Me keqardhje dhe me ankth përcollëm ngjarjet e fundit të Malësi, në Dinoshë dhe në gjimnazin e Tuzit dhe, si Shoqatë atdhetare që jemi, ndiejmë obligim vëllazëror që të bëjmë një apel për mirëkuptim e tolerancë siç ka hije ndër vëllezër, në mënyrë që Malësia ta kapërcejë edhe këtë hile të pushtetit malazias të cilit i konvenojnë vetëm shqiptarët e përçarë. Të nderuar bashkëvendës, ne nuk duam nga larg të ju mbajmë leksion as të mbajmë krahun e dikujt, duke apostrofuar fajet e cilësdo palë, por të ju themi se presim nga ju që t’i qaseni kësaj çështje me seriozitetin e plotë, të lëni anash divergjencat minore, sepse ka shumë më tepër çështje madhore të cilat na bashkojnë. Loja e pushtetit para referendumit për komunë të Malësisë është shumë e dukshme, sepse ata shohin se deri te referendumi dhe te komuna e plotë duhet të vihet dhe e vetmja shpresë iu ka mbetur obstruksioni, respektivisht minimi nga brenda i krejt procesit, gjë që mund të arrihet vetëm përmes krijimit të pakënaqësisë midis shqiptarëve, në rend të parë mbi baza konfesionale. Nuk besoj se e kemi harruar aksionin policor “Fluturimi i shqiponjës”, me ç’ rast qe lëkundur besimi, por derisa ne mezi po arrinim të kapërcenim atë rast, ata krijojnë rasti tjetër. Pse vallë ne duhet të biem në kurthet e një pushteti kaq dashakeqës ndaj nesh. Prandaj ju lutemi të mos lejoni që të bëheni vegël qorre e pushtetit hileqar dhe të prishni harmoninë shekullore ndër shqiptarë që len Malësinë pa të ardhme, por bëjuni një, se vetëm me harmoni të plotë mund t’i bëni ballë dhe ti jepni një goditje të papritur këtij pushteti që është mësuar të na përdorë vetëm për nevojat e veta. Apeloj tek prijsit fetare ,politikanet dhe te gjithe te tjeret qe te marrin pergjegjsine qe ju takon.. Duhet ditur se ketu nuk mund te kete pale fituese ose humbese,ose jemi te gjithe fitues ose te gjithe humbes.
SHOQATA ATDHETARE “MALESIA E MADHE” Detroit -Michigan 03/29/2013
Pashko Gjokaj – Ruzhdi Gjokaj