Malësia në peshore

Te shqiptarët në përgjithësi, përfshirë këtu edhe shqiptarët e Malësisë së Madhe, toleranca fetare gjithmonë ka qenë e dalluar dhe e shenjtë.
Armiqtë na e kishin zili për këtë pasuri që populli shqiptar posedonte. Ata, duke e ditur se përçarjet në bazë fetare ishin prezent pothuaj në krejt botën, dhe si një pikë e ndjeshme, vazhdimisht tentuan ta shkatërrojnë këtë pasuri, por te shqiptarët kurrë nuk patën sukses.
Toleranca fetare te shqiptarët është dhe duhet të mbesin shembull për Evropën dhe krejt botën.

Gjyshat e stërgjyshat tonë nuk kishin shkollë, por ishin të matur, të ndërgjegjshëm e të mençur. Respektonin bindjet fetare të besimtarëve islam dhe katolik. Nuk diskutonin probleme e tema të panevojshme të karakterit fetarë që mos të vi deri te shkaqe keqkuptimi. Nëse në Malësinë tonë ekzistonte ndonjë rast, ata ishin shumë të kujdesshëm dhe me maturi, mirëkuptim e gjakftohtësi i zgjidhnin para se situata të dalin në sipërfaqe e të marrin përmasa më të gjëra.
Të parët tonë ishin kryesisht të varfër, por kishin besën, nderën, burrninë, trimërinë dhe tolerancën; këto tipare, këtë pasuri e cila nuk blihet me para. Këto duhet ruajtur, kultivuar dhe duhet trashëguar gjeneratat e reja.

Situata e fundit në Dinoshë është tepër shqetësuese e cila kërkon veprim të shpejtë. Duhet vepruar me gjakftohtësi e mirëkuptim ashtu si ditën të parët tonë. Mos të presim që të tjerët të na i rregullojnë punët, se vetëm ne mund ti rregullojmë mospajtimet tona. Aq më pak mund të pritet nga ata të cilët kjo situatë e krijuar u shkon në favor të tyre.
Nuk mund të jenë ndërmjetësues “institucionet” që deklarojnë se çështja nuk është kompetencë e tyre.

Është evidente se tentimet përmes përçarjes fetare e cila direkt ndikon në përçarje kombëtare, janë lojë e dorës së huaj. Ata kanë gjetur shërbëtorët e vet në mesin e shqiptarëve, njerëz të pavetëdijshëm, intelektual, politikë e ndoshta edhe në vetë klerin fetarë.

Dua të besoj se incidenti fillimisht nuk kishte karakter fetar, por ngjarje e dizajnuar nga dora e huaj e kishte pikërisht këtë për qellim. Kishte për qellim që të nxisin tensionet në mënyrë që të manipuloj njerëzit ku incidenti të marrin ngjyrë fetare. Besoj që janë të pakët ata të cilët morën pjesë në këtë furtunë, e të cilët vërtet kishin qëllime të përçarjes fetare. Situata e krijuar fatkeqësisht në opinionin e gjerë u vesh me përçarjen fetare.

Ata që e dizajnuan këtë ngjarje deri diku ja arritën qëllimit përmes atyre që me vetëdije apo pa të, kryen detyrat e tyre djallëzore.
Por fajin e kemi ne, ne të gjithë, që lejuam të realizohet plani i atyre që përgatitën terrenin. Nuk duhet fajësuar ata, ajo është detyrë e tyre. Metoda më e lehtë e armikut për të na sunduar është kur të jemi të përçarë.

Malësia ka njerëz të ndërgjegjshëm të cilët me ndërgjegje ruajnë sistemin e vlerave, pra, tiparet e malësorit; besën, nderën, burrninë e tolerancën. Ata e kanë një detyrë të shenjtë, detyre kjo që është njëkohësisht obligim i gjithë neve; të ulemi bashkë, dhe të zgjedhin problemin duke lidhë Besën që situata të tilla mos të përsëritën më kurrë!
Problemi qe lindi ne Dinoshë, nuk është problem i Dinoshës, hisenikëve të varrezave apo i Malësisë, ai është problem shqiptar, mbase, shqiptaria është një, si në Grudë,  Çamëri, Kosovë apo gjetiu.
Nuk duhet të pritet, duhet reaguar sa më parë dhe të ndalim planet djallëzore të kreatorëve… Të dëshmojmë se në Malësi e para është Shqiptaria, të cilën askush nuk mund ta lëkundë, dhe askush nuk mund ti marrin kujt të drejtën në të.

 

Disa shembuj të tolerancës fetarë ndër malësorët dhe shqiptarët në përgjithësi

Në Mars të vitit 1897, tek dera e Xhamisë së Rus-Maxharit në Shkodër u gjet një derr i therur! Muret e xhamisë nga brenda, vende vende ishin lyer me gjak derri, e diku-diku ishte varur ndonjë copë mishi. Ky incident ishte veprim i nxitur nga armiq të jashtëm të shqiptarëve dhe shkaktoi pakënaqësi ndërfetare. Për të shuar këtë mosmarrëveshje, u caktua një komision prej muslimanësh e katolikësh. Në krye të komisionit ishte Mustafë Agë Sykja dhe Dedë Gjo Luli. Sipas marrëveshjes do të ndëshkoheshin provokatorët, të cilët ishin kapur, kurse procesin e vulosi edhe Dedë Gjo Luli. Kur e pyeten Dedën si e vulose atë proces që dënonte disa bashkëfetarë të tij, ai u përgjigj: “Po të më thoshte Mustafë Aga me u ba musliman, do ta pranoja propozimin e tij, e jo ma me vu myhyr në mazbat për tu pajtue me vllaznit tanë”.

