Komuna e Malësisë, referendumi konsultativ dhe ngjarjet në Dinoshë

Duke mos marrë përsipër të bëj rolin e një analisti perfekt, por me atë njohje që kam të ndikoj sado pak në sqarimin e rrethanave se ku ndodhen bashkëmalësorët e mi në vendin e tyre autokton ( por që historia i ka lënë pa të drejtë nën Malin e Zi ), si dhe me dëshiren që nepërmjet këtij shkrimi të shpreh pikpamjet e mia individuale me qëllimin e mire që të shërbej në më të miren e mundshme për bashkimin, mirëkuptimin, bashkëjetesën e për më tepër në forcimin e bindjeve se në ndergjegjen tonë duhet të sundojë vlera maksimale e të qënurit bashkëmalësorë e bashkëshqiptarë të mirë  pasi para se të jemi me bindje fetare, politike apo krahinore ne jemi vëllezër të një gjaku, të një gjuhe, të një kulture që i ka rrënjët këtu e dymivjetë më parë.

Për këto e të tjera që ndoshta do jenë objekt i shkrimëve të mëvonshme shqetësimet dhe argumentat e mia dëshiroj ti radhis si më poshtë:

I. KOMUNA E MALËSISË.

Ka shumë e shumë kohë që bashkëmalësorët e mi kanë kërkuar e po kërkojnë me të drejtë që Komuna Urbane e Tuzit të fitojë statusin e Komunës së Plotë të Malësisë me qëndër në Tuz. Sa here ka patur fushata elektorale ( kam bindjen se me mua janë edhe populli malësorë që jeton atje ), nuk ka patur force politike shqiptare apo jo që nuk e ka patur në programin e vet elektoral që “ do shpallim Komunën Urbane në Komunë të Plotë “. Kanë kaluar vite e dekata e kjo nuk është realizuar. Në mos realizimin e këtij premtimi kanë ndikuar shumë faktor objektiv dhe subjektiv, por ajo që mua më ka munduar e shqetësuar njëkohësisht mësëshumti është se kam arritur në një konkluzion se të parët që nuk e kanë dashur e nuk po e duan direkt apo indirekt këtë realizim premtimi janë pikërisht faktori politik shqiptar i cili i përçarë tejskajshëm më shumë i kanë interesuar votat për forcen apo grupacionin e vet politik apo në mbështetje të partive qeveritare se sa bashkëpunimi real mes vedi apo në daljen zot elektoratit të tyre ( e në këtë rast janë bashkëmalësorët a bashkëshqiptarët tanë ) për të realizuar të drejtën e Komunës së Plotë apo çdo të drejtë tjetër që u takon me Kushtetutë apo ligje Ndërkombëtare. Dhe këtë konkluzion e kam me baza dhe jo kuturu kur dihet se personalisht jam marrë vetë me partitë shqiptare atje për të gjetur gjuhën e mirëkuptimit për ti dale zot Malësisë e bashkëmalësorëve tanë të përbashkët ( e për këtë faktet nuk mungojnë dhe do isha ‘ lumtur ‘ sikur të dale ndonjë e të mi hedhin poshtë ).

A duhet që Komunës Urbane të Tuzit ti jepet statusi për një Komunë të Plotë pa referendum?

Besoj se kjo është e qarte jo vetëm për faktorin politik shqiptar aty, por edhe për vetë qeverinë malazeze për të cilët këta të fundit nuk mund ta mohojnë rëndësinë që kanë patur e kanë edhe sot shqiptarët në të gjitha proceset demokratike që janë zhvilluar para e pas ndarjes së Republikës së Malit të Zi me Serbinë, por edhe sot. E për të cilat si shpërblim shqiptarët kanë marrë indiferencën më të madhe për të mos hyrë në analiza të tjera diskriminuese për gjithë komunitetin shqiptar që jeton në trojet e veta atje. Ndaj lipset që qeveria malazeze me ligjet e vendimet e saj të përmbushë premtimet e veta dhe të jape ato të drejta demokratike që komuniteti shqiptar duhet ti gezoje ne plotesim te standarteve euro-atlantike per te cilat Mali i Zi eshte angazhuar duke përfshirë edhe të drejten e popullit autokton të Malësisë për të patur Komunë të Plotë.

