Forca do të përkrah Vujanovic-in

Këshilli qendror i partisë Forca e Re Demokratike ka vendosur të mbështesë kandidatin presidencial të DPS-së, Filip Vujanovic, shkruan gazeta DN.

Deputeti i kësaj parti, Genci Nimanbegu, tha se kjo është në përputhje me marrëveshjen në mes të Koalicionit “Mali i Zi Evropian” që paraprihet nga DPS dhe partive të pakicave BS, HGI dhe Forcës.
Përpos kërkesave të cilat i përmban platforma politike e partive të pakicave BS, HGI dhe Forcës, siç janë arsimi, simbolet kombëtare, decentralizimi i pushtetit lokal, ekzistojnë edhe kërkesa tjera politike të Forcës të cilat janë të definuara në programin politik të statutit të Forcës. E ato kanë të bëjnë me statusin e Komunës për Malësinë/Tuzin, kthimi dhe rregullimi i problemeve të pronës dhe përcaktimi i kufirit të “mirat detare” në Ulqin, shkruan gazeta DN.

Nimanbegu po ashtu tha se presioni politik që kanë bërë gjitha këto vite Forca dhe Iniciativa Qytetare por edhe partitë tjera shqiptare, kanë bërë që mos të jetë më në pikëpyetje a do të bëhet Malësia komunë e plotë, por vetëm koha se kur do të realizohet ajo, dhe se ata politikan që nuk do ta përkrahin një vendim i tillë do të shkojnë në dëm të tyre, shkruan DN.
“Si shkak i mosplotësimit të kërkesave të shqiptarëve në mënyrë kualitative, pakënaqësia e shqiptarëve rritet dita ditës dhe se është e mundshme që shqiptarët në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të votojnë për të gjithë kandidatët”, tha Nimanbegu për të njëjtin burim.

Forca është kryesuese e koalicionit shqiptarë “Forca për Bashkim” pjesë e të cilës janë edhe Iniciativa Qytetare – Tuz dhe Lëvizja Perspektiva – Ulqin. /Malesia.Org/