Kudo takohesh me njerëz ta bëjnë kokën të pëlcas me ankesa e sharje. Thonë se punët i kemi keq e aq keq sa më keq nuk ka. Bisedojnë ata e herë derdhin vrer mbi institucione e liderë, e herë mbi Evropën, Unë institucionet po i emëroj me “NE” e Evropën e sllavët me “ATA” dhe po mundohem të jem real në shpalljen fajtorit kryesor. Pra, kush ka më shumë faj NE apo ATA ?
ATA kanë faj e shkuar fajit sepse punuan shumë për ta ndarë e përçarë Shqipërinë e kombin tonë nëpër vite e shekuj. ATA i ndihmuan sllavëve dhe pushtuesve të tjerë që ta bëjnë pikë e pesë Shqipërinë dhe të marrin troje shqiptare si në “bashqe të babës”. Sllavët nga ekipi “ATA” bënë politikën e tyre vrastare, shfarosëse ,asimiluese e kolonizuese nën duartrokitjet e Evropës “demokratike”. Pushtuan e u zgjeruan në kurriz të trojeve shqiptare dhe asgjë askujt. Evropa i vulosi hartat dhe pikë. Serbët, veçmas, por edhe sllavët tjerë , edhe në këto kohë “paqeje” godasin mbi kurrizin shqiptar dhe Evropa i ka harruar syzet dhe nuk sheh. Në OKB këndohet kënga çetnike dhe i ngritët në këmbë edhe gjithë stafi botëror atje dhe s’ka gjë. Plot faje paskan ata, apo jo ?, do të thonë ata që do të kenë rastin ta lexojnë këtë shkrim, por cilat faje i kemi ne se ?
Ekipi “ATA” kanë edhe shumë mëkate e faje,por janë si një lugë ujë në det nëse i përballim me fajet e ekipit “NE”
NE nga ilirët e këndej ishim të dashuruar në kolltuk dhe për pak para e për një post lehtë ia kthenim shpinën atdheut e kombit.
NE kemi dëshirë të shesim mend dhe të na quajnë patriotë,
NE bëjmë luftë për liri për ta promovuar robërinë për pjesëtarët e kombit tonë,
NE betohemi në një flamur dhe e puthim flamurin tjetër,
NE atdheun e shohim si “magje” dhe luajmë me të,
NE vëllait ia tregojmë dhembët dhe ia japim plumbin në shtat e armikut ia tregojmë buzëqeshjen,
NE përbaltim e tallemi me çdo gjë kombëtare dhe atë e vëmë në lojë vetëm nëse na duhen paratë ose votat ,
NE punojmë që ta shlyejmë nga kujtesa e rinisë të kaluarën ,gjoja për të ardhmen, por këtë e bëjmë se kemi marrë ca para ose kemi lëpirë një asht, nga fonde të huaja,
NE i shtrijmë dorën atyre që na kanë vrarë e dhunuar e që do t’i bënin të njëjtat shëmti nëse u jepet rasti edhe sot e gjithë ditën,
NE Betimin mbi flamur e amanetin e dëshmorëve për Bashkim e ofenduam me flamur e himn memec për hir të kolltukut.
NE, disa, mundohemi të bllokojmë çdo aktivitet që ka elementet Bashkimit për të mos e hidhëruar Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e dikë tjetër.
NE kemi harruar kontributin e malësorëve,shqiptarëve nga Kosova Lindore e trojet tjera dhe i kemi lënë tani në baltë,
NE gishtin ia qesim të hunda popullit, po të huajit i përkulemi ,
NE jemi … s’di kush, NE jemi….
Rrahman Jasharaj ,zëdhënës dhe koordinator për trojet etnike i Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë- Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”