Por që shtysen kryesore për një kërkesë të tillë e që është mëse e realizueshme duhet ta jape faktori politik shqiptar atje nepërmjet përfaqësuesve të saj në Parlament apo Qeveri

në Mal të Zi. Detyrë të cilen nuk po e kryejnë ( por që tani duhet të angazhohen ) mësëmiri qoftë në debatet e brëndëshme mes vedi por ajo më kryesorja në debatet me qeverinë apo parlamentin malazez.

Kërkesa për Komunë të Plotë të Malësisë nuk ka nevojë për interpretime pasi vetë ligjet malazeze e japin këtë të drejtë pa patur nevojë për lloje të tjera makinacionesh për të cilat përpiqet vetëm të fitohet kohë.

II. REFERENDUMI KONSULTATIV.

Të them të drejtë edhe nga ana e jurisprudencës nuk e kuptoj këtë term të dale nga zyrat e qeverisë malazeze. Se për të marrë statusin e Plotë Komuna e Tuzit duhet të kalohet nëpërmjet një referendumi që i pakuptimtë ka marrë emrin “ referendum konsultativ “.

Pak më pare theksova që e drejta për vetvendosje lokale të bashkëmalësorëve të mi atje vjen nga vetë Kushtetuta e Malit të Zi pa patur nevojë për referendum të tilla. Dhe këtë do dëshiroja të ma hidhnin poshtë juristat qeveritar ose të “ pavaruar “ malazez.

Fakt më kuptimplotë për një të drejtë të tillë e jep ngjarja tashmë e bërë fakt në Komunën e Plavë-Gucisë ku pa asnjë kërkesë e motivim politik, pushtetar, ekonomik, social etj. organizohet në heshtje të plotë një referendum për të ndarë Gucinë nga Plava edhe pse nuk përmbush asnjë standart demokratik, apo duke mos bërë asnjë analizë fisibiliteti për këtë ndarje. Atëherë lind pyetja: Pse për kërkesën e bashkëmalësorëve të mi u dashka referendum konsultativ? Kur për këtë të drejtë të komunitetit në Tuz qënkan të gjitha partitë shqiptare si IQ, ASH, LD, Forca, LPT, FDI etj. biles edhe partia në pushtet DPS e shumë shoqata e organizata joqeveritare, të cilat së bashku kanë bërë edhe një studim fisibiliteti rreth arsyeve pse duhet të jetë Malësia Komunë e Plotë. Atëherë pse hezitohet? A mos është ky referendum konsultativ  një “ thikë me dy presa “ ?

Pse unë e quaj referendumin konsultativ “ thikë me dy presa “?

E para e që është edhe më kryesorja: Referendumi konsultativ nuk përbën detyrim ligjor për asnjë institucion lokal apo qendror për vetë shprehjen “ konsultativ “. Çka që në fillim hidhen dyshime për të drejten e Komunës së Plotë. Pasi mund të fitojë e drejta për Komunë të Plotë me referendum konsultativ por ka dy  instanca më të larta të cilat mund të bëjnë rekurs për mosaprovim të cilët janë Këshilli Bashkiak i Potgoricës dhe Parlamenti Malazez. E dyta: Cilat janë bazat ku mund të shprehet lirshëm banori i kësaj Komune (sidomos faktori shqiptar i cili përbën padyshim shumicën në Komunën e Tuzit) kur hapur merren vendime nga qarqet e caktuar qeveritare ose jo për kufizim të drejtash në aspekte të tjera demokratike siç janë: e drejta për simbole kombëtare; e drejta për tubime në përkujtim të datave historike lokale e kombëtare; e drejta për vetvendosje lokale etj. Dhe e treta: Mospërcaktimin e saktë të kohës por lënia evazive për mbajtjen e këtij referendumi i cili sipas të gjitha gjasave do të mbahet pas zgjedhjeve Presidenciale e ku padushim faktori shqiptarë do të jetë determinant në fitoren e njërit apo tjetrit kendidat. Ndaj mos përcaktimi i referendumit para zgjedhjeve Presidenciale i mban shqiptarët e lidhur tek referendumi për Komunë të Plotë. Dhe kjo është në interest ë partisë në pushtet DPS i cili ka kandidatin e vet për President duke u bërë presion shqiptarëve që nëse doni Komunën votoni më pare kandidatin tone. Po sa here kanë votuar bashkëmalësorët e mi për të tilla zgjedhje dhe nuk kanë marrë asnjë të drejtë.

