Nuk po e shkruaj këtë shkrim si reagim të Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” se pastaj do të ngrihej përgjegjësia se pata a nuk pata të drejtë unë i gjori për deklarimet e mija.
Ajo që e them tani e pa asnjë mëdyshje është se jo vetëm Malësia,si shkruan një vëlla imi, por i tërë kombi ynë është në peshore.
Pse?
Po kush na bëri neve në shekullin 21 më myslimanë a më të krishterë se se emblemat e kombit tonë Naimi e Çajupi ?.Hiqi jemi ne krahasuar me ta edhe si penda edhe si intelektualë , si besimtarë e edhe si përfaqësues të kombit .
Vdiq Naimi, Vdiq Naimi,
Moj mjera Shqipëri…..
E ka thënë Çajupi në poezinë e tij elegjiake kushtuar pendës së madhe të kombit tonë.
E kur u tha kjo o vëllezër ? Në shekullin e shkuar u tha. Me se u krenua kombi ynë nëpër shekuj? Me respektin e tolerancën mes besimeve. Shqiptarët të bashkuar luftuan kundër pushtuesve e në ruajtje të traditës,kulturës e gjuhës së përbashkët.
Vëllezër, armiku nuk arriti ta shuaj kombin tonë me sulme, tortura e vrasje. Nuk arriti se të gjallë kombin mbanin bijtë e tij të bashkuar. Shqiptarët e të tri besimeve një ishin bërë gjithmonë dhe nën flamurin kombëtar kishin marrë pjesë në beteja heroike në luftën e përbashkët për liri. Armiqtë nuk arritën ta zhdukin kurë kombin me forcën e armës e tradhtisë e tani po mundohen të mbjellin farën e përçarjes e urrejtjes.
Vëllezër, të freskohemi e këndellemi me ujin e Cemit, Drinit,Vjosës, Shkumbit eLumbardhit dhe t’i themi edhe një herë njëri-tjetrit se jemi vëllezër të një gjaku e të një kombi dhe bashkërisht ta nxjerrim nga trojet shqiptare farën e ligë të përçarjes e ta hedhim në fundërrinë.
Vëllezër të bashkohemi në të njëjtin mort, dasmë, në të njëjtën festë. Vëllezër të qajmë e të qeshim së bashku.
Rrahman Jasharaj, zëdhënës dhe koordinator për trojet etnike i Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”