për “Motin e madh” dhe ku ishte ngritur flamuri shqiptar, për të parën herë pas vdekjes së kryetrimit Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

Përfundimisht në emër të LDnëMZ-Dega e Malësisë,  në emër të gjithë atyre që të menduarit shqip e kanë në zemër, në emër të të gjithë atyre që na u bashkëngjitën në të gjitha aktivitete e manifestime në përkrahje të kauzës kombëtare në përgjithësi e të asaj kosovare në veçanti, përgëzojmë për ditëlindjen e pestë, Kreun e Kosovës, shtetin e Kosovës dhe  mbi të gjitha popullin e Kosovës.

Në të njëjtën kohë, përfitoj nga rasti që Kosovën të përgëzojë edhe për një fitore të madhe; lirimin nga Gjyqi në Hagë, i ish Kryeministrit të Kosovës dhe ish Komandantit të UÇK-së, Z. Ramush Haradinaj, që nuk paraqet vetëm një fitore personale të Ramush Haradinaj, as të familjes Haradinaj, por paraqet një fitore të madhe për popullin shqiptarë, për Kosovën. Jo  vetëm për faktin se një  prej  bijve të sajë më të shtrenjtë të një familje që murosi në themelet e Kosovës vlerat më të shtrenjta, sot  gëzon lirinë, por më tepër për faktin se me këtë u dëshmua se populli shqiptar bëri një luftë mbrojtëse, se çlirimtarët kosovarë nuk mund të barazohen me kriminelët, por dolën fitimtarë në një betejë të pabarabartë të Davidit  dhe Goliatit, natyrisht edhe me përkrahjen e atyre që e vlerësuan këtë, dhe u rreshtuan në anën e të drejtit. Kështu, vlerësojmë se lirimi i Ramush Haradinaj vërtetë ishte një dhuratë e shtrenjtë Kosovës, për ditëlindjen e pestë, sepse Ramushi i nevojitet Kosovës. Edhe pse pavarësia është proces që nuk ndalet e as nuk kthehet mbrapa, për Kosovën ka akoma sfida, sidomos për ruajtjen e tërësisë territoriale, si amanet i gjakut të derdhur për liri e pavarësi. Kosovë, Gëzuar! përfundon Camaj. /Malesia.Org/