E katërta: Pse ky referendum nuk është i “ drejtpërdrejtë “ por duhet të shtohet medeomos termi “ kunsultativ “ dhe pse është hedhur poshtë studimi i fisibilitetit i bashkëshoqëruar me argumenta nga palët e interesuara për Komunë të Plotë? A është edhe ky një argument a një dyshim tjetër për mua nëse referendumi “ konsultativ “ është apo jo thikë me “ dy presa “?

III. NGJARJET NË DINOSHË.

Besoj se të gjithë jemi të mendimit se sa herë i është dashur bashkimi mes vetë shqiptarëve për realizimin e të drejtave e kërkesave të tyre është gjendur kurdoherë mundësia për ti përçarë shqiptarët, për ti nenvlerësuar, për ti anashkaluar e pse jo edhe për ti persekutuar. Le të marrim vetëm një fakt: Kërkesës së drejtë për ndarjen e Malit të Zi nga Serbia iu bashkuan edhe shqiptarët duke votuar jo vetëm për Pavarsinë e Malit të Zi por edhe për qeverisje nga forcat të quajtura progresiste duke u premtuar shqiptarëve të drejta të mëdha deri edhe Universitete në Gjuhën Shqipe, pa folur për të drejtat e simboleve kombëtare etj.etj. E çfarë moren shqiptarët prej tyre: heqjen e të drejtës për flamur kombëtar; ngushtimin e hapësirave për të festuar festat historike lokale e kombëtare; mos miratimin e Komunës së Plotë të Malësisë e për të mos folur për mënyren se si u trajtuan shqiptarët malësorë nepërmjet operacionit famëkeq “ Shqiponja “ duke u vënë edhe epitete të tilla si terroristë, antishtet, antidemokratikë etj. etj. Janë faktet që flasin vetë dhe tashmë janë të publikuara nga analistë të brendshëm e të jashtëm.

Po me ngjarjen e Dinoshës kush po merret e pse po nxitet?

Që në heren e parë dua të theksoj se kjo ngjarje ka lidhje pikërisht me dy problemët që unë analizova në fillim pra me Komunën e Malësisë e me Referendumin Konsultativ.

