Tuz, Malësi (04.04.2013) – Lidhja Demokratike dega e Malësisë, fton shqiptarët të bojkotojnë zgjedhjet presidenciale.
Dega e Malësisë, në kumtesën e lëshuar sonte, fton të gjithë shqiptarët të bojkotojnë zgjedhjet e ardhshme presidenciale ose të dalin në zgjedhje dhe të prishin fletën e votimit.
Pas kumtesës së degës së Plavës e Gucisë është dega e Malësisë e LDnëMZ-së e cila ka qëndrim ndryshe nga ai që ka shprehur kryetari i partisë, Mehmet Bardhi, i cili u tha shqiptarëve të vendosin vet se kush e meriton votën e tyre.
“Në pajtim me qëndrimet partiake, sipas të cilave asnjëri nga kandidatët presidencial në Mal të Zi nuk meriton përkrahjen e shqiptarëve, pastaj në përkrahje të qëndrimeve të Degës së Plavës, por edhe duke respektuar kërkesat e anëtarësisë dhe specifikat tona këtu në Malësi, Dega e Malësisë fton anëtarët, simpatizantët dhe të gjithë votuesit e tjerë shqiptarë që, edhe përkundër marrëveshjeve për përkrahje që kanë bërë disa nga liderët shqiptarë, të mbajnë qëndrim neutral ndaj këtyre zgjedhjeve, respektivisht ndaj kandidatëve, në rend të parë duke bojkotuar zgjedhjet, por edhe duke prishur fletën e votimit, nëse vendosin që të dalin në zgjedhje”, fillon deklarata e nënshkruar nga kryetari i degës së Malësisë, Nikollë Camaj.
“Nuk ka asnjë arsye që t’i besohet përsëri dhe të përkrahet kandidatit i cili deri më sot nuk plotësoi asnjë nga premtimet e dhëna. Për aq më tepër kur ai këto ditë po flet e po premton sikur të ishte kandidat i opozitës e jo i pushtetit, duke premtuar se kur të vijë në pushtet do të luftojë dukuritë negative në shoqëri, të cilat në fakt i ka krijuar grupacioni i tij politik, kurse ai është duke i mbështetur tash më se 20 vite. Nëse kjo i besohet, atëherë ne jemi shoqëri që nuk meritojmë më mirë. A nuk ishte ai pjesë e pushtetit ekzekutiv gjatë gjithë kësaj kohe kur pësuam rënie në ekonomi, stagnuam në zhvillim, kur na u mohua e drejta në pushtet lokal në Malësi, kur u bë centralizimi i pushtetit, kur na u mohuan të drejtat e arritura në përfaqësim dhe përdorim të simboleve kombëtare, kur na arrestuan dhe shpallën terroristë pa asnjë argument, kur uzurpuan pasuritë tona me mekanizma të ndryshëm si nëpërmjet shpalljes së parqeve nacionale në Liqe të Shkodrës dhe në Plavë Guci, apo nëpërmjet privatizimit, si të Kripores dhe të hoteleve në Ulqin, apo nacionalizimit, si të ullishtave apo vreshtave në Malësi, e tjera. Jemi të mendimit se është koha e fundit që politika që personifikon Filip Vujanoviq ta ketë të qartë se shqiptarët nuk do të jenë më “vota e sigurt” e tyre dhe se ata nuk do te përkrahin dhe votojnë për hir se dikush qenka “e keqja më e vogël”, sepse në realitet, ai për shqiptarët u dëshmua si e keqja më e madhe. Sidomos pas asaj që deklaroi në Tuz dy net më parë, se Krajl Nikolla paska çlirua Shqipërinë, ai vërtet meriton dënim nga votuesi shqiptar. E jo përkrahje pa kushte, siç ia premtuan disa nga liderët tonë. Prandaj, ne kësaj radhe dimë kujt t’i themi JO! Shpresojmë se edhe kjo JO e jona do të jetë kontribut në pozicionimit më të mirë të shqiptarëve për realizimin e të drejtave të veta dhe erë e mirë në velat e ndryshimeve, aq të nevojshme në këtë mjedis”, përfundon deklarata. /MALESIA.ORG/