Mjeshtër i artit fotografik

Dan Xhurreta, fotografi i parë në Anë të Malit

Shkruan: Gjekë Gjonaj

Në shekullin e kaluar fotografia tek shqiptarët në Malin e Zi ka qenë shumë pak e zhvilluar, e favorizuar dhe tej mase e nënvlerësuar, gjë që është për të ardhur keq, edhe pse vendbanimet autoktone shqiptare kanë patur nevojë që përmes objektivit të prezantohen në tregun e brendshëm dhe të jashtëm. Kjo ka ndodhur ndër të tjera edhe në mungesë të vetëdijësimit të shqiptarëve sa i përket fotografisë si pjesë shumë e rëndësishme e artit dhe kulturës në përgjithësi.

Njohja me fotografin

Në vitin 1993 gjatë një ekspedite në Anë të Malit si gazetar-reporter i Radiotelevizionit të Malit të Zi, u njoha me Dan Xhurretën( 1921) , fotografin e parë nga kjo trevë. Në takimin e parë me këtë mjeshtër të artit të fotografisë i premtova se do të përgatis një reportazhë, për emisionin në gjuhën shqipe asohere shumë të ndjekur nga shqiptarët “ Kronika e javës” në RTV e Malit të Zi, të cilën e realizova dy javë më vonë. Nga biseda që zhvillova me të në studion e vogël në shtëpinë e tij në Katërkollë mësova se që kur ka qenë fëmijë i vogël gjithmonë e ka pasur një kuriozitet të madh në lidhje me fotografinë dhe gjithmonë është rritur në shoqërimin me aparatët fotografikë bardhë e zi. Dani më patë thënë se këtë zanat e ka mësuar nga fotografi i njohur tivaras Bozho Martinoviq, i cili aq e ka vlerësuar vullnetin , ambicien e tij për të qenë fotograf sa gjithmonë fliste me respekt të madh si njeri dhe mjeshtër i fotogarfisë, duke i ofruar me kënaqësi punë. Derisa bisedonim në këmbë në mur qëndronte e varur Çertifikata e punës në të cilën shkruante: “Sekretariati për veprimtari shoqërore i Komunës së Tivarit me datë 21 maj 1969 i jepë Çertifikatën mbi dhënien e provimit për fotograf me të cilën vërtetohet përgatitja profesionale për ushtrimin e veprimtarisë së zanatit të fotografit ”, firmosur nga Svetozar Gjuroviq.

Fillimet e tij në fotografi

Ishte kënaqësi ta dëgjosh me sa dashuri e emocion flet për fillimet e tij në këtë profesion . Fillimisht fotografinë e ka pasur vetëm pasion, kur ka bërë fotografi të shumta të natyrës, veçanarisht të bjeshkëve dhe maleve gjatë perëndimit të diellit dhe natën kur kishte vetëtima mbi kodrat e nalta të Anës së Malit dhe Krajës, liqenin e Shkodrës, qiellin dhe retë e bukura ku shpesh i dukej se gjenë edhe figura të ndryshme në to, të cilat vërtetë ju japin një ndjenjë fantazie dhe objekteve të ndryshme . Ai me aparatin e tij fotografik regjsitroi shumë pamje nga jeta kryesisht e fshatit,por edhe qytetit, pejzazhe dhe aspekte të tjara nga jeta në të gjitha fshtarat e Anës së Malit dhe Krajës.Ky fotograf i zoti me aparatin e tij ka fiksuar edhe njerëz të zakonshëm të kohës , burra , gra e vajza me kostume kombëtare . Ai që atëherë e ka parë që fotografia tashmë i është bërë një shprehi që nuk mund të shkëputet prej saj. Vendosi që dashurinë dhe pasionin që ka patur për këtë punë ta mësojë nga fotografë profesionist, duke e kthyer atë në profesion. Besonte se ishte i varur prej fotografisë. Nuk e imagjinonte veten një ditë pa bërë disa fotografi ose pa bërë diçka rreth fotografisë. Ai me entuziazmin e një artisti të ri me fantazi të begatë u bë mjeshtër në fushën e teknikave të vjetra të fotografimit bardhë e zi. Falë inteligjencës natyrore dhe shpirtit praktik arriti të realizojë gjithë ciklin e realizimit të fotografisë , që nga fotografimi, zhvillimi i filmave e deri tek stampimi dhe larja e fotografive.

Besimi në popull

Cilësitë e tij, si pasioni, vullneti , këmbëngulja dhe korrektesa ia rritën dita ditës vlerat si fotograf. Ai lëvizte fshat në fshat në këmbë për ditë të tëra për t’u shpërndarë fotografitë në afatin e caktuar, gjithmonë me çmim të arsyeshëm. Me këto raste bënte filmime të tjera . Është kjo arsyeja, që së bashku me cilësinë e admirueshme të fotografisë e mjeshtrinë e fotografimit, ia shtuan besimi në popull e për rrjedhojë edhe klientët e tij. Me fotot e tij , me raportin njerëzor ndaj bashkëvendasve dhe bashkëkombasve u bë jo vetëm i shumë i njohur në trevat e përmendura , por edhe i dashur , i preferuar , i nderuar dhe i respektuar nga klientët e shumtë. Në saje të vullnetit dhe këmbënguljes së tij në vitet në vazhdim arriti të krijoj raporte miqësore me klientët. Për ta gjatë gjithë jetës fliste me respekt të madh. Profesionit të fotografit në të cilin qe dashuruar nuk iu nda deri sa ndërroi jetë në vitin 2008.

Ekspozita e fotografive

Dan Xhurreta gjatë karrierës së tij të gjatë si fotograf për fat tëkeq nuk arriti të ruajë arkivin e tij të pasur të fotografive e as të hapë ndonjë ekspozitë vetanake. Këtë boshllëk në një mënyrë e plotësoi kryetarja e shoqatës “ Labeatët” Luljeta Avdiu Cuca, e cila tetë vjet pas vdekjes së Xhurretës arriti nga arkivi i familjes së tij të ekspozojë afro dyzet fotografi me peizazhe nga Ana e Malit dhe Kraja, foto familjare dhe nga aktivitete të ndryshme. Ekspozitën e mbështetën djali i fotografit Xheladin Xhurreta, drejtoresha e NP “ Veprimtari Komunale” , Zana Sravan dhe kryetari i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane “ Ana e Malit” në Nju-Jork, Ismet Kurti.
Të gjithë personat që e bënë të mundshme këtë ekspozitë sinqerisht i përgëzoj për kontrtibutin e dhënë, shpesh të munguar te ne shqiptarët, në afrimimin e kulturës sonë materiale e shpirtërore dhe trashëgimisë sonë kulturore. Ata me këtë veprim të kulturuar treguan se e njohin dhe e duan këtë “ botë “ magjike të artit fotografik. Sepse treguan se janë të vetëdijshëm se një fotografi flet më shumë se shkrimi dhe se kur mungon fotografia shkrimi është i “ thatë”, pa shije.