E para: të krijohet përshtypja në Malin e Zi e më shumë në Komunitetin Europian e atë Amerikan se shqiptarët nuk janë në gjendje të qeverisin vetë pasi siç tha dhe drejtuesi i Bashkisë së Potgoricës për rastin e Dinoshës: “ sjellje të tilla të shqiptarëve janë anticivilizuese, antihumane dhe antishtetare “. Fakt më domëthënës nuk ka për çfarë po ngjet mes bashkëmalësorëve të mi në Malësi. E dyta: Deklarimet ndërfetare për të cilin po mëshohet fort në ngjarjen e Dinoshës po përpiqen ta përfitojnë që në thelbin e saj duke i dhënë kuptim jo shqiptarë ( mysliman e katolik ). A ka fakt më domëthënës kundër qëllimit të të gjithë malësorëve për një Komunë të Plotë. E treta: Kundër një Komune me të drejta të Plota në Malësi është shprehur mesa kam dijeni vetëm Partia e Boshnjakëve dhe një parti proserbe çka lind dyshimi se me këtë konflikt deshirohet një e keqe tjetër e madhe ndaj bashkëmalësorëve të mi në Malësi duke hedhur aludime të tilla  se “ nga inati i pjesës tjetër katolike, pjesa tjetër myslimane do rreshtohet me Partinë Boshnjake “ pra kundër të drejtës për Komunë të Plotë qoftë edhe duke votuar kundër në referendumin konsultativ. Pra gjitha këto fakte të çojnë ose në dështimin e referendumit konsultativ ose tu thuhet shqiptarëve dhe komunitetit euro-atlantik se ja u dhamë të drejtën për referendum dhe vetë shqiptarët votuan kundër të drejtës për një Komunë të Plotë. E pra me rastin e Dinoshës nuk është thjesht vetëm një nxitje fetare e pastër por një përpjekje për të dështuar në të gjitha të drejtat e saj arsyetimi se Komuna Urbane e Tuzit duhet të jetë patjetër Komunë e Plotë.

IV. PERFUNDIMET E ANALIZES.

Të trija këto analiza duhet të vlejnë për gjithë bashkëmalësorët e bashkëshqiptarët e mi që të gjejnë gjuhen e përbashkët jo vetëm të pajtimit por më tepër të bashkimit mbarëmalësorë e mbarëshqiptarë pasi çdo veprim tjetër do sjelli pasoja të mëdha e të pariparueshme për gjithë shqiptarët e veçanërisht për malësorët autokton në

Mal të Zi. E këtë rol duhet ta luajnë përpara të gjithëve vetë partitë shqiptare, komunitetet fetare poshqiptare, shoqatat atdhetare shqiptare, intelektualët shqiptarë që ndodhen në

Malësi, në Mal të Zi, në Amerikë etj. Me të drejten e zotit dhe të drejten Kushtetuese e të drejtën Ndërkombëtare edhe qeveritë shqiptare në Shqipëri e Kosovë duhet me patjetër të japin ndihmesën e saj pasi ekzistojnë të gjitha mundësitë.

Urrejtja mes vedi sjellë vetëm përçarje, fryma e intolerancës sjell pasigurinë, fyerjet ndërfetare të vëna re së fundmi sjellin ndarje me baza fetare duke humbur vlerën e madhe të të qënurit shqiptarë. Nuk do na i falnin brezat e ardhshëm veprimet e pamatura që fshehin gjetiu gjurmët për mosekzistencë shqiptare në Mal të Zi por vetëm fise, lagje e banime me baza fetare duke humbur realitetin se jemi denbabaden shqiptarë të mirë që e duam jetën, e duam lirinë, e duam demokracinë e duam tokën arbërore mijëra a mijëra vjeçare. Edhe pak ditë na ndajnë nga dy festa të mëdha: E para për mbarë komunitetin e krishterë siç është Festa e Pashkëve dhe e dyta për mbarëmalësorët e mbarëshqiptarët siç është 102 Vjetori i Kryengritjes së Malësisë së Madhe të vitit 1911. Ndaj le të na shërbejnë pikërisht këto dy festa për më shumë dashuri, për më shumë mirëkuptim, për më shumë tolerance, për më shumë paqe, harmoni e bashkim vëllazëror.

Unë dua ta mbyll këtë analizë timen për çka unë theksova më lart me një shprehje të Presidentit të Republikës së Shqipërisë Z. Bujar Nishani i cili mbas festimeve për 100-vjetorin të Pavarsisë u shpreh: “ nuk kishim në thelb nacionalizmin por shprehjen e dashurisë për kombin shqiptar “.

SYTKI NDRECAJ

Bashkëmalësor e bashkëshqiptarë i Juaji

Koplik me datë 25.03.2013