*

Një rast tjeter i ngjajshëm, lidhet me rastin kur disa katolikë deshën të djegin xhaminë e Lezhës. Këtë e merr vesh At Gjergj Fishta dhe me t’u errësuar, shkon tek xhamia. Kur ata shkuan për ta djegur, at Fishta u flet në emër, dhe ato të çuditur i thonë: “Si mor At ti edhe prift edhe hoxhë?” At Fishta ju përgjigjet thjeshtë: “Jo, unë jam prift, por meqë Hoxha kishte ca punë në Shkodër, me tha mua me e ruajt se edhe kjo është shpia e Zotit për shqiptaret”!… Fishta, në Lahutën e tij të famshme, për hir të tolerancës, shkruante: “Edhe un frati tham t’vërtetën / me muslimanët e baj fli veten / Varrem n’krab; lidhem n’vargaj / E Shqipënin un’ nuk e l’shoj

*

Në bajrakun e Hotit, në veri të Shqipërisë, të gjithë ishin katolikë, vetëm bajraktari musliman. Më 1904, ngjau që bajraku të mbesë pa meshtarë disa ditë. Bajraktari Çun Mulja me një shoqërues, u ulën në Shkodër, te i pari i fretërve dhe i tha: “Pasha Zotin zotni, kisha jonë ka petë keq pa fratë. As s’ka kush na beko shpirtë, për s’gjalli as vorret për s’dekni. Rixha kam me zotnin tate me na çue fratin sa ma par te kisha, se kam petë keq…”

*

Në fshatin Vrane të Grudës jetonin disa vëllazëri të fesë islame. Ata nga mungesa e Xhamisë, u falnin nëpër oborre dhe shtëpia. Në vitin 1881 Bajraktari i Grudës, Smajl Martini (katolik) dhuroi truallin për ndërtimin e Xhamisë dhe ndihmojë ndërtimin e sajë.

*

Kur Gruda po ngrinte kishën në Llofkë, për të kontribuuan njëlloj si katolikët, ashtu dhe myslimanët e Dinoshës.

*

Shtëpia e vetme myslimane në Selcë (Kelmend), ajo e Bajram Muçës, i fali famullitarit të Malit Kolaj vendin për ndërtimin e qelës së kishës.

*

Kur më 28 Nëntor 1913 (në përvjetorin e parë të pavarësisë), u ngrit në Shkodër flamuri kombëtar, në mitingun madhështor ishin bashkuar vëllazërisht muslimanë e të krishterë dhe brohoritën njëzëri: “Rroftë Shqypnia”. Atë natë kambanorja e kishës së Gjuhadolit u lidh me minaren e xhamisë së fushës Çelë nëpërmjet një teli ku valëvitej flamuri kombëtar ndërmjet rreshtit të gjatë të kandilave të kuq e zi (ngjyrat e flamurit kombëtar).

*

Shkodrani musliman Kupe Dania (luftëtar i shquar në mbrojtjen e Plavës e Gucisë), vrau dy ushtarë osman, për të mbrojtur një grua, bashkëvendëse katolike, të cilët ata tentuan ta dhunojnë. Kurse në përgjegjësi u tha: “Vërtetë gruaja ishte katolike, por ishte motra jëme. Kemi të ndarë kishën e xhaminë, por e kemi bashkë Shqipërinë”. Qeveria e ndoqi, i dogji shtëpinë, ndërsa shkodranët me iniciativën e klerit, ja ndërtuan shtëpinë sërish.

*

Në vitin 1913, brigadat serbo-malazeze kishin pushtuar Rrafshin e Dukagjinit,
Ata kishin tubuar në Gjakovë shqiptarët e besimit katolik në një anë dhe të besimit musliman në anën tjetër, për t’i pushkatuar, mbase nuk donin të ndërronin fenë e tyre, dhe të pranonin ortodoksizmin dhe ashtu më lehtë të sllavizohen.  Për këtë alarmohet ipeshkvi katolik nga Prizreni imzot Lazer Mjeda, i cili shkon dhe ndërhyn shpejt tek komandanti malazez, duke i thënë, se po nuk i lëshove do të alarmojë Europën, për këtë gjenocid dhe etnocid të paparë.

Ndërkaq, komandanti malazez, i thotë Ipeshkvit të Kosovës imzot Lazër Mjeda këto fjalë: Ja ku i ke, merri katolikët tuaj! Mirëpo, Ipeshkëvi Mjeda, i përgjigjet komandantit kriminel malazez, se: “Edhe muslimanët janë të tij, sepse të gjithë janë shqiptarë”. Dhe, më në fund, ai detyrohet t’i lirojë të gjithë ata shqiptarë të pafajshëm.

*

Në seancën e mbledhjes së Lidhjes së Kombeve, më 17 dhjetor 1920, delegati i Indisë, quan si vepër të mirë pranimin e Shqipërisë në Organizatën e Lidhjes së Kombeve, dhe nënvizonte: “Kur në botë zhvilloheshin ende luftra ndërfetare, në Shqipëri, myslimanët, katolikët e ortodoksët, jetonin në harmoni dhe ishte fakt i shkëlqyeshëm për një vend me shumicën dërmuese të popullsisë myslimane të kishte këtu përfaqësues një të krishterë dhe një prift.”

R. Ivezaj