Në Spitalin e Qytetit në Shkup janë pranuar pesë qytetarë shqiptar me lëndime të rënda trupore. Dy prej tyre, në gjendje më të rëndë, gjenden në kurim intensiv. Njëri prej të lënduarve, duke përshkruar ngjarjen, thotë se huliganët maqedonas, në grup prej 100 deri 200 personash, kanë sulmuar nëpër qytet, stacione autobusësh dhe kudo që kanë takuar shqiptarë.
“Kemi qenë në stacionin e autobusëve në rrugën ‘Jugodrvo’. Përnjëherë, më shumë se 100-200 vetë kanë qenë dhe kanë goditur nga kanë mundur. Kjo nuk është në rregull. Del ashtu siç duhet, nuk kthehesh normal”, thotë njëri prej të lënduarve për Alsat-M.
Dy prej të lënduarve janë nga Komuna e Haraçinës. Për këtë shkak kryetari i kësaj komune edhe sot vizitoi Spitalin e Qytetit për tu informuar nga afër me gjendjen e viktimave. Ai paralajmëron se nëse vazhdojnë incidentet e tilla, situate mund të eskalojë.
“Këto duhet të ndërpriten. Këta huliganë që bëjnë këto vepra, rrahin fëmijë, nxënës… kjo nuk çon në të mirë. Siç duket, situata mund të eskalojë edhe në një krizë më të madhe. Kisha apeluar, deri te organet përkatëse, që njëherë e përgjithmonë të marrin fund këto ngjarje”, tha Bastri Bajrami, kryetar i Komunës së Haraçinës.
Ramazan Iseni, 13 vjeçar është njëri nga fëmijët që ka pësuar nga huliganët maqedonas në Shkup duke pësuar lëndime në kokë.
Huliganët maqedonas brutalisht kanë rrahur shumë të rinj shqiptarë në afërsi të një stacioni urban të autobusëve në Shkup. Në këtë incident të dhunshëm kanë pësuar nxënës të shkollave fillore dhe të mesme, të cilët janë goditur me gjësende të forta dhe grushte nga huliganët maqedonas, informon agjencia e lajmeve INA.
Ramazan Iseni, 13 vjeçar është njëri nga fëmijët që ka pësuar në këtë incident duke marrë lëndime trupore, përfshirë edhe në kokë. “Na kanë rrahur brutalisht, pa kursyer as fëmijë e gratë që ishin duke pritur aty autobusin”, ka theksuar për INA, Ramazani, i cili ka kërkuar ndihmën mjekësore për lëndimet e pësuara në këtë incident.
Nxënësit theksojnë se kanë shpëtuar falë shoferit të autobusit urban, i cili është shqiptarë dhe ka arritur që të mbyll me shpejtësi dyert dhe të largohet nga stacioni. “Ai na shpëtoi duke mbyllur dyert, mirëpo huliganët kanë gjuajtur me gurë dhe shishe autobusin, duke rrezikuar jetën tonë. Neve kemi parë edhe policië të uniformuar por që kanë hezituar për të reaguar dhe për të larguar huliganët e tërbuar. Këto incidente më nuk tolerohen. Ose të veprojnë ose ska hapësirë për të toleruar më këso tërbime kundër nesh shqiptarëve”, ka theksuar një nxënës shqiptarë, i shkollës “Zef Lush Marku”, i cili gjithashtu ka përjetuar sulmin brutal të huliganëve maqedonas.
Huliganët kanë qarkulluar nëpër disa akse rrugore dhe lagje, ku janë stacionet e autobusëve dhe ku dihet se udhëtojnë edhe një pjesë e udhëtarëve shqiptarë për lagjet periferike të Shkupit si Saraj, Karshiakë dhe Hasanbeg e Haraçinë.
(E plotësuar) Grupet e huliganëve maqedonas me maska pas shpërndarjes nga protesta para Qeverisë kanë sulmuar shumë qytetarë shqiptarë në disa pjesë të Shkupit.
Qytetarë të ndryshëm kanë denoncuar përmes INA sulmet brutale të huliganëve maqedonas të mbuluar me maska dhe që posedonin gjësende të forta.
“Në shënjestër kanë qenë shqiptarët, duke mos zgjedhur edhe gra shqiptare dhe nxënës të shkollave, pranë disa stacioneve të autobusëve”, thekson për INA, një dëshmitarë okular i këtij incidenti, i cili ka arritur që ti shmanget sulmit të huliganëve.
Grupi i huliganëve në afërsi të stacionit hekurudhor gjithashtu ka sulmuar disa shqiptarë nga Karshiaka, të cilët kanë pësuar lëndime trupore.
17:32 – Një protestë e shoqëruar me dhunë u zhvillua sot pasdite para Qeverisë në Shkup, në shenjë proteste kundër emërimit të Talat Xhaferit, ish-komandant Forinës së UÇK-së për ministër të Mbrojtjes të Maqedonisë.
Policë të sulmuar nga huliganë dhe protestues të dhunës, demolomi dhe dëmtimi i makinave të policisë, makinave private dhe autobusëve urban, ka qenë bilanci i kësaj proteste, e cila ka detyruar ndërhyrjen e policisë.
Ministria e Punëve të Brendshme ka informuar se disa persona janë ndaluar me rastin e kësaj proteste, për shkak të ushtrimit të dhunës dhe sulmit ndaj kordonit të policisë, që kishte bllokuar hyrjet e Qeverisë. Gjatë kësaj proteste, një pjesë e policëve janë lënduar nga sulmet e dhunshme të huliganëve me gjësende të forta dhe me gurë.
Organizatore e kësaj proteste është shoqata e veteranëve maqedonas të konfliktit të vitit 2001 “Dinjiteti”, e cila është pjesë e opozitës dhe se ka reaguar kundër emërimit të Xhaferit për ministër të mbrojtjes, për shkak të origjinës së tij si ish- drejtues i UÇK-së.
“Huliganët gjatë protestës kanë nisur të hedhin gurë dhe shishe ndaj policisë dhe se kjo ka detyruar ndërhyrjen. MPB bën të ditur se janë arrestuar disa persona, ndërsa më pas edhe turmat e protestuesve janë shpërndarë. Një pjesë e grupit të huliganëve ka ikur në drejtim të sheshit qendror drejt stacionit hekurudhor. Derisa këto turma po largoheshin janë sulmuar dy vajza, ndërsa turmat gjithashtu kanë hedhur gurë edhe ndaj autobusëve urban dhe kanë dëmtuar disa makina private”, theksoi MPB. Në pjesën qendrore të Shkupit po vërehet prania e shtuar e policisë dhe njësive speciale, për të siguruar rendin dhe qetësinë. /INA/