Përfaqësuesit e Ministrisë së bujqësisë prezantuan projektin e ri për prodhuesit bujqësorë në Malësi

Përfaqësuesit e ministrisë së bujqësisë së Malit të Zi në takimin e sotëm me prodhuesit bujqësorë nga territori i Malësisë, prezantuan kushtet nga projekti i zhvillimit institucional dhe avancimin e bujqësisë në Mal të Zi. Programi i ashtuquajtur, MIDAS, realizohet nga ministria e bujqësisë dhe zhvillimit rural duke shfrytëzuar mjetet nga Banka botërore dhe Fondi global për mbrojtjen e ambientit jetësor, raporton RTCG.

Përfaqësuesit e kësaj ministrie në takimin e sotëm me prodhuesit bujqësorë nga Malësia i ftuan të interesuarit që të aplikojnë për shfrytëzimin e mjeteve të parapara të këtij projekti në afatin e paraparë me konkursin publik i cili është shpallur duke filluar nga 1 shkurti dhe vazhdon deri me 30 prill, njofton i njëjti burim.
Prodhuesit bujqësorë nga Malësia shprehen interesim për kushtet dhe mënyrën e aplikimit për shfrytëzimin e mjeteve të parapara në këtë konkurs.

Në Malësi pjesë e madhe e familjeve merren me bujqësi dhe blegtori e që hasin në vështirësi në prodhim e aq më shumë në shitjen e produkteve duke u ballafaquar me treg të kufizuar dhe pa përkrahje të mjaftueshme nga institucionet përkatëse.
“Dikur jetonim nga bujqësia. Jetohej mjaft mirë. Kurse në ditët e sodit me mjaft produkte ndodh që nuk i nxjerrim as shpenzimet. Gjithçka është shumë shtrenjtë e kur vjen koha për produktet tona, çmimet janë qesharake. Ata që duhet të jenë kompetent nuk na japin lehtësime në zhvillimin e bujqësisë. Përpos se nuk ka treg të sigurt, shteti lejon që produktet të hyjnë nga shtetet fqinje pa kontroll të kualitetit dhe me çmime konkurruese e që ne prodhuesve vendas na e vështirëson dhe më shumë plasimin dhe shitjen e produkteve.
Në Shqipëri, sa jam i informuar, për prodhuesit e bujqësisë shteti u jep lehtësime, duke u dhënë derivate (benzinë e naftë) me çmime të zbritura, rrymën elektrike po ashtu me çmim të zbritur etj.”, për Malesia.org, i pakënaqur sqaron një prodhues bujqësor i cili deshtë të mbetet anonim. /Malesia